23 Dhjetor, 2018 - 9:50 pm
Më duaj, por mos m’i prit krahët nëse dua të fluturoj,
mos më mbyll në kafaz nga frika se mos më humb.
Më duaj duke qenë i sigurt në dashurinë tënde dhe unë nuk do të iki
dhe nëse do të jem larg, diku, në qiell, do ta gjej rrugën drejt mendimeve të tua.
Nëse do të jesh me mua, unë do të të mësoj të fluturosh,
ndërsa ti do të më mësosh të qëndroj.
Më duaj me çdo qelizë tënden, sepse unë i përkas shpirtit, jo trupit.
Më duaj pa e fshehur butësinë që në sytë e mi të bën të dukesh si fëmijë dhe mos ki turp nëse të them se të dua.
Më duaj, edhe nëse pasioni im të duket i egër.
Më duaj për atë që jam dhe unë do të të ndjek hapat dhe do ta mbroj brishtësinë tënde përballë botës mbarë.
Më duaj dhe do të shoqëroj pa fjalë çdo veprim tëndin.
Më duaj pa u zgjatur te pamja ime aspak e bukur, te ngjyra e syve.
Më duaj për atë që sheh me sytë mbyllur, për atë që dëgjon në heshtje, sepse heshtja flet.
Më duaj sepse unë jetoj në dashurinë tonë.
Më duaj çdo ditë si të ishte unike, por jo e fundit… vetëm kështu do të mund ta njohësh bukurinë time.
Përktheu: Elona Qose