26 Shtator, 2018 - 2:39 pm
Në kuadër të projektit “Vlerësim i shoqërisë civile dhe dialog publik për institucionet e ‘heshtura’ të Kosovës”, të financuara nga fondet publike, Organizata Integra ka publikuar raportin “Kriza në Akademi: Vlerësim i shoqërisë civile për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, që është produkt i hulumtimit të realizuar nga Shkelzen Gashi, shkruan KultPlus.
Raporti i sapopublikuar tregon edhe për angazhimin politik që kanë pasur dhe kanë anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Sipas raportit nga 22 anëtarë të rregullt të AShAK-ut, 12 prej tyre kanë qenë të angazhuar në parti politike, që i be që pak më shumë se gjysma e tyre. Tetë prej tyre kanë qenë të angazhuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), dy në Partinë Fshatare të Kosovës (PFK), një në Lëvizjen e Bashkuar Demokratike (LBD) dhe një në ORA.
Kurse, nga 16 anëtarë korrespodentë, shtatë prej tyre kanë qenë të angazhuar në parti politike, që i bie gati gjysma e tyre. Katër prej tyre kanë qenë të angazhuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), dy në Partinë Demokratike të Kosovë (PDK) dhe një në Partinë Socialdemokrate ( PSD).
Megjithëkëtë, Kryetari i AShAK-ut, Nexhat Daci, dikur pjesë e strukturave drejtuese të LDK-së, deklaron se asnjë pjesë e politikës, as në këtë sistem e as në atë sistem, kurrë nuk ka intereferu në përzgjedhjen e anëtarëve të Akademisë. Në anën tjetër profesori Agim Vinca, pretendent për anëtar të AShAK-ut, e njëkohësisht kritik i këtij institucioni, deklaron se “Akademia historikisht ka qenë shërbëtore e politikës: edhe në sistemin monist, edhe në periudhën e të ashtuquajturit sistem paralel, madje edhe në periudhën pas çlirimit të Kosovës dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.
Një mori anëtarësh të AShAK-ut kanë qenë në LDK, jo vetëm si anëtarë të thjeshtë, por funksionarë të lartë: Ibrahim Rugova, ish-kryetar i LDK-së, Fehmi Agani, ish-nënkryetar i LDK-së, Rexhep Ismajli, Ali Aliu dhe Mehmet Kraja, ish-anëtarë të Kryesisë së LDK-së, Idriz Ajeti e Nexhat Daci, ish-anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Aktualisht, Kryetari dhe nënkryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe Sabri Hamiti janë anëtarë të AShAK-ut. Prej të lartpërmendurve, vetëm Idriz Ajeti është pranuar anëtar i AShAK-ut kur nuk ekzistonte LDK-ja, ndërkaq të tjerët janë pranuar duke qenë apo pasi që kishin qenë udhëheqës të lartë të LDK-së. Përpos këtyre udhëheqësve të lartë të LDK-së, anëtarë të AShAK-ut janë bërë edhe dy liderë të tjerë të lartë të dy partive satelite të LDK-së: Besim Bokshi, ish-kryetar i Partisë Social-Demokrate të Kosovës (PSDK), dhe Hivzi Islami, ish-kryetar i Partisë Fshatare të Kosovës (PFK).
Raporti “Kriza në Akademi” rekomandon që do të ishte mirë që personat me funksione nëpër parti politike ose institucione politike (Kuvend e Qeveri) të mos jenë anëtarë të AShAK-ut./ KultPlus.com