Me promovimin e veprës për Kolë Bojaxhiun u përmbyll “Java kulturore shqiptare në Amerikë”

16 Shtator, 2019 - 3:31 pm

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve mbrëmë e vazhdoi “Javën kulturore shqiptare në Amerikë”, e cila është organizuar në kuadër të aktiviteteve për përkujtimin e tragjedisë së 11 shtatorit.

Dita filloi me meshën e organizuar në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” në Nju-Jork, e cila u organizua për 100-vjetorin e vdekjes së Kolë Bojaxhiut. Aty prifti i kësaj kishe, Dom Pjetër Popaj, i falënderoi mysafirët nga Shkupi dhe u lut për shpirtin e babait të Nënës Terezë.

Pjesa tjetër e aktiviteteve përmbyllëse u zhvillua në Federatën Panshqiptare “Vatra”, ku delegacioni i Institutit e promovoi vëllimin me kumtesa nga konferenca e organizuar më 1 gusht në Shkup për 100-vjetorin e vdekjes së Kolë Bojaxhiut, që erdhi si bashkëpunim i Institutit me Shtëpinë Përkujtimore të Nënës Terezë në Shkup.

Panelin promovues te “Vatra” e hapi nënkryetari i saj, Agim Rexha, i cili i falënderoi mysafirët dhe theksoi se “Puna e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve nga Shkupi tashmë meriton respektin e të gjitha institucioneve relevante shkencore gjithëshqiptare, por jo vetëm”.

Pas tij foli Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, i cili tha se konferenca për Kolë Bojaxhiun është në frymën e studimeve të Institutit për njohjen e trashëgimisë së Nënës Terezë. Ai tha se: “Kolë Bojaxhiu ka qenë një figurë e rëndësishme e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe kjo konferencë vetëm e ka vendosur atë në vargun e gjatë të veprimtarëve të tjerë shqiptarë, aty u e ka vendin”. Njohja e Kolë Bojaxhiut dhe e familjes së tij, theksoi ai – është një mënyrë tjetër për ta njohur personalitetin e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë dhe vatrën ku ajo u lind dhe u kalit për t’ia falë botës.

Në panel foli edhe Sekretari Shkencor i Institutit, Dr. Zeqiria Ibrahimi, i cili tha se “Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore Shqiptare dhe Shtëpia Përkujtimore e Nënës Terezë janë dy institucione që kujdesen në mënyrë të veçantë edhe për trashëgiminë e katolikëve shqiptarë, veçmas për Nënën Terezë, duke e bërë kështu Shkupin një epiqendër heterogjene të kulturës dhe historisë shqiptare, ashtu siç ka qenë edhe në të kaluarën”.

I fundit foli edhe Paulin Marku – historian nga Tirana, i cili e përgëzoi Institutin për punën e bërë dhe shfaqi admirim edhe për kujdesin që ka ky institut për historinë e katolikëve shqiptarë në Maqedoni.

Vijoi pastaj një debat, që përfundoi me librat e dhuruara për ”Vatrën”, si dhe mirënjohjet “Mik i Institutit”, që drejtori Asani i ndau për Dritan Mishta, kryetar i Vatrës dhe Marjan Cubi – veprimtar i dëshmuar në SHBA dhe anëtar i Kryesisë së “Vatrës”.

Me këtë aktivitet u përmbyll edhe edicioni i dytë i “Javës kulturore shqiptare në Amerikë”. / KultPlus.com

Të ngjajshme