25 Shtator, 2017 - 6:51 pm
Ekspozita kushtuar memuaristikës shqipe, si një rrugëtim i vetëdijes së dëshmimit historik e personal në kulturën shqiptare, kulmon me veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”, shkruan KultPlus.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në vijim të aktiviteteve me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të një nga figurave më të shquara të kulturës shqiptare, At Zef Pllumi, hapi të hënën, ekspozitën “In memoriam – At Zef Pllumi”, me pjesëmarrjen e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro-Furxhi, akademikë, shkrimtarë, përkthyes, studiues, nxënës të shkollës 9-vjeçare “At Zef Pllumi” në Tiranë, etj…, shkruan KultPlus.
Ekspozita kushtuar memuaristikës shqipe, si një rrugëtim i vetëdijes së dëshmimit historik e personal në kulturën shqiptare, kulmon me veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”. Kjo ekspozitë është gjithashtu pjesë e veprimtarive kulturore në vijim të “Viti i kujtesës”, shpallur në muajin janar në BKSH. Aktiviteti vijoi me Forumin “Át Zef Pllumi – dëshmi”, me pjesëmarrjen e Odile Daniel, Sabri Hamiti, Ardian Marashi, Keda Kaceli, Mark Marku, Enriketa Pandelejmoni, Agron Tufa, Pashk Përvathi, Persida Asllani, etj., të cilët ndanë me të pranishmit dëshmi dhe kujtime personale të takimeve me At Zef Pllumin. Gjatë këtij forumi, At Viktor Demaj prezantoi botimin e veprës së plotë të At Zef Pllumit, nga “Botimet françeskane”. Ndër vëllimet e veprës botohen për herë të parë disa shkrime të panjohura të tij./KultPlus.com