25 Tetor, 2018 - 10:08 pm
Mehmet Kraja po vazhdon me reagimet e tij ndaj njerëzve të cilët po flasin e komentojnë rreth Fjalorit Enciklopedik.
Reagimi i radhës i adresohet Blerim Latifit.
Rreth shkrimit të Blerim Latifit “Kotësia e kushtueshme”, i cili merr në shqyrtim Fjalorin Enciklopedik të Kosovës.
Në portalin “Gazetaexpress”, në versionin e smartphonit, mbi kokën e shkrimit tim “Disa shpjegime rreth Fjalorit Enciklopedik të Kosovës” ditë me radhë qëndroi një shkrim i Blerim Latifit me titull “Kotësia e kushtueshme”. Një kohë nuk e lexova shkrimin, sepse, duke e lidhur titullin me një asociacion të mjegullt, nuk më nxiti për të ndriçuar mendjen me një sakrificë leximi çfarëdo që të jetë ajo. Me pas më sugjeruan se shkrimi kishte të bënte me Fjalorin Enciklopedik të Kosovës dhe them se leximi ia vlejti për dy arsye kryesore: e para, sepse shkrimi nuk niste me sharje, dhe e dyta, sepse shkrimi i Blerim Latifit, ndryshe nga shkrimi im, ishte relativisht i shkurtër. Vetëm se, pikërisht vetëm se, shkrimi i shkon fort atmosferës diabolike që është krijuar te ne.
Ta marrim radhazi:
1. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, thotë autori në shkrimin e tij, është shfaqur si institucion anakronik, sepse në dhjetë kile libër ka botuar një fjalor, i cili në kohën e digjitalizimit nuk i shërben askujt si i tillë. Nga shkrimi nuk del shumë e qartë nëse kjo përmbajtje e Fjalorit, po të përhapej në formë digjitale, a do t’ia vlente ose jo. Tani unë pyes, pse para dy vitesh, më 2016, ky autor botoi në “institucionin anakronik” të Akademisë librin me titull “Metafizika e emancipimit”, e botoi si libër në 307 faqe, më sa di libri i parë i tij, temë e disertacionit e mbrojtur në Tiranë. Librin e kam lexuar dhe mund të diskutoj për përmbajtjen e tij, por e them me bindje të plotë se ai nuk do të humbte gjë edhe nëse publikohej në formë digjitale, aq më parë, kur në shtëpi tashmë të shumtë janë ata që kanë “kindle books” dhe aparatura të ngjashme. Në të vërtetë, unë jam shprehur kundër botimit të këtij libri, jo për shkak “kotësisë së kushtueshme”, as kileve të tij, por për shkak se, po atë vit në Akademi u botuan edhe dy libra të tjerë të parë edhe të dy autorëve, gjë që nuk kishte ndodhur më parë në këtë institucion. Pyetja është e thjeshtë: Pse B. Latifi e solli në Akademi për botim këtë libër, kur po atë mund ta shpërndante me një CD ose përmes formave të tjera, që ai i di fare mirë? (Lidhur me digjitalizimin e librave dua të them edhe një gjë: Autori pa ndonjë arsye merr në thua pikërisht te Fjalori Enciklopedik i Kosovës dhe nuk i kthen sytë të shohë çfarë ndodhë në Universitet, ku ai punon prej vitesh. Kolegët e tij i botojnë si libra tekstet e përkthyera ose origjinale, i kushtëzojnë studentët që t’i blejnë ato, shpesh i fotokopjojnë vetë, sepse iu kushton më lirë, dhe ua shesin studentëve nga 20 euro. Pse, tekstet e tyre “disa gramësh” nuk po i baka interneti dhe si është e mundur që B. Latifi nuk e paska vërejtur këtë gjë!?)
2. Duke na nxjerrë si anakronikë dhe jashtë kohës, autori i shkrimit na e qan hallin pse jemi munduar aq shumë me punë biografish, kur ato mund të sigurohen në rrugë të tjera, duke na e sugjeruar se cilat mund të jenë ato rrugë. Është në natyrën e çdo fjalori të këtillë që të ketë më shumë biografi, por në Fjalorin e Kosovës ka mjaftueshëm edhe gjeografi, histori, ekonomi, art, kulturë, arsim, pastaj institucione të shtetit dhe të qeverisjes, veprimtari shoqërore etj. Ka të ngjarë që autori, njësoj si shumica e atyre që kanë marrë mundim të flasin për Fjalorin, mund të mos ketë parë gjë tjetër, përveç kopertinave të librit, zërit për veten e tij dhe dy-tre zërave të tjerë, sa për krahasim. Kjo është krejt e natyrshme, sepse fjalorët kështu lexohen. Por puna e biografive te ne del pak më e ngatërruar. Shumica e biografive që janë në qarkullim, janë autobiografi dhe ato janë të mbushura përplot vetëmburrje dhe gënjeshtra, madje edhe në botën akademike. Sekush shkruan në ato biografi se ka të botuar punime shkencore anë e kënd botës, por del se punimet shkencore janë botuar në revista të paqena; dikush tjetër shkruan se ka përkthyer dhjetë libra, më pas del se ato janë dhjetë broshura të ndonjë organizate ndërkombëtare; një i tretë shkruan se e ka botuar librin në ndonjë gjuhë të huaj, por më pas bëhet e ditur se libri është botuar në Prishtinë, ose në ndonjë rast tjetër nuk ka fare vend botimi; një i katërt dispensën e bën tekst universitar, ndërsa tekstin universitar e bën monografi shkencore, teksa një i pestë arrin të bëjë marifete të tilla në internet, sa një libër të paqenë e bën të duket real (duke cituar titullin që vetëm ai e ka përdorur si referencë) etj. T’i pastrosh këto biografi nga gënjeshtrat e teprimet dhe të krijosh një standard shkrimi është kulturë dhe përvojë, e cila ka edhe vlerë afatgjate.
3. Nuk është një gjë që B. Latifi nuk e di, se Fjalori Enciklopedik i Kosovës tashmë ekziston në versionin digjital, vetëm se duhet një vendim i institucionit për të bërë shpërndarjen e tij. Problemi nuk është këtu, por te sindromi i bretkosës që matet më kaun, ndërsa ia mbush mendjen vetes se duke gjetur në internet një “memorie historike” të “Encyclopedia Britannica” ka arritur ta zërë hapin e saj. “Encyclopedia Britannica” ka standardizuar dijen botërore, ka arkivuar kujtesën e përbotshme dhe tani, edhe nëse “shkon në pension”, ka lënë prapa dy trashëgimi të vlefshme: korpusin e të dhënave dhe standardin e shkrimit enciklopedik. Çdo krahasim i të pakrahasueshmeve është vetëm pozë që të shkakton nënqeshje.
4. Në krye të tekstit B. Latifi ka vënë një titull cinik dhe djallëzor, “Kotësi e kushtueshme”, duke dashur të vendos mbi çdo vlerë të Fjalorit koston e tij, aq më parë kur dihet se autori vjen nga një institucion (është këshilltar i kryetarit të Parlamentit), ku u bëka kujdes i madh për çdo kacidhe të buxhetit të shtetit. Në këtë pikë, ndonëse përpiqet të tregojë fleksibilitet, duket se autori ka rënën nën influencën e fuqishme të asaj OJQ-së që synon integrimin e Kosovës në Serbi (dy çunat e asaj OJQ-je nuk kanë bërë gjë tjetër në jetën e tyre, përveç se, si dy pëllumba, kanë kërcyer nga dega në degë, duke kënduar “Mirë dita-Dobar dan!”) dhe që së fundi bëri raport për Akademinë dhe i vuri në lojë të gjitha mediet, përfshirë edhe një komision parlamentar. Ata ishin të parët që thanë në TV: Nuk e kemi parë Fjalorin, por ai nuk vlen! Për analogji, B. Latifi nuk e di sa ka kushtuar Fjalori, por sado që të ketë kushtuar, e di që kostoja e tij nuk ia vlen. Kështu flasin gjithnjë pushtetarët për punën intelektuale, të prirë nga ideja se kacidhen këtu duhet bërë okë. Por mua më duhet të sjell në vëmendje, se njëri nga anëtarët e redaksive të fushave të Fjalorit, i cili ishte i përfshirë në punët e financave dhe të buxhetit, në një takim pune na pat thënë: kaq para sa merr Fjalori suksesivisht nga buxheti i Akademisë, për institucionet e tjera vit pas viti ndahen për ujë dhe kafe. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: Fjalori Enciklopedik i Kosovës ka kushtuar më pak se Enciklopedia e Maqedonase, më pak se Enciklopedia Malazeze dhe më pak se Fjalori Enciklopedik Shqiptar.
Dhe, në fund fare, më duhet të them se për këtë Fjalor nuk çojnë peshë diskutimet e hamendësuara dhe kontestimet e pambështetura, kundrejt pasurisë reale të të dhënave të vendosura në një tërësi kohezive (pavarësisht nëse ato paraqiten në formën e kopjes fizike apo digjitale) dhe që shërbejnë për të ndërtuar mbamendjen kolektive, në një kohë të ndërrimit të gjeneratave, të ndryshimeve në sistemin e vlerave dhe të përmbysjeve të mëdha shoqërore e historike. Lënda e gjeneruar nga kjo vepër, e sistemuar dhe metodike, përbën një bazë solide të të dhënave, të cilat mund të transferohen pa vështirësi në mediume të tjera të komunikimit, përfshirë edhe ato digjitale
(“Lehtësia e padurueshme e qenies” është titull i Kunderës, por këtu, i pandryshuar, nuk ia vlejti tamam, madje as si plagjiat)