Me rastin e ‘Ditës Botërore të Poezisë’ u mbajt Ora Letrare nga PEN Qendra e Kosovës

22 Mars, 2022 - 5:00 pm

Në kuadër të Ditës Botërore të Poezisë, dje në KultPlus Caffe Gallery u mbajt ora letrare e organizuar nga PEN Qendra e Kosovës dhe KultPlus, me ç’rast krijimet e veta artistike i lexuan: Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Ibrahim Kadriu, Lulzim Tafa, Dije Demiri Frangu, Lindita Tahiri, Naime Beqiraj, Nerimane Kamberi dhe Mustafa Balje, shkruan KultPlus.

Dashuria për poezinë, pasioni për krijimet artistike të poetëve të huaj dhe shqiptar, rrezatimi në sy që pasonte nga secili i pranishëm për këtë ditë të rëndësishme, veçse ishin tri shtyllat kryesore që përmblodhën ditën e djeshme nën strofullën e ngrohtë të ambientit.

Kjo ditë e cila është shpallur nga UNSECO si dita botërore e poezisë që nga viti 1999, synon që të nderojë poetët, leximin, shkrimin e po ashtu edhe ndërlidhjen e saj me artet e tjera. Ndonëse poezia është e pakrahasueshme në artin e saj e po ashtu e konsideruar edhe si “mbretëresha e arteve”, lidhja e poezisë me artet e tjera vlerësohet si lidhje e veçantë, qofshin lidhjet ato që i shpalosin ndjenjat e përbashkëta mes njerëzve apo edhe ato të kundërtat.

Dje, shprehja lirike ishte ajo që mbizotëroi në tryezën e KultPlus Caffe Gallery, më së miri edhe nga vetë të pranishmit që ishin të ulur në formën e një rrethi dhe krijuan një bashkëbisedim por edhe interpretuan pozitë e tyre si dhe të autorëve të mirënjohur shqiptar.

Ishte profesori dhe shkrimtari Sali Bashota ai i cili e nisi këtë ngjarje me një rast fjale.

“Mirë se erdhët në këtë aktivitet të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës së bashku me KultPlus në kuadër të Ditës Botërore të Poezisë. Është një ditë e veçantë në radhë të parë për poetët pastaj për adhuruesit e poezisë. Jemi mbledhur këtu sot bashkë për të nderuar e kujtuar poetë të njohur të letërsisë botërore dhe të letërsisë shqipe të cilët kanë treguar se poezia është mbretëresha e arteve”, thotë Bashota.

Sipas tij, një krijim poetik i cili buron nga shpirti dhe adresohet te lexuesi, për të cilën Jorge Luis Borges ka thënë se nuk mund të shpjegohet kurrë, por vetëm të përjetohet dhe ndjehet shpirtërisht.

Fillimisht ishte shkrimtari Ibrahim Kadriu ai që nisi i pari të lexonte njërën nga poezitë e tij.

“Kjo koha e këtij gripi na ka kapluar të gjithëve dhe njëkohësisht na ka ofruar dhe ide. Kështu që e kam një poezi të shkruar para dy vjetëve, pikërisht në atë kohë që ndodhi pandemia”, thotë Kadriu, i cili më pas e interpreton poezinë e tij.

Pastaj poetja Djie Demiri-Frangu, interpretoi disa poezi nga libri i saj i titulluar “Qumështi i poezisë”.

Ndërkaq, Lulzim Tafa duke mos dashur që të shpjegojë asgjë, vetëm lexoi poezinë “Andrra”.

Më pastaj ishte poetja Naime Beqiraj e cila fillimisht lexoi njërën nga poezitë e saj më të fundit, “Poetët desin n’kambë”. Gjithashtu, ajo e përkujtoi poetin e saj më të dashur, Azem Shkreli, e nga krijimet e të cilit, interpretoi poezinë “Lirikë me shi”.

“Mos harresa”, dhe “Asnjeri”, ishin dy poezitë e radhës që u interpretuan nga vetë shkrimtari Ibrahim Berisha, e të cilat u pëlqyen mjaft shumë nga të pranishmit.

Tutje, profesoresha Lindita Tahiri interpretoi dy nga poezitë e saj.

“Unë do ta lexoj një poezi para dyzet viteve kur fillova të shkruaj për respekt ndaj Azem Shkrelit”, thotë ajo para se të vazhdonte me interpretimin e saj.

Ndërsa, Mustafa Balje po ashtu lexoi një nga poezitë e tij. Kurse poetja Nerimane Kamberi, ishte ajo që kishte zgjedhur më shumë poezi për të interpretuar e kjo vjen si pasojë e tri rasteve të cilat i tregon ajo vetë.

“Unë do të lexoj sot më shumë sepse do të lexoj për tri raste. E para është një poezi që kujton poetë të tjerë, poezia e dytë është e kushtuar ndaj grave por në veçanti motrës time e cila e ka ditëlindjen sot dhe për mua është shumë me rëndësi. E treta i kushtohet Sazana Çapriqit, sepse sot bëhet një vit që kur ajo është varrosur”, thotë Kamberi.

“Ftesë për të marrë udhë”, “Hanëmet nuk qajnë” dhe “Banja e grave”, titulloheshin poezitë të cilat erdhën nën interpretimin e poetes Kamberi.

Ndërsa, krejt në fund poeti dhe shkrimtari Sali Bashota me shumë emocion, interpretoi tri nga poezitë e tij, e që ishte “Mësohu me vdek si Ali Podrimja”, ajo që la më së shumti mbresa.

Të pranishmit, të emocionuar nga këto poezi, vazhduan bisedat rreth poezisë nën shoqërimin e melodive shqipe brenda hapësirës së KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Të ngjajshme