21 Qershor, 2022 - 10:45 pm
“Mendimi im, jam unë: ja përse nuk mund ta ndal veten. Ekzistoj, sepse mendoj… Dhe nuk mund ta pengoj veten të mendoj. Por në këtë çast – gjë e tmerrshme – nëqoftëse ekzistoj, ekzistoj, sepse lemerisem të ekzistoj. Është vetja ime, është vetja ime, e cila më tërheq nga hiçi, të cilin e aspiroj: urrejtja; neveria se ekzistoj janë më tepër mënyra që më bëjnë të ekzistoj, që më fundosin në ekzistencë. Mendimet lindin pas meje si ndonjë marramendje, unë i ndjej tek lindin pas kokës sime… Dhe, nëse unë i lejoj, ato do të vijnë përpara, midis syve të mi. Dhe unë i lejoj përherë, mendimet trashen, trashen dhe ja ku janë të stërzmadhuara, ato më mbushin të tërin dhe e përtërijnë ekzistencën time.”
“A kupton më ai se çfarë lexon në libra? Sepse ai është kaq larg prej librave, tani. A mund të bëjë më dashuri? Por ai ka bërë dashuri përpara. Të keshë bërë dashuri është shumë më mirë se të bësh ende: me këtë largim njeriu gjykon, krahason dhe mediton. E që të mund ta durojë nëpër pasqyra pamjen e kësaj fytyre të tmerrshme si kufomë, ai e detyron veten të besojë se mësimet e përvojës janë gdhendur në të.”
“Jeni i gëzuar, zotëri”, më thotë matur Autodidakti.
“Sepse po mendoj, i them duke qeshur, që të gjithë sa jemi, po hamë dhe po pimë për të ruajtur ekzistencën tonë të çmueshme, ndërkohë që nuk ka asnjë arsye dhe asgjë, asgjë për të ekzistuar.”
Jean Paul Sartre – Neveria / KultPlus.com