8 Nëntor, 2022 - 10:30 am
Nga Ibrahim Berisha
Na ka rënë të dëgjojmë se atje sipri kokave tona, dy qeniet më të dashura për ne të gjallët e kësaj bote, Dielli dhe Hëna, janë motër e vëlla. Nëpër bredhjet e tyre të përhershme, kërkojnë prehjen e cila, më në fund duhet të jetë e pambërritshme, sepse vetë bredhja e përcakton përhershmërinë e tyre, që i lë në kërkim të pafund motër e vëlla.
Sipas mitologjisë, Dielli, Hëna dhe Agimi ishin bijtë e Hyut Hyperjon-Zotit të Dritës dhe të Hyjneshes Theia (të Shndëritshmes).
“Hana asht e re, e vjeter, e plotë. Ndrrimet e saj thirren: hana zjarme, hana mbrend, hana jasht, hana ndej. Hana zjarm – asht hanë e re.”. (Don Ndoc Suma “L.E.K.A.”, 1932, f. 292).
…
“… hana me danga të kuqe bjen luftë”.( E. Koliqi, Vepra, Pr. f. 313).
“Por, Hana mbrendë e hana jashtë – asht hana e vjeter”.
Plaku me ledhatim i flet më të riut: Dil, biro e shiko hanën. Çka thotë? A dalim nesër në arë; në livadh; në mulli, në pazar!
“Nji bujk nuk nis punen pa e shikue hanen”.
Dita e premjes së postermave po kështu është caktuar në bazë të shikimit të hënës. Posterma është pre: “Në të hymë të hanës së vjetër mos me humb mishi gjatë zimjes në vekshë”.
Petkat e reja zakonisht është dashur të nisin të veshen me hënë të re.
Ngjymja e veshjeve (zhgunave, pëlhurërave, leshit etj.,) po kështu është bërë me hënë të re. Gati asnjë punë e madhe (as martesa) nuk bëhet pa shikuar Hënën, këtë motër të vetme të Diellit.
…
“Kur zehet hana populli thotë se ketë e kanë zanë shkambijt ase lubija, kulshedra, lugati e nuk e lanë me lëshuem dritën mbi tokë Të prishunit e hanës e mbajnë si nji shej shum të keq. Besojnë se do të ngjajnë ndodhje të këqija; lufta të mëdha, termete, shina, sëmundje, zi buke… Hana kur lëshon nji rreth të madh për qarkvehtes, atëherë koha prishet e bje shi”. (B.SH f.43, 1943).
…
” (Hana) e ngjyeme në nji të kuq të murrmë si m’u pasë çue njatëherë prej nji kënete gjaku…Kuku për gjithë botën qi ka m’u mbytë në gjak!“. (E. Koliqi. Vepra).
Cila hënë u rri sot mbi kokë shqiptarëve dhe a e lexojnë drejt mesazhin e saj? Një hënë të largët sipri hijes së errët të Shqipërisë e kishte lexuar aq vite më parë një intelektual shqiptar i vendosur në Amerikë që përmendet aq pak dhe kishte bërë aq shumë për kombin e tij. ” Shqiptarët e kan zakon – edhe ky asht nji faktor psikologjik – qe të mallkojnë Fuqitë e Mdhaja per intrigat dhe pabesitë e tyne, dhe të çthuren në sharje kundër fqinjëvet të tyre të “panginjur” dhe “gjakpirës”, sepse këta janë munduar të çdukin racën arbnore me planet e tyre “satanike”. Po shqiptarët harrojn se çdo komb e ka brenda në trupin e tij krymbin e lengimit dhe të vdirjes së vet. Prandaj, ndofta nuk u pëlqen të shkojnë në mendje faktin se ata vetë ose udhheqsat e tyre u japin shkak të huajve dhe fqinjëvet që të përfitojnë nga grindjet dhe mosmarrveshjet e një kombi të përçarë…”. ( A. Chekrezi).
…
Përsëri: “Tue kenë të gjithë të bashkuem, kini me kenë të sigurtë se Zoti i fitoreve ka me kenë me ju.” (Gjan. 25 prill 1880). / KultPlus.com