Me Xhevahir Spahiun në kufirin shqiptaro-shqiptar

11 Janar, 2021 - 9:31 pm

Bardhyl Londo

Do të shkonim në Kosovë në një festival poetik. Në kafe Roma po pinim kafe me Xhevon duke pritur Ilir Kadinë. Kisha një parandjenjë krejt të sigurtë se Xhevua nuk do kishte marrë me vete as pasaportë as kartë identiteti.

-E ke marrë pasaporten ose karten e identitetit?- e pyeta.

-Po-me tha.

Pas pak, e pyeta prapë. E njëjta përgjigje. Pa nxiri njëherë, i thashë. Ik o pirdhu më tha. Pastaj edhe po të mos i kem marrë kufi shqiptaro-shqiptar është. Ne kufi Xhevua futi dorën nëpër xhepa dhe nuk kishte asnjë dokument. Iliri u pre fare se ai u kish dhënë fjalën organizatorëve që do na çonte ne të dyve. Per më tepër një ditë i kushtohej poezisë së Xhevos.

Unë dola nga makina dhe s’po mbaja dot të qeshurit. Nëpunësi nga ana tjeter e kufirit ngriu: nuk dinte ç’të bënte.

-Nuk na e ke dëgjuar ndonjëherë emrin-i thamë.

-Iu njoh shumë mirë- tha- po ligjet janë ligje dhe mund ta pësoj une-tha.

Iliri mori Orgesin, djalin e Xhevos në telefon. Për fat të mirë ai kishte lidhje me komandantin e postës nga ana jonë e kufirit i cili erdhi dhe bisedoi me komandantin e postës nga ana tjetër. Ne hymë në Kosovë. Dhe sot e kësaj dite nuk e kam të qartë: a ishte një harresë e natyrshme njerëzore apo ishte nje sfidë që Xhevua donte t’i bënte kufirit shqiptaro-shqiptar? / KultPlus.com

Të ngjajshme