21 Prill, 2022 - 4:00 pm
“Më shkruaj një letër me dorë” titullohet libri i piktorit dhe studiuesit Vladimir Myrtezai i promovuar mbrëmjen e djeshme në Tiranë.
Me këtë vëllim me poezi Myrtezai sjell reflektimin e fuqishëm mbi ndjesitë, realitetin dhe fenomenet që na rrethojnë. Në vargun e poezive të Myrtezait spikat aftësia për të ndërtuar imazhe përmes metaforës.
“Vëllimi poetik “Më shkruaj një letër me dorë” dallohet prej origjinalitetit dhe intonacioneve thellësisht vetjake, por që mua më zhvendos pa dashje dhe në mënyrë të pashmangshme në ato vitet ’80 të shekullit të kaluar, në Shkodrën e atyre viteve, kur krijuesi kishte një etje të madhe ekzistencialiste dhe artistike për të shprehur tensionin shpirtnor dhe psikik përmes një novatorizmi të kërkuar në mënyrë anarkiste dhe të sinqertë, shpesh nëpërmjet një epigonizmi të ezauruar e të pafaj”, shprehet në parathënien e librit Rudolf Marku.
Sipas Markut, poezia e Vladimir Myrtezait të paktën në këtë libër, shënon faqet e një ditari reflektiv me tone bisedore dhe argumentuese, përvijuar me anë të një monologu të brendshëm, që plekset dhe bashkohet me regjistrat kaotikë të përditshmërisë.
Gjatë promovimit aktorja Adriana Tolku recitoi për të pranishmit disa poezi nga libri “Më shkruaj një letër me dorë” të Vladimir Myrtezai.
Në kuadër të promovimit të librit u çel edhe ekspozita e piktorit Leon Çika, me kurator Vladimir Myrtezai.
Vladimir Myrtezai ka lindur në Shkodër në vitin 1958. Ai studioi në Shkollën e Mesme Arte “Jordan Misja” në Tiranë dhe u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku punoi në Institutin e Monumenteve të Kulturës për dhjetë vjet dhe pastaj filloi jetën e tij akademike në Akademia e Arteve të Bukura, por kësaj here si profesor në pikturë, por njëkohësisht edhe në departamentin e Multimedias. Ka hapur shumë ekspozita si brenda edhe jashtë vendit, si Berlin Athinë, SHBA, etj. Myrtezai ka marrë pjesë shumë herë në konkursin ndërkombëtar të artit “Onufri”. Prej disa vitesh ai kontribuon me shumë sukses edhe në fushën e të shkruarit./ KultPlus.com