28 Tetor, 2021 - 9:45 pm
Në njëfarë kuptimi më të lartë, vetë bota është e infektuar nga dështimet; ajo paraqet në vetvete shembullin më të mirë të mungesës së përsosmërisë, ajo është vetëdija e dështimit. Kur e kupton këtë gjë, dështimi nuk ndihet më. Krijuesi, me fjalë të tjera, piktori, ngjason me fillimin e botës, me idenë Absolute, të përjetshme, të Vetme dhe një të tërë, e që e shpreh veten me mungesën e përsosmërisë së saj
Henry Miller
Një herë, duke iu përgjigjur një ankete, Knut Hamsuni vuri në dukje se shkruante kryesisht me synimin për të vrarë kohën. Mendoj se, sidoqoftë, ai arsyetonte gabim, madje edhe sikur të fliste sinqerisht. Krijimtaria letrare, ashtu si edhe e gjithë jeta, është një rrugëtim me synimin për të arritur diçka. Ajo është një aventurë metafizike: mënyra e tërthortë e njohjes së realitetit, që të lejon të krijosh një pikëpamje të plotë dhe jo të pjesshme mbi gjithësinë. Shkrimtari ekziston midis shtresës së sipërme të jetës dhe asaj të poshtme; ecën nëpër shtegun që i lidh të dyja, me synimin që në përfundim vetë ai të shndërrohet në këtë shteg.
Unë e kam filluar atë në një gjendje hutimi dhe pasigurie absolute, pasi isha zhytur në kënetën e ideve të ndryshme, të përjetimeve dhe të vëzhgimeve nga jeta. Madje edhe sot, si edhe më parë, nuk e konsideroj veten shkrimtar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Unë jam thjesht një njeri që rrëfen historinë e jetës së vet dhe, sa më shumë që zgjatet ky rrëfim, aq më tepër e ndiej atë të pashtershëm. Ai është i pafund, ashtu si edhe vetë evolucioni i botës. Në vetvete paraqet nxjerrjen në pah të çdo gjëje të çmuar, paraqet një udhëtim në vendet që nuk i merr dot me mend, derisa në njëfarë pike papritur fillon të kuptosh se ngjarja e rrëfyer është fare pak e rëndësishme në lidhje me vetë rrëfimin. Ja, kjo është veti e pandarë nga arti, që i transmeton atij nuancën metafizike, për faktin se ajo është ngjitur mbi botën, mbi hapësirën; ajo ndërthuret me ritmin tërësor të kozmosit e ndoshta vetëm prej tij mund të përcaktohet. Kurse “aftësia kuruese” e artit pikërisht aty edhe konsiston: në rëndësinë e tij, në mungesën e qëllimit dhe të përfundimit të tij.
Pothuajse qysh në hapat e mi të parë e dija mirë se nuk ekzistonte asnjë lloj synimi. Aq më pak pretendoja pushtimin e të tërës; unë synoja vetëm që ndjesinë time të plotë ta shprehja në çdo fragment, në çdo libër që lindte si kujtim i bredhjeve të mia, ndërsa depërtoja gjithnjë e më thellë në jetë: edhe në të kaluarën, edhe në të ardhmen. Dhe kur ashtu vepron ditë pas dite, gjithnjë e më thellë shfaqet bindja, e cila është shumë më esenciale se besimi apo dogma. Unë po bëhem gjithnjë e më indiferent ndaj fatit tim si shkrimtar, por gjithnjë e më i vendosur në misionin tim njerëzor.
Në fillim studiova me zell stilistikën dhe metodat e atyre që lexoja, prej të cilëve mahnitesha, si Niçe, Dostojevski, Hamsun, madje edhe nga Tomas Mani, të cilin tashmë thjesht e konsideroj një zanatçi të besueshëm, një gurgdhendës me përvojë në zanatin e vet; një kalë ngarkese, ndoshta edhe një gomar, që tërheq karrocën me një zell të papërmbajtur. Unë kam imituar metodat nga më të ndryshmet, me shpresë që të gjeja çelësin që do të më zbulonte misterin se si të shkruaja. Dhe kjo përfundoi duke më çuar në udhëkryq, pasi kisha përjetuar disfatën dhe dëshpërimin, të cilët kanë pasur rastin t’i provojnë jo shumë të tjerë. Thelbin e gjithë kësaj e përbënte fakti se unë nuk isha në gjendje të veçoja në veten time njeriun nga shkrimtari. Kështu që dështimi në krijimtari për mua do të thoshte dështim në fat; gjë që edhe e provova. Unë e kuptova se përfaqësoja një hiç, akoma më keq, një madhësi negative.
Dhe ja, pasi arrita në këtë pikë, duke u ndjerë sikur ndodhesha midis detit të vdekur të Sargasovit, fillova të shkruaja për së mbari. E fillova nga zeroja, duke i flakur tutje gjithçka kisha grumbulluar, madje edhe ato që i ruaja në mënyrë të veçantë. Sapo dëgjova zërin tim, m’u shfaq entuziazmi: më mahniste fakti se ky zë ishte i veçantë, i pangjashëm me asnjë tjetër, një zë unikal. Mua aq më bënte se si do të vlerësoheshin ato që shkrova. “Mirë”, “keq”, këto fjalë i çrrënjosa nga fjalori im. Në mënyrë të pandashme u futa në fushën e krijimtarisë, në mbretërinë e artit, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me moralin, etikën, utilitarizmin. Vetë jeta ime u shndërrua në një krijimtari artistike. Unë e fitova zërin pasi u bëra përsëri një qenie e plotë. Vetë përjetova përafërsisht atë që, nëse u besohet librave, përjetohet pas iniciativës personale, kur përfshihesh te xhen-budizmi.
Për këtë qëllim m’u desh të ushqehesha me urrejtjen ndaj diturisë, m’u desh të kuptoja kotësinë e çdo gjëje, të rrënoja gjithçka, të evidentoja mungesën e shpresës dhe pastaj të qetësohesha apo, si të thuash, t’i vija vetes diagnozën vdekjeprurëse dhe vetëm atëherë i ktheva vetes ndjesinë e individualitetit personal. M’u desh t’i afrohesha plotësisht fundit dhe të hidhesha drejt errësirës.
Unë përmenda realitetin, por tashmë e di se është e pamundur t’i afrohesh atij, në një mënyrë tjetër nga krijimtaria letrare. Tashmë njoh më pak dhe kuptoj më shumë, por në saje të një mënyre të veçantë e të jashtëligjshme. Gjithnjë e më me besim po arrij ta zotëroj atë, në saje të dhuntisë së natyrshme. Tek unë po zhvillohej aftësia për të arritur, për të kapur, analizuar, bashkuar, për të emërtuar, për t’i sqaruar faktet, për t’i shprehur, madje të gjitha përnjëherë. Ajo që përbën strukturën e gjërave tashmë zbulohet më lehtë nga syri im. Instinktivisht u shmangem të gjitha arsyetimeve të qarta: sa më të thjeshta të jenë ato, aq më i thellë është misteri i vërtetë. Ndërsa ajo që unë di bëhet gjithnjë e më e pashpjegueshme. Mua më vë në lëvizje bindja, e cila nuk ka nevojë për dëshmi, njëlloj si feja. Unë jetoj vetëm për veten time, por pa kurrfarë ambicieje apo egoizmi dhe përpiqem që të përjetoj vetëm atë që më lejohet dhe kështu ndihmoj ekuilibrin e gjërave në botë. Ndihmoj lëvizjen, lindjen, vdekjen, transformimin që ndodhin në kozmos dhe e bëj këtë me të gjitha mjetet, nga dita në ditë. Unë jap gjithçka që kam; i jap me qejf, por edhe marr çdo gjë që jam në gjendje të mbaj. Unë jam edhe mbret, edhe pirat; jam simbol i barazisë, personifikim i Peshores, që u bë shenjë e pavarur, kur Virgjëresha u nda nga Akrepi.
Sipas pikëpamjes sime, në botë ka vend më se të mjaftueshëm për cilindo. Dikush jeton në atë mjedisin e vet, pa e vrarë mendjen për asgjë, kurse gjeniu, individiumi, është i vetmi në gjithë gjithësinë që e ndërton personalitetin ndryshe nga të tjerët. Çdo njeri e organizon jetën e vet siç i pëlqen. Njerëzit e përsosin personalitetin e tyre ashtu siç e shohin të arsyeshme.
Nga ana e jashtme, kur vihen në dukje vetëm betejat historike dhe gjithçka në botë u nënshtrohet përleshjeve për hir të pasurisë dhe pushtetit, jeta u ngjason turmave që bredhin sa andej-këndej. Mirëpo, në të vërtetë, ajo fillon vetëm pasi je zhytur thellë, duke iu larguar sipërfaqes, kur refuzon luftën dhe zhdukesh nga fushëpamja e të tjerëve. Mua asgjë nuk më detyron të shkruaj ose jo; unë nuk i njoh më detyrimet dhe tashmë nuk gjej në krijimtarinë time letrare diçka që të lehtësojë vuajtjen. Gjithçka që kam shkruar, është arritur kryesisht për hir të kenaqësisë; frutat bien vetë mbi dhe, pasi janë pjekur tek unë, tamam si në një pemë. Për mua nuk ka rëndësi se si do t’i gjykojnë ato kritikët apo lexuesit e zakonshëm. Unë nuk po përcaktoj asnjë lloj vlere, por thjesht nxjerr në pah frutin e pjekur, që ai të bëhet ushqim. Dhe në krijimtarinë time letrare nuk ka asgjë tjetër.
Situata e një indiferentizmi shumë të përzgjedhur – ja pasoja logjike e jetës egocentrike. Me problemin e ekzistencës në shoqëri unë jam përballur në atë mënyrë, saqë u bëra si i vdekur; problemi i vërtetë nuk qëndron në faktin që të mësohesh të jetosh pranë të tjerëve, po as edhe në përkrahjen për lulëzimin e vendit tënd. Problemi i vërtetë është njohja e destinacionit tënd dhe e kalimit të jetës në harmoni me ritmin e organizuar rreptësisht të kozmosit. Pasi ke arritur në vetvete aftësinë që pa u dridhur të arsyetosh për koncepte të tilla, siç janë kozmosi e shpirti, duke zotëruar artin për të arritur “anën shpirtërore”, gjatë kësaj kohe ke shmangur çdo lloj defi-nicioni, argumenti, dëshmie e detyrimi. Parajsa është gjithandej, tek ajo të çon çdo rrugë, nëse do ta ndjekësh atë vetëm po të shkosh drejt saj shumë larg. Por që të ecësh përpara është e mundur vetëm duke u kthyer prapa, pastaj të drejtohesh anash, lart dhe më pas poshtë. Nuk ka asnjë lloj progresi, ekziston vetëm lëvizja dhe zhvendosja e përjetshme, që kryhet pafundësisht në formë rrethoreje apo spiraleje. Çdo njeri ka misionin e vet dhe imperativi ynë i vetëm është që ta ndjekim misionin tonë duke e pranuar atë, kudo që të na drejtojë ai.
As që e kam idenë se çfarë librash do të shkruaj në të ardhmen, madje as sesi do të jetë libri im i ardhshëm. Idetë e mia, planet e mia ndjekin stimulin më pak shpresëdhënës: unë thjesht mbaj shënim diçka në ecje e sipër, përfytyroj, shëmtoj, deformoj, trilloj, shpik në zbrazëti, ekzagjeroj, ngatërrohem, zemërohem dhe të gjitha këto në varësi të gjendjes shpirtërore. U nënshtrohem vetëm instinkteve të mia, intuitës sime. Paraprakisht nuk marr vesh asgjë. Shpesh përshkruaj gjëra që as vetë nuk i kuptoj, duke ditur që në vazhdim ato do të sqarohen dhe do të kenë për mua njëfarë kuptimi. Unë kam besim te njeriu, i cili shkruan, domethënë te vetja ime, te shkrimtari. Dhe nuk u besoj fjalëve, madje edhe sikur t’i rreshtojë mjeshtri më me përvojë, por i besoj gjuhës, ajo është diçka më e lartë në raport me fjalët, përderisa ato krijojnë vetëm një iluzion të deformuar, që është i tillë. Fjalët nuk jetojnë të ndara, të tilla ato mund të ekzistojnë vetëm për shkencëtarët: për etimologët, filologët etj. Fjalët të ndara nga gjuha shndërrohen në një shtresë të vdekur, prej së cilës nuk zbulon dot të fshehtat. Njeriu zbulohet nëpërmjet stilit të tij, dhe në atë gjuhë, të cilën e ka krijuar për veten e vet. Për atë që është i pastër në shpirt (dhe për këtë jam i bindur), gjithçka në botë e zotëron me një qartësi të tejdukshme, madje edhe sikur të nënkuptosh vetë shkrimet ezoterike. Te një njeri i tillë e fshehta i dallohet hapur dhe në të nuk ka asgjë mistike; ajo është e natyrshme, proporcionale, zotëron logjikën dhe është e pranueshme nga përbërja e vet. Kuptimi nuk përmblidhet në synimin për të zbuluar të fshehtën, por për ta pranuar atë, për t’iu gëzuar jetës dhe për të jetuar me të, duke e shijuar atë dhe duke jetuar falë asaj.
Unë do të kisha dashur që fjalët e mia të lëviznin lirisht, siç lëviz, pa marrë parasysh drejtimin, vetë bota, në rrugëtimin e vet gjithë dredha, duke kaluar gjerësi e gjatësi gjeografike plotësisht të paparashikuara. Duke u gjendur paraprakisht në kushte dhe breza klimatikë, duke u ndeshur me matjet që askush nuk i llogarit. E kam pranuar me kohë paaftësinë time për ta realizuar këtë ideal. Por mua kjo gjë nuk më brengos. Në njëfarë kuptimi më të lartë, vetë bota është e infektuar nga dështimet; ajo paraqet në vetvete shembullin më të mirë të mungesës së përsosmërisë, ajo është vetëdija e dështimit. Kur e kupton këtë gjë, dështimi nuk ndihet më. Krijuesi, me fjalë të tjera, piktori, ngjason me fillimin e botës, me idenë Absolute, të përjetshme, të Vetme dhe një të tërë, e që e shpreh veten me mungesën e përsosmërisë së saj. Ajo është esenca e jetës, dëshmi e pavdekshmërisë së saj, që i afrohet të vërtetës përfundimtare, ku, sipas mendimit tim, përmblidhet qëllimi më i lartë i shkrimtarit, është e mundur vetëm në atë shkallë sa është në gjendje të refuzojë luftën dhe sa është në gjendje të mposhtë vullnetin e vet. Një shkrimtar i madh është personifikim i jetës, domethënë i mungesës së përsosmërisë. Ai e kryen punën e vet pa mundim, duke krijuar përshtypjen se vepra e tij është e paqortueshme dhe se rruga e çon atë nga një qendër e panjohur që ndodhet, tashmë kuptohet, jo midis rrudhave të trurit, por që pa dyshim konsiderohet qendër. Ajo kap ritmin e gjithë gjithësisë, prandaj shfaqet kaq e besueshme, e papërdorur, e paasgjësueshme, po aq e fortë, e pavarur, anarkike, po aq pa synim, si edhe vetë gjithësia. Arti nuk të mëson gjë tjetër përveç konceptimit se sa e rëndësishme është jeta. Një vepër e madhe pashmangësisht nga ana e vet kuptimore duhet të jetë e turbull për të gjithë, përveç një grushti të tillë, që, ashtu si krijuesi i saj, i është bashkëngjitur të fshehtës. Informacioni që ajo përmban, nga rëndësia e vet, është i dorës së dytë, kurse kryesorja është aftësia e përjetësimit të tij. Prandaj është më se e mjaftueshme që për të të gjendet të paktën një lexues i vetëm që ta kuptojë.
Për mua kanë thënë se jam revolucionar, por nëse është kështu kjo ka ndodhur jashtë vullnetit tim. Unë nuk ngrihem kundër botës ekzistuese. Veten time mund ta karakterizoja me fjalët e Blez Sandrarit: “Unë revolucionarizoj”. Por kjo nuk është e njëjta gjë me qenien revolucionar. Unë do të mund të jetoja edhe në anën tjetër të murit, që ndan pozitiven me negativen. Në përgjithësi më duket se jam ngritur mbi ndarje të tilla dhe po krijoj njëfarë harmonie të këtyre dy fillimeve, të shprehur në mënyrë plastike, por jo në kategoritë e etikës, të asaj që shkruaj. Mendoj se është e domosdoshme që të qëndrosh jashtë sferës së artit dhe jashtë ndikimit të tij. Arti është vetëm një nga mënyrat e jetës, kurse jeta është më bujare se ai. Dhe në vetvete arti nuk është jetë që e tejkalon jetën e zakonshme. Ai vetëm sa tregon rrugën, por këtë gjë shpeshherë nuk e kuptojnë jo vetëm spektatorët, por as vetë piktori. Duke u bërë qëllim, ai e tradhton vetveten. Kurse piktorët më shpesh e tradhtojnë jetën me përpjekjet e tyre për të dalë mbi të. Ata e copëtojnë atë, që duhet të jetë një e tërë, si një vezë. Unë jam plotësisht i bindur se dikur i gjithë arti do të zhduket. Por piktori do të mbetet dhe jeta nuk do të jetë “fushë e artit”, por vetë arti, pasi të ketë zëvendësuar vendosmërisht një herë e përgjithmonë me vetveten, atë që i përket artit. Duke folur për thelbin, natyrisht që ne akoma nuk kemi filluar të jetojmë. Tashmë nuk jemi më kafshë, por, pa dyshim, akoma nuk jemi bërë njerëz. Që nga koha kur ka lindur arti, këtë gjë na e ka pohuar çdo piktor i madh, fare pak ishin ata që e kuptonin atë. Sapo arti fiton njohje të vërtetë, ai zhduket. Ai është vetëm një zëvendësim, një gjuhë simbolesh, nëpërmjet të cilit rikrijohet ajo që ne nuk jemi në gjendje ta shprehim drejtpërsëdrejti.
Por që të kryhet kjo, duhet që njeriu të bëhet me të vërtetë fetar: jo besimtar i një sekti, por në të vërtetë një bartës i fesë, i Zotit të vërtetë, pa asnjë lloj metafore. Dhe, në fund të fundit, ai do të bëhet pashmangësisht i tillë. Por nga të gjitha shtigjet, të cilat e nxjerrin në rrugën kryesore, arti është më i rëndësishëm, i hapur në drejtimin më të besueshëm dhe më shumë se të tjerët ia shpërblen udhëtarit. Piktori, i cili me të vërtetë e ka kuptuar misionin e vet, për këtë arsye pushon së qeni piktor. Dhe të gjithë anojnë drejt faktit se duhet të arrihet ky kuptim, kjo shkëndijë që arrin të ndriçojë vetëdijën tonë, se në jetën e sotme, duke përfshirë madje dhe artin, asgjë nuk është e aftë që të lulëzojë.
Dikush është i mendimit se të gjitha këto arsyetime janë mistifikime, por unë vetëm se po parashtroj atë për të cilin tashmë jam i bindur. Kuptohet se duhet mbajtur mend domosdoshmërish, se është e pashmangshme mospërshtatja midis gjendjes së vërtetë të gjërave dhe faktit se si e ndiejmë atë, madje gjendjen tonë personale. Megjithatë duhet sjellë në mendje edhe mospërshtatja e hapur midis gjendjes së vërtetë të gjërave dhe të asaj se si e paraqet vetveten dikush tjetër. Por midis atyre subjektive dhe objektive nuk ekzistojnë dallime esenciale jetësore. Gjithçka është iluzion dhe më shumë apo më pak jetëshkurtër. Të gjitha dukuritë, duke përfshirë njeriun me mendimet e tij për veten e vet, nuk janë më shumë se një grumbullim shenjash, i ndryshueshëm dhe i paqëndrueshëm. Fate të qëndrueshme te të cilat mund të mbahesh nuk ka. Prandaj edhe në libër, qoftë edhe sikur të synoja me vetëdije drejt prishjes dhe deformimit, nuk është aspak i detyrueshëm rezultati përfundimtar, që rezulton larg së vërtetës, sesa po të ishte në rastin e kundërt. Mund të jetë plotësisht i vërtetë dhe i sinqertë, e në këtë rast pa e fshehur të vërtetën se po gënjen plotësisht. Fiksimi, trillimi janë të ndërthurur me vetë përmbajtjen e jetës. Të vërtetën nuk e lëkund asnjë lloj tronditjeje e fortë shpirtërore.
Për këtë arsye, çfarëdo efekti që të arrija unë me ndihmën e kësaj apo asaj metode profesionale, ato në asnjë rast nuk janë thjesht mënyra të shkathëta, por transmetojnë saktësisht luhatjet e sejsmografit tim, që fikson përvojën kaotike, të shumëllojshme, të fshehtë e të paarritshme, që mua ma ka dhuruar jeta. Ndërkohë që po shkruaj librin, këtë përvojë po e përjetoj nga fillimi, ndryshe, ndoshta akoma më shumë kaotike, më të paarritshme dhe më misterioze. E ashtuquajtur shtresë e fakteve të padiskutueshme, që konsiderohet pikënisje dhe gjithë kohën rikrijuese, më është ngulitur shumë thellë dhe sado që përpiqem, nuk mund të çlirohem prej saj, as që ta korrigjoj dhe as që ta paraqes për diçka tjetër. Por bashkë me të, megjithatë, ajo transformohet, ashtu siç transformohet pamja e jashtme e botës, çdo çast, pas çdo marrjeje apo nxjerrjeje fryme nga ana jonë. Dhe nga kjo del se që ta ngulitësh në mendje botën është e mundur vetëm duke krijuar një iluzion të dyfishtë: ti e ndalon lëvizjen dhe po ti krijon vazhdimësinë e pandërprerë të saj. Dhe ja ky, le të themi, truku i dyfishtë, të krijon përshtypjen se para nesh kemi një falsifikim, por ja që thelbi i artit qëndron në një lloj të tillë gënjeshtre, për faktin se ai krijon një maskë të lëvizshme transformuese. Ti hedh spirancën midis lumit; ti pranon të vendosësh maskën e gënjeshtarit, për të shprehur të vërtetën.
Shpesh kam menduar se duhej të shkruaja një libër, duke shpjeguar se si lindin tek unë këto apo ato faqe, madje edhe ndonjë faqe e vetme. Natyrisht që unë mund të shkruaja një libër mjaft voluminoz, në të cilin thjesht do të analizohej një faqe e përzgjedhur me sukses nga veprat e mia; në të do të shpjegohej se si e kisha menduar atë faqe, si ishte shfaqur ajo, si kishte ndryshuar, në çfarë vuajtjesh kishte lindur, sa kohë kishin kaluar, para se ideja e saposhfaqur të kishte marrë trajtë dhe cilat mendime më gumëzhinin në kokë, ndërkohë që po shkruaja këtë pjesë. Çfarë ditë e javës kishte qenë atëherë, si e ndieja veten, si i kisha punët me nervat, si më kishin ndërprerë, apo vetë e kisha ndërprerë punën; cilat formulime të ndryshme leksikore vërtiteshin poshtë penës, si shkruaja shpejt e shpejt dhe i ndreqja gabimet, në çfarë pike isha ndalur, që nga kisha nisur riformulimin, duke ndryshuar madje dhe impulsin fillestar dhe më pas, duke i bërë qepjen e fundit, tamam si kirurgët, që përpiqen të fshehin se operacioni kishte dalë pa sukses e duke konkluduar për veten se patjetër do t’i kthehem kësaj faqeje, që nuk e bëra asnjëherë, por, dhe nëse do ta kisha bërë, do t’i isha kthyer vetëm impulsit, i cili tërësisht ishte fshirë nga kujtesa, por që papritur përsëri del në sipërfaqe, ndonëse kisha arritur të shkruaja disa libra të tjerë. Ndoshta mund të kisha folur për disa faqe, duke i krahasuar njërën me tjetrën dhe të zgjidheshin ato, të cilat për një kritik gjakftohtë të konsideroheshin mishërim i këtij apo atij. Por unë do t’i kisha hutuar këta kritikë analitikë; do t’u kisha treguar se faqja, gjoja e shkruar pa asnjë lloj imponimi, në fakt ishte shkruar nën një tensionim të pakufishëm, atëherë kur faqja tjetër, enigmatike, tamam si një labirinth dhe që lexohej me vështirësi, kishte shpërthyer tamam siç del nga toka një gejzer; atë e shkrova tamam sikur po më guduliste në shpinë një fllad kalimtar. Ose do të kisha shkruar se këtë faqe e kisha menduar akoma pa u ngritur nga shtrati, që e kisha ripunuar, duke u veshur, dhe më pas e kisha rishikuar përsëri, pasi isha ulur në tavolinë. Apo do t’i rishkruaja nga blloku im i shënimeve, që të gjithë të shihnin se si fjalët e ngrohta, të gjalla dhe njerëzore lindin nga vetë stimujt artificialë, të huaj për ta. Do të kisha riprodhuar fragmente frazash që do të më dilnin para sysh, kur do të shfletoja ndonjë libër dhe do të shkruaja se këto fragmente kishin nxitur tek unë përfytyrimin. Mirëpo kush do të shpjegonte hapur se në ç’mënyrë ndodh kjo, si kryhet kjo punë? Çfarëdo që të thonë kritikët për veprën, madje më të mirët, më të mençurit, që janë të aftë të bindin dhe që kanë prirje dashamirëse ndaj autorit, gjë që pothuajse nuk ndodh, sidoqoftë arsyetimet e tyre do të ishin thjesht jetëshkurtra, nëse do të njihej mekanizmi i vërtetë, procesi i vërtetë i lindjes së artit. Atë që unë kam shkruar vetë, kuptohet, e mbaj mend, jo fjalë për fjalë, por mjaft qartë dhe me vërtetësi. Kështu pra, librat e mi, të cilët u ngjasojnë disi fushave, që i kam shkelur me kujdes, si një topograf dhe jo nga kabineti, i armatosur me penë dhe grafika, por fizikisht, duke u zvarritur me këmbë, duar e me bark, duke prekur centimetër për centimetër dhe kështu për javë të tëra, sido që të ishte koha. E thënë shkurt, kjo punë për mua edhe sot është po kaq e zakonshme, siç ka qenë edhe në fillim fare dhe, ndoshta, më se e zakonshme. Finalizimin e librit unë gjithmonë e kam konceptuar veçanërisht në aspektin fizik: duhej ndryshuar poza. Libri mund të mbyllej me një mijë zgjidhje të tjera. Në të asnjë pjesë nuk quhej e përfunduar me të vërtetë; unë mund ta riktheja shtjellimin nga çdo pozicion; mund ta vazhdoja atë, duke hapur kanale dhe tunele të rinj, duke ndërtuar shtëpi të reja, fabrika, ura; duke populluar hapësirën me banorë të rinj, pasi të kisha transformuar faunën dhe florën. Përveç kësaj, e gjithë kjo, jo më pak se më parë, do t’u përgjigjej fakteve, të cilat unë i kisha prekur në vepër. Tek unë nuk gjen as zgjidhje dhe as finalizim. Jeta fillon në çdo moment, kur ndodh akti i të kuptuarit; po ashtu edhe libri. Mirëpo çdo fillim, qoftë libër, faqe, paragraf, frazë apo fjali, zëvendëson në vetvete lidhjen e re jetësore të ndërthurur dhe ja, në këtë gjallëri, vazhdimësi, jashtëkohësi dhe pandryshueshmëri mendimesh dhe ngjarjesh, unë çdo herë zhytem nga fillimi. Çdo fjalë, çdo rresht janë të lidhur organikisht me ekzistencën time, vetëm timen, qoftë ai ndonjë veprim, rast, fakt, ndonjë mendim apo emocion, ndonjë dëshirë, arratisje, lodhje, ëndërr, fantazi, mrekulli, në përgjithësi është diçka e papërfunduar dhe e pakuptimtë, që më ka mbetur në tru dhe që e ka mbështjellë atë si një lloj pëlhure merimange që shqyhet. Ndonëse në përgjithësi nuk ka asgjë të paqartë, të turbullt, madje, ajo “diçka” është e skicuar me rreptësi, është e pandarë, e përcaktuar dhe e qëndrueshme. Edhe vetë unë njëlloj si merimanga end dhe end, si besnik i misionit tim dhe i ndërgjegjësuar se kjo pëlhurë është endur me lëndë, nga e cila jam i përbërë edhe vetë, prandaj asnjëherë nuk do të më ngrejë kurthe dhe asnjëherë nuk do të shterojë.
Në fillim ëndërroja për një rivalitet me Dostojevskin; shpresoja se do të zbuloja para botës luftën e papërmbajtur shpirtërore e enigmatike dhe se bota do të vdiste e rrënuar. Por shumë shpejt e kuptova se tashmë e kishim kapërcyer cakun e ngulitur nga Dostojevski, e kishim kapërcyer në kuptimin se degjenerimi na kishte çuar më larg. Për ne ishte zhdukur vetë kuptimi i shpirtit, më saktë, ai tashmë ishte në një gjendje kimikisht të transformuar dhe në një pamje çuditërisht të shfytyruar. Ne njohim vetëm elementet kristalore të një shpirti të shpërbërë e të rrënuar. Piktorët bashkëkohorë, me sa duket, këtë gjendje e shprehin, madje, më hapur sesa shkrimtarët. Pikaso është një shembull i mrekullueshëm, i cili vërteton atë që përmenda. Prej këndej, vetë mendimi për të shkruar romane rezultoi i pamundur dhe po aq i parealizueshëm fakti për të marrë pjesë në lëvizje të ndryshme letrare në Angli, Francë dhe Amerikë, sepse të gjitha ato të çonin në udhëkryq. Me ndershmërinë më të madhe e pranoj se, duke vëzhguar rrënimin dhe shpërbërjen e elementeve të jetës (e kam fjalën për jetën shpirtërore dhe jo për jetën kulturore), e ndjeva veten të detyruar që t’i bashkoja ata sipas vizatimit tim, duke shfrytëzuar “unin” tim të shpërbërë e të rrënuar me po atë mizori, me atë mënyrë të pakuptueshme, me të cilën isha i gatshëm të shfrytëzoja të gjitha mbeturinat e dukurive të botës që na rrethon.
Nuk kam provuar asnjëherë as armiqësi dhe as ndrojtje në lidhje me anarkinë, të mishëruar në format mbizotëruese artistike, përkundrazi, gjithmonë i gëzohesha zhdukjes së formave të mëparshme. Në epokën të evidentuar si të degraduar, zhdukja më dukej si bamirësi, për më tepër si një imperativ moralizues. Unë jo vetëm që nuk kam pasur asnjëherë as dëshirën më të vogël që diçka ta konservoja, ta gjallëroja artificialisht ose ta ruaja, duke e rrethuar me mure, por më shumë do të thosha se që në rini isha i mendimit se shpërbërja është një manifestim i tillë i çuditshëm dhe joshës nga ana krijuese, i jetës, ashtu si edhe lulëzimi i tij.
Siç duket, pranova faktin se mua më tërhiqte krijimtaria letrare, përderisa ajo ishte e vetmja gjë që më kishte mbetur e qartë dhe që meritonte t’i përkushtoja forcat. Unë ndershmërisht i kisha provuar të gjitha rrugët e tjera drejt lirisë. Në të ashtuquajturën botë reale, isha një i pafat me dëshirën time dhe jo për shkak të paaftësisë për t’u përshtatur. Krijimtaria letrare për mua nuk ishte “arratisje”, e thënë ndryshe, një mjet për t’u veçuar nga realiteti i përditshëm; përkundrazi, ajo do të thoshte se po futesha akoma më thellë në këtë pellg të ndotur, me shpresë për të arritur deri te burimet, që vazhdimisht e përtërinin me ujin që llokoçiste në to, që nuk shteronin e që përjetësisht gurgullonin. Duke i hedhur një vështrim prapa rrugës sime, unë e dalloj veten si një njeri të aftë për t’u marrë pothuajse me çdo lloj pune, me çdo problem. Drejt dëshpërimit më kishin çuar monotonia dhe steriliteti i gjithë mënyrës sipërfaqësore të jetesës. Mua më duhej një mbretëri e tillë, ku në të njëjtën kohë do të isha edhe zotëri, edhe skllav, dhe i tillë mund të bëhej vetëm arti. Dhe unë hyra në këtë botë, duke mos zotëruar asnjë lloj talenti të dukshëm, duke mos pasur njohuri, duke mos vlejtur për asgjë, si një fillestar i ngathët, i cili pothuajse ishte ngurosur nga frika dhe nga mendimi i madhështisë së asaj me të cilën ai do të merrej. M’u desh të vendosja tullë pas tulle, të harxhoja miliona fjalë, derisa në letër të shfaqej ajo fjalë e vërtetë, e autentike, të cilën e kisha nxjerrë nga thesari im i brendshëm. Unë isha i aftë të flisja shtruar dhe kjo gjë më pengonte, por kisha gjithë difektet e njeriut të arsimuar. Më duhej që në vazhdim të mësoja për të menduar, për të ndjerë, për të parë plotësisht sipas mënyrës së re, duke harruar arsimin tim, botën time dhe gjë më të vështirë se kjo mënyrë nuk ka mbi dhe. Duhej të hidhesha në lumë, duke e ditur se kishte mundësi të mos dilja dot prej tij. Në shumicën e tyre piktorët hidhen në lumë, në fillim duke u pajisur me komardaren e shpëtimit, e cila më shpesh i fundos ata. Askush nuk mundet të udhëtojë nëpër oqeanin e realitetit nëse veçohet nga përvoja. Nëse në jetë diçka ndryshon për së mbari, kjo arrihet jo në saje të përshtatjes, por falë sfidës dhe aftësisë për t’iu përgjigjur një nxitjeje të verbër. “Guximi fisnik nuk është fatal”, – ka thënë Rene Krevel dhe këtë sentencë unë e mbajta mend përgjithmonë.
E gjithë logjika mbi të cilën mbahet gjithësia është e paracaktuar nga guximi fisnik e nga krijimtaria, e bazuar në mbështetjen më të pasigurt e më të paqëndrueshme. Në fillim një guxim i tillë identifikohet me aktin e vullnetshëm, por koha kalon, vullneti dobësohet dhe mbetet procesi automatik, i cili nga ana e vet gjithashtu duhet ta ndërpresë, ta ndalojë, që të vërtetohet besueshmëria e re, që nuk ka asgjë të përbashkët me diturinë, me aftësinë, zakonin apo besimin. Guximi fisnik të krijon ndjesinë të përfshihesh në këtë Iks plotësisht enigmatik, pozicion i piktorit, i cili është i vetmi që të mbron në botë dhe askush nuk mund ta shprehë me fjalë se ai është i tillë e megjithatë ai ekziston dhe shihet në çdo fjalë të shkruara prej teje./Exlibris / KultPlus.com