1 Prill, 2020 - 6:00 pm
Niçe: Unë e quaj shtet ku të gjithë dehen me helmin, e të mirave dhe të këqijave: shtet, ku askush nuk di për veten e vet, as të mirët e as të këqijtë: shtet, ku vetëvrasja e ngadalshme e të gjithëve quhet –“jetë”.
Zarathrusta: Akoma ka popull…por tek ne ekzistojnë shtetet… shtetin e quajnë përbindëshin më të ftohët nga të gjithë përbindëshit. Dhe ai ftohët gënjen, e kjo gënjeshtër ëmbëlsisht del nga goja e tij: “Si shtet, unë e përfaqësoj popullin!” Kjo është gënjeshtër! Krijues janë ata të cilët popujt i kanë krijuar, populli i ka besuar dhe i ka dashtë; ata i kanë shërbyer atyre me jetë. Shkatërrimtar janë ata të cilët vejnë kurthe për aq shumë njerëz, dhe kështu i quajnë shtet…E shtet është gënjeshtar, pavarësisht se me cilën gjuhë të mirës apo të keqes flet. Posa ta hapë gojën, ai rren. I ka vjedhë krejt çka ka… Ku përfundon shteti, aty ngritet njeriu, që nuk është i tepërt…E atje, ku përfundon shteti, ju lutem vëllëzër, shikoni, a nuk po e shihni ylberin dhe urën e mbinjeriut.
Tolstoj: “Shteti është shoqatë individësh për ruajtjen e pasurisë së tyre nga ata të cilëve më së shumti iu duhet”.
Santajana: Gjithçka artificiale e ka rrënjët e veta natyrale dhe krejt çka është natyrale zhvillohet artificialisht. Shprehja është natyrale, gjuha është artificiale; feja është natyrale, kisha është artificiale; shoqëria është natyrale, shteti është artificial. Deri tek nënshtrimi ndaj ligjit, sikur edhe ndaj gjuhës dhe teologjisë, kanë çuar, para se gjithash, trashëgimia shoqërore dhe mësimet individuale, se sa ndonjë shtytje e lindur. Për këtë arsye në njeriu është prezent konflikti i përhershëm në mes policit dhe asaj që zemra ia donë.
Gete: Shteti është i krijuar për njeriun, e jo njeriu për shtetin.
Xheferson: “Qeveria më e mirë është ajo qeveri e cila më së paku qeverisë”
Sokrati i flet Aristotelit: “Nëse do ta konsideroni, deri sa të jetoni me njerëz, se ma mirë është të mos qeverisni, e as të jeni nën qeverisjen e dikujt, mendoj se së shpejti do ta shihni se i forti di sesi të dobëtit t’i shndërrojë në robër.”
Aristokseni: “S’ka asgjë më të keqe se sa anarkia; sepse njeriu sipas natyrës nuk është i atillë që të mbahet vetë e që dikush me të mos të udhëheqë. Për ata që udhëheqin dhe për ata me të cilët udhëheqjet, Aristokseini kështu mendon” ata që udhëheqin duhet të jenë jo vetëm profesionalisht të arsimuar por edhe me njeriun duhet të jem mik, e ata me të cilët udhëheqet duhet të jenë jo vetëm të dëgjueshëm por edhe besnik ndaj udhëheqësve”.
Konfucie: Ata që janë pushtet kurrë nuk guxojnë të jenë të pabrengosur; njëherë kur gabojnë, e gjithë bota i mohon. Për këtë arsye (sundimtari apo pushtetari) së pari duhet ta mbikëqyrë karakterin e vet. Nëse ka karakter, do ta ketë popullin pas vetes; nëse e ka popullin pas, do ta ketë pushtetin mbi vendin; nëse e ka pushtetin mbi vendin, atëherë do të ketë pasuri; nëse ka pasuri, mund të bëj që shumë gjëra të mira të bëhen. Në këtë mënyrë karakteri është themel, derisa pasuri është pasojë. Nëse pushtetari i anashkalon themelet dhe vetëm synon kah suksesest e jashtme, do ta çojë popullin në plaçkitje të ndërsjellë. Për këtë arsye, kur pushtetari grumbullon pasuri personale, e humbë popullin e vet, e kur e humbë pasurinë personale, atëherë e ka popullin pas. Për këtë arsye, nëse njeriu në fjalimin e tij është dinak dhe gënjeshtar, do të fitojë përgjigje dinake dhe të rreme, nëse deri tek pasuria ka ardhur rrugëve të këqija, rrugëve të këqija edhe do të tretet.
Konfucie: A mund ta paramendosh mediokrin si ministër? Para se të vijë në atë pozitë, ai është plotë me brenga për të arritur aty, e pasi e merr, është plotë me brenga për të mos e humbur, e nëse fillon të brengoset për të mos e humbur, atëherë nuk ka asgjë që ai nuk do të jetë në gjendje të bëj për ta ruajtur atë pozitë.
Mariq: “Të gjitha dashuritë, me kalimin e kohës veniten; vetëm dashuria për pushtet, me kalimin e kohës, sa vjen e shtohet.”
Sokrati: Në akuzën time Melet e ka shkruar me cinizëm se mua po më paraqitet diçka e hyjnishme dhe djallëzore. Ky është njëfarë zëri që po më përcjellë që nga rinia e hershme; dhe kur lajmërohet, gjithmonë më paralajmëron të mos bëj atë që planifikoj ta bëj, por kurrë nuk më detyron. Kjo është ajo që më ndalon të mos merrem me punët shtetërore. Dhe po më duket se ky është fat i vërtetë që po më parandalon. Kjo, më besoni, qytetar të athinës, po t’iu kisha qasur heret punëve shtetërore, unë moti do isha vrar, kështu as ju e as vetja ime nuk do të kishte pasur dobi nga unë. Dhe në mua mos u zemëroni që po ua flas të vërtetën; sepse nuk ka njeri i cili do ta kishte shpëtuar jetën e vet nëse iu kishte kundërvu haptazi dhe dinjiteteshëm juve apo kujdo qoftë nga tubimi popullor, dhe të përpiqet t’i ndalojë shumë padrejtësi dhe thyrje ligji që po ngjajnë në shtet, përkundrazi ai i cili me të vërtetë lufton për drejtësi, ai duhet, qoftë edhe nëse dëshiron shumë shkurtë të jetë i gjallë, të kufizohet vetën në punën e tij private, e pjesëmarrjes në jetën publike duhet t’i shmanget.
Zhan Zhak Ruso: “Demokracia e vërtetë kurrë nuk ka ekzistuar dhe kurrë s’do të ekzistojë”
Monteskje: Nëse e giciloni krenarinë e popullit, ju mundë të bëni me të çfarë të doni. Romakët e kanë sunduar popullin me Panem et circenses -(bukë dhe cirk) edhe sundimtarët tonë duhet vetëm të na sigurojnë cirkun katërvjeçar, e ne vetë do ta sigurojmë bukën dhe pagesën e tatimit.
Sakaq na mbetet të konsiderojmë atë që thotë Will Durant, sipas të cilit: Shkalla e fundit e demokracisë është pushteti i përfituesve. Kriminelët të lumtur zgjerohen nëpër qytetet tona më të mëdha, për shkak se na është garantuar mbrojtja dhe bashkëpunimi total i ligjit. Nëse janë anëtarë të cilësdo parti, apo kanë shok në të, ata mund të jenë plotësisht të sigurt se nuk do të jenë të arrestuar pas një krimi të bërë, dhe se, edhe po qe se arrestohen, nuk do të gjykohen, e nëse edhe gjykohen, nuk do ta vuajnë dënimin, por edhe nëse i burgosin, do t’ju falet, e po nëse edhe nuk do të kenë falje, dënimi do t’ju lejohet të ikin. Nëse dikush prej tyre vritet derisa e kryejnë zanatin e vet, do të jetë i varrosur me ceremoni siç i ka hije një pjesëtari të shtresës së lartë, dhe do t’i ngrihet edhe lapidari. Ky është përfundimi i demokracisë!
Napoleoni: Pushteti absolut nuk ka nevojë me rrjetë. Filozofia.al / KultPlus.com