7 Shkurt, 2020 - 10:30 am
Në vijimësi të hulumtimit të së shkuarës në romanin e tij të ri, nobelisti rishikon labirintet e kujtesës, duke u mëdyshur me idenë se mos vallë gjithë hollësitë e rrugëtimit të jetës “janë shkruar diku me bojë të këndshme”.
Një narrator bredhërin në Parisin e të kaluarës, në kërkim të një gruaje të zhdukur… Çmimi “Nobel” i letërsisë ruan imagjinatën dhe stilin e tij magjepsës, në ngutjen e një të kaluare të pasigurt dhe të një Parisi të shkuar. Zhan Patrik Modiano (1945), shkrimtari bashkëkohor francez me më shumë se tridhjetë punime teatrale, romane dhe çmime ndërkombëtare i rikthehet vëmendjes së publikut.
“Bojë e këndshme”… është libri i fundit që ka nxjerrë nga duart nobleisti francez. Që në titull na krijohet ndjesia e rikthimit të beftë në kontinentin Modiano, me një gjeografi sentimentale dhe të mistershme, të kujtimeve të humbura, të personazheve kalimtarë. Narratori, i cili s’i ka mbushur ende të 20-at, zotëron vetëm një kartelë, me të dhënat e duhura, nga një agjenci detektive, duhet të bjerë në gjurmët e njëfarë Noëlle Lefebvre, që është zhdukur pa lënë adresë. E ka marrë përsipër këtë punë, që ndërthur hetimin, intuitën dhe sekretin profesional, vetëm si një aktivitet të përkohshëm, të dobishëm, mendon ai, për të hyrë në letërsi. Me aftësinë për t’u prezantuar në jetën e të tjerëve, ai vepron si shkrimtar…
Sërish arti romanesk nga Modiano, i tipit somnabul në palimpsestet e Parisit pranveror, detaje të konservuara në një harresë të mjegulluar. Modiano luan në analogji me imazhin e padukshëm të fotografisë, që lind nga zhvilluesi në dhomën e errët. Një fletore e vjedhur, në një apartament të zbrazët, vepron, edhe pse me tregues fare të papërfillshëm, si ato pamjet e ngrira të cilat nuk kanë asgjë për të ofruar përveç gozhdimit të misterit që mbartin. Pjesa e fundit, enigmatike, e lehtë si ëndërrim, është vendosur në Romë: “qyteti i harresës”. Në çastin e heqjes së velit, Modiano shkruan: “Kam frikë se pasi t’i keni marrë të gjitha përgjigjet, jeta juaj do të rimbyllet për t’ju zënë si në kurth, në zhurmën që bëjnë çelësat e qelive të burgut. A nuk do të ishte më mirë të linim rreth vetes vise të vagullta ku të mund të arratiseshim?”./Konica.al /KultPlus.com