12 Maj, 2020 - 5:30 pm
Nga: Agim Dëshnica
Si gjithmonë, kur vjen muaji i këndshëm i majit me qiell të kaltërt, Berati hijeshohet nga lule shumëngjyrëshe. Gjelbërimi i dendur harbon në kopshte e oborre shtëpish të bardha, një mbi një, mbi Osum, ku pasqyrohen lagjet, Mangalem e Goricë, përballë njera-tjetrës, nën pamjen e largët të malit Tomor, që ndërron veshjet sipas stinëve. Lumi shekullor pasi çlirohet nga trysnia e kenioneve, hyn e kalon mespërmes qytetit të lashtë me zhurmërimë të lehtë, rrëshket nën tri ura, njera e varur, tjetra legjendare, duke u harkuar në qendër, e në mbarim e treta, ku ndodhet lagjja Murat Çelepi në fushë dhe mbi shpatin perëndimor të Kalasë. Kjo panoramë mahnitëse mbyllet nga mali i zgjatur i Shpiragut, i shtrirë sa gjatë e gjerë sikur fle nën qiell. Mbi të në mbarim të ditës dielli përskuqet e dalë ngadalë shuhet e humbet prapa tij duke lënë pas muzgun e mbremjes mbi qytet e rrethinat me ullinj, pemë frutore e pisha mbi kodra e male. Gjithkush tek sodit qytetin nga kullat e Kalasë, nga lartësitë e malit të Goricës, nga dritaret plot dritë, nga parmakët anës lumit apo urat, sidomos nga rruga e ura e re dhe e gjerë e ndërtuar mbi zallishte në afërsi të Velabishtit si fillim i austotradës së ardhshme Berat-Tepelenë, pushtohet nga ajri i pastër, hareja e fymëzimi poetik. Lagjja Murat Çelepi dikur me ndërtesa monumentale, me rrugica të pastra, bahçetë përrallore buzë lumit, në shekujt e shkuar mahniti udhëtarë si, Evlia Çelebiu, piktorë dhe shkrimtarë të huaj, nga vende të perëndimit e lindjes. Jo më kot Berati njihet në histori si qyteti i poetëve dhe i këngëtarëve gazmor, larg çdo trishtimi, qytet i mësuesve të apasionuar, qytet i myezinëve, zëri i të cilëve nga minaret e bardha dëgjohej në largësi. Edhe shtëpitë me shumë dritare, rrugicat, bahçetë, ndërtesat e xhamive dhe e kishave me pikturat e Onufrit, disa mbi shkëmbinjë, ura e e gurtë me shumë harqe harmonike, janë vepra të mirëfillta artistike nga dorë mjeshtërish.
Lindja e poetit dhe e dijetarit
Në këtë qytet, ku jetuan e krijuan Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Hasan Zyko Kamberi dhe poeti kombëtar Naim Frashëri, në familjen e Ibrahim Buharasë më 12 maj 1920, 90 vjet më parë, u lind një fëmi. Shtëpia ndodhej në fund të një rrugice me kopësht apo bahçe plot pemë buzë lumit e përballë Shpiragut, në lagjen Murat Çelepi, tashmë rrafshuar, tok me shtëpi të tjera patriotësh, qysh në kohën e diktaturës komuniste. Pra, u lind një fëmi, një djalë, i cili do të quhej Vexhi. Një djalë, i cili do të nderonte fisin e Buharasë. Një njeri, që do të shquhej për sjelljen fisnike. Dijetari i ardhshëm që do të ngrinte lart vlerat e Beratit dhe të atdheut. Një fetar i kulturuar i besimit ndaj Zotit. Një poet i dashurisë për njeriun e bukuritë e natyrës shqiptare. Bota letrare do ta njihte qysh në moshën 19 vjeç. me poezitë si, “Përpara Tomorit”, fituese e çmimit të parë, “Poeti”, “Zemrës”, “Shiu”, “Çudit’ e fshatit tim”, “Dua të jem flutur”, “Manushaqja”, etj. me nivel artistik dhe frymëzim poetik, të cilat të sjellin ndër mend Lasgush Poradecin. Të krijuara sipas traditës rilindase, shprehin ndjenjat e pastra të një njeriu të mirë. Vargjet me gjuhë të kulluar shqipe, rrjedhin ëmbël e natyrshëm. Pseudonimet “Valater Çokdari” e “Lulëzari” në atë kohë u njohën kudo. Vlerësimet për Buharanë u pasqyruan në shtypin e kohës, nga Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Ali Asllani, Nexhat Hakiu etj.
Drama e jetës së tij
Vexhi Buharaja pas mësimeve të para në Berat, në vitin 1940 u vendos në Tiranë. Atje kreu me përfundime të shkëlqyera Medresenë e Lartë. Më pas dha mësim po në atë shkollë dhe drejtoi revistën “Kultura Islame”. Vitet 1940 -1944 i përkasin një krijimtarie të larmishme, në poezi e prozë, studime figurash e ngjarjesh historike, përkthime e redaktime punimesh për revistën. Në këto vite bashkëpunoi edhe me organe shtypi të kulturës si, “Njeriu”, “Tomori i Vogël” etj. Në fillim të vitit 1944, e shohim të kthehet në Berat. Në ditët e premte, i ftuar në xhamitë kryesore të qytetit, tek jepte vas në shqip për çështje fetare e shoqërore, dëgjohej zëri i tij i ngrohtë me një oratori e filozofi të përkryer. Deri në vitin 1947 jep mësim në shkollat e qytetit. Në atë vit të zi për njerëzit e ditur, Vexhi Buharaja si shumë intelektualë të tjerë u arrestua. Biblioteka e tij e pasur u sekuestrua. Librat u mbartën me një kamion ndërtimi!… Gjyqi komunist me akuzën për “agjitacion e propagandë”, e dënoi me 8 vjet burg. Nga burgu e dërguan në kampin e Maliqit. Emrat: kënetë, kanal, Maliq, Roskoveç, Tërbuf, Çermë, na kujtojnë martirët patriotë, dijetarët e shquar, profesorët, inxhinerët e aftë, shkrimtarët e talentuar, njerëzit e shërbesave fetare etj. Pas burgut, Vexhi Buharaja për të siguruar jetesèn e familjes, iu nënshtrua një pune sfilitëse. Me duart e pafuqishme, të përdorte sërish kazmën! Megjithatë penën dhe librat i mbajti pranë si mjetet e tij më të shtrenjta.
Frymëmarrja nëpërmjet krijimtarisë/Në vitet ’60, kur diktatura do të ndalte vrullin e vet vrastar, krijohet mundësia të kthehet në arsim. Në shkollat e mesme jep lëndën e gjuhës ruse, të mësuar në burg. E shohim të punojë për Muzeun e Beratit. Kur institucionet qendrore të asaj kohe patën nevojë për dijet e tij, në vitin 1965 pranohet punonjës shkencor në Institutin e Historisë, Gjuhës e Letërsisë të UT, më vonë e Akademisë së Shkencave. Për Buharanë do të niste një kohë e re krijuese dhe hulumtuese. Shquhet për punë të palodhëshme e cilësore për historinë e Shqipërisë. Kjo u duk në shkrimet e shkëlqyera, ndërmjet tyre kumtesa për Gjergj Kastrotin- Skënderbe, me rastin e 500 vjetorit të lindjes, mbajtur në një sesion shkencor në Berat. Të një rëndësie të veçantë janë përkthimet e tij. Siç dihet në vitet e diktaturës shumë poetë e shkrimtarë të paraluftës, u burgosën ose u lanë mënjanë. Mundësia e vetme për të mbijetuar e për të shprehur aftësitë e tyre, ishin përkthimet e shkrimeve politike, e poezive dhe romaneve të letërsisë shqipe e të huaj. Të tillë qenë, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Bujar Doko, Isuf Vrioni etj. Po atë fat pati edhe Vexhi Buharaja. Në Institutin e Historisë, përktheu shumë dokumente arkivore turke që hedhin dritë mbi kohën e pushtimit osman. Me vlera kombëtare janë përkthimet e Defterëve (regjistrave) të administratës turke. Përkthimi i shkrimeve dhe qindra letrave në turqisht të rilindasve tanë, si Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Dervish Hima etj. Ndihmesa e tij, shkëlqeu sidomos në studimet shkencore, për shpjegimin e toponimeve të vendbanimeve; transkriptimin e përkthimin e mbishkrimeve në gjuhën osmanisht, në shumë rrethe të vendit, në objektet fetare, në kështjella, në kulla sahatesh, në ura, në shtëpitë e lashta etj. Një nga veprat e tij me titullin, “Monumente të kulturës turko-arabe” përmban rreth 300 mbishkrime, të një kohe që nis nga Shekulli XV deri në Shekullin XX. Shumë studjues për temat e tyre përdornin punimet e tij. Kur përmendnin burimin e lëndës, shënonin shkurt formulën, “sipas arkivit të Institutit të Historisë”. Pra, e gjithë kjo veprimtari e Vexhi Buharasë, kaloi në heshtje. Shpesh në konferenca kombëtare këto arritje i përfaqësuan padrejtësisht të tjerët, të cilët ishin nën nivelin e tij kulturor. Megjithatë ato u vlerësuan nga dijetarët vendas e të huaj si, gjuhëtari i madh Prof. Eqrem Çabej, orientalisti Myqerem Janina, orientalisti gjerman Prof. Franc Babinger etj. Në lëmin e letërsisë, përveç poezive e shkrimeve të Vexhi Buharasë, njihen përkthimet në shqip, si drama “Besa” e Sami Frashërit, krijimet e poetëve persë e turq. Me një interes të veçantë u prit nga lexuesit, botimi në shqip i veprës së Saadiut “Gjylistanit dhe Bostanit”, perlë e poezisë botërore. Përgatiti dhe një antologji me poezi të zgjedhura të poetëve persianë.
Për letërsinë tonë e një rëndësie të veçantë, është dhe kthimi në shqip nga Vexhi Buharaja i dy vëllimeve me poezi në gjuhën perse të Naimit, “Endërrimet” (Tahajjulat) dhe “Katër Stinët.” Sipas një letre publiçisti N J, i njohur si hartues antologjish me shkrime autorësh shqiptarë, kërkoi prej tij ndihmë për një kumtesë, rreth këtyre dy librave. Lasgush Poradeci për këto punë arti, do të shkruante: “Për mua dy janë të mëdhenj në fushën e përkthimeve nga gjuha perse, i madhi Noli në Amerikë dhe i madhi Buharaja këtu.” Prof. Eqrem Çabej pas leximit të “Gjylistanit” u shpreh me fjalë të ngrohta: “Mjaftonte vetëm studimi hyrës, shënimet sqaruese dhe fjalori enciklopedik, që Vexhi Buharaja të meritonte gradë shkencore”. Siç del nga letrat, i dashur dhe bujar shpesh punimet e veta të pabotuara ua jepte të tjerëve si burim për tema që kishin në program. Si shpërblim pas kërkesash të lodhshme, disa ktheheshin e disa humbisnin.
Largimi nga puna
Kur diktatura me luftën e klasave u zgjua më e tërbuar në vitin 1975, Vexhi Buharaja, u pushua nga puna. Ky veprim i egër u prit me pakënqësi të thellë nga disa intelektualë të ndershëm. Në letrën e dijetarit të njohur Samim Visoka, për këtë akt të mbrapsht, dërguar Institutit të Historisë dhe Akademisë së Shkencave, ku sekretari shkencor mbulonte kuadrin, midis të tjerave lexojmë: “S’ka dyshim se elementë si Vexhi Buharaja nuk duhen pushuar nga puna, po duhet të ruhen e të mbrohen si diçka shumë e vlefshme, sepse siç e dini ju vetë, jeta, mosha, po i rrallon këta specialistë me vlera të mëdha në fushën e orientalistikës. Elementë të tillë si Vexhi Buharaja janë perlë…” Vexhi Buharaja, i prekur, por aspak i thyer u largua nga puna shkencore. Pushtetarët e mefshtë të Beratit për ta fyer më tej këtë intelektual të rrallë, e caktojnë arkëtar në një lokal shërbimi. Megjithatë populli i Beratit si përherë e respektonte dhe mburrej me të. Ashtu si më parë, ai vijoi të merrej me art e shkencë. Të gjithë ata që patën fatin ta takonin, njohën njeriun idealist e gojëmbël, poetin e hijshëm të lirisë, dijetarin serioz e bujar, profesorin e vërtetë shqiptar.
Përfundimi
Muret u shembën e idhujt ranë. Në vitin 1993 Vexhi Buharaja u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Beratit dhe “Mësues i Popullit”. Medreseja dhe Biblioteka e Beratit mbajnë emrin e tij. Ahmet Kondo më 1995 botoi librin “Vexhi Buharaja-Njeriu, poeti, dijetari”. Ai përmendet në librin, “Antologjia e Krimit Komunist”, botuar në vitin 2006. Në vitin 2008, në Tiranë, u botua libri me titull: “Vexhi Buharaja pa mite e mjegull”, shkruar nga Yzedin Hima. Pas një heshtje të gjatë foli edhe Akademia e Shkencave me Fjalorin Encikopedik Shqiptar.
Tashmë, emri i Vexhi Buharasë, njihet kudo për dhuntitë e rralla: poet, publicist, fetar-filozof, orientalist, historian, përkthyes, njohës e zotërues i 10 gjuhëve. Së pari, gjuhët klasike të Lindjes Islame: persisht, arabisht, osmanisht dhe turqishte e re. Së dyti. gjuhët e perëndimit: anglisht, gjermanisht, frengjisht dhe italisht. Së fundi rusisht. Lexuesi në kohët tona u njoh edhe me shqipërimin e përkryer të “Shah-Name-së” së Firdusiut, një kryevepër tjetër botërore, e lënë në dorëshkrim nga Vexhi Buharaja. /KultPlus.com