18 Gusht, 2022 - 9:45 am
Këto ditë është duke u mbajtur edicioni i 40-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Po ju sjellim fjalën e Anila Balla që e mbajti dje në Seminar:
Me shembjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, jo vetëm si godinë, por dhe si rezistencë qytetare, mesazhi i politikëbërësve u bë i qartë. Atyre nuk u intereson asnjë disiplinë kulturore nëse nuk kanë përfitimet e tyre. Përfitimi përkthehet gjithmonë në vlerë monetare. Megjithatë, një grup amatorësh në qytetin e Kamzës rezistojnë me teatrin e tyre duke e sjellë pranë një publiku të vendosur në periferi, jo vetëm fizikisht, por edhe kulturalisht.
Objekt konkret i punimit është përpjekja e teatrit eksperimental, alternativ dhe komunitar në periferitë e Kamzës, Tiranës dhe qyteteve të tjera në Shqipëri, gjithashtu dhe theksimi i nevojës për nisma të tilla për të përmirësuar jetën kulturore, por dhe të rezistencës kulturore. Publiku i Kamzës, prej pesë vitesh ka mundur të shikojë dhe dëgjojë tekstet e Ibsen-it, Fo-së, Ionesco-s. Ky teatër ka sjëllë trajta të reja të përditshmërisë së zymtë të të rinjve, të cilët janë përfshirë në këto nisma; ka sjëllë argëtim në një zonë ku nuk ofrohet shumë përveç kafeneve dhe trash-TV dhe ka parë qëndrueshmëri te një grup të rinjsh që nuk kanë marrë kurrë përkrahje prej organeve qeveritare. Gjetjet kryesore të këtij studimi bazohen në përvojën e atyre artistëve që lëvrojnë teatrin jo-konvencional brenda Republikës së Shqipërisë.
Qasja kërkimore mbështetet në teoricienë teatri, të cilët kanë vënë gurët e themelit në zhvillimin e teatrove alternative dhe eksperimentale duke ndryshuar vazhdimisht kënddrejtimin e rrymave teatrove dhe artistike, si Augusto Boal dhe Jerzey Grotovski. / KultPlus.com