22 Mars, 2025 - 1:41 pm
Nga Merita Mehmeti
(Recension i librit “Ama dorën” të autores Dije Demiri-Frangu)
Hyrje
Bota fëmijërore ka qenë dhe do mbetet një ndër themelet kryesore të formimit të njeriut në të gjitha trajtat, ku prek ato copëza të krijuara nga imagjinata dhe poashtu ngritet në nivelin jetësor të ballafaqimit të realitetit, që domosdo do realizojnë ëndrrat në të ardhmen. Kjo padyshim që prek hapat kryesor të formimit të personalitetit ku çdo fëmijë kalon nëpër një lojë. Lojë të njohjes, lojë të të mësuarit, të analizuarit dhe padyshim të përjetuarit emocional, ku reflekton mbi botën imagjinare të një mendjeje të lirë dhe të pafajshme që në thelb na ofrojnë momente argëtuese.
Dije Demiri-Frangu, përmes poezive të saj në librin “Ama dorën”, përveç paraqitjes së botës fëmijërore, nuk i mungon të shprehurit e botës së saj për natyrën, përjetimet e lagjes, reflektime shpirtërore dhe paraqitje të përvojave të ndryshme jetësore ku shfaq episode të ndryshme dhe ndonëse edhe qesharake që përcillen herë-herë me një ton kritik, ku na përfytyron një ambient real në versionin e saj.
Motivet në këto poezi, përplasen me njëra-tjetrën jo për të paraqitur ndonjë qëllim dinamik apo diçka që është e paarritshme, por për të paraqitur situata të cilat janë të njëtrajtshme me qëllim që të krijojë vetëbesimin tek fëmijët, rëndësinë e ndikimit të tyre në jetën tonë, dhe në thelb paraqitjen e formës edukative në mënyrë që faji mos të ndikojë negativisht tek ta, me përqendrim që raporti kryesor në formimin e tyre është me të rriturit dhe këtë e hasim qysh në hyrje të librit, ku Dija shpreh gëzimin e saj si gjyshe për nipin.
Ballafaqimet e para të fëmijës me botën dhe reflektime emocionale
Poezitë fillojnë me lumturi, vazhdojnë me argëtim dhe përmbyllen me dhimbje dhe mallëngjim për humbjen e një personi shumë të dashur, duke reflektuar ndjenja të fuqishme njëkohësisht që na krijon një univers mendimesh dhe duke konkretizuar faktin që dinamikat e jetës janë të pashmangshme.
Pjesa e parë e veprës quhet “Kur isha mbret”, ku përfshin poezitë për fëmijë, ku autorja paraqet një art mendimesh e veprimesh inspiruese e atraktive, ashtu siç duhet të jetë një botë e fëmijëve, që nga të qarit e tij të parë e deri në momentet kur ata kapin frerët e jetës. Ata kalojnë në një botë të pasuruar me personazhe kafshë e insekte si dhe aktivitete me lodra, ku lë të nënkuptojmë se nuk kemi të bëjmë me tema që imponohen veprimet por me situata të cilat edhe ne jemi mësuar në jetën e përditshme.
Kjo pjesë e parë shfaq haptazi kuptimin e ndjesisë fëmijërore nga Dija, sepse të jesh fëmijë, është sikur të jesh mbret sepse nuk adresohen gabimet e tyre, papjekuria, relacionet me botën e jashtme dhe shumë tjera ku ky fakt ngritet në diskurs real duke e larguar artin nga bota e tyre.
Poezitë e saj janë një shprehje direkte, konkrete të diçkaje që ajo sheh dhe jep mendimin e përvojave interesante me qëllim që të jenë të kapshme për lexuesit por që të fshihet edhe mesazhi në to. Poezitë janë përzierje emocionale të mendimeve, parimeve jetësore ku merr si subjekt natyrën, dashurinë familjare dhe i trajton ato me elemente të buta artistike, por që patjetër kemi edhe pjesë kritikuese të reflektimeve emocionale të saj.
Bota fëmijërore është gjithmonë e dashur dhe këtë e hasim në poezinë “Dëshira e një vogëlushi”, ku shprehet;
“Një djalosh ka një dëshirë fantastike,
Të hynte si zog/Në një anije kozmike,
Të udhëtojë natën/Të udhëtojë ditën,
Dhe në hënë/Ta dërgojë frikën”.
Këtu hasim përjetimin e ëndrrave imagjinare të një fëmije ku mund të inspirohet nga një vizatim, fotografi, që ngritë dëshirën e tij për të sfiduar veten që të mposhtë uraganin e tij të brendshëm, qoftë ndjenjë zemërimi, frike apo gëzim duke përvetësuar karakter të posaçëm që të jetë në gjendje të realizoj idetë e tij dhe ambiciet.
Mes dhimbjesh, Dija shpreh edhe periudhën e luftës në Kosovë tek poezia “Fëmijëve të vrarë në Kosovë”, me vargjet;
“Ju kaherë në qiell e bëni lojën,
Fshiheni pas diellit,
Yjet i ndiqni në vend të fluturave”.
Kemi të bëjmë me ëndrra të lëna në gjysmë, një shpërthim emocional kujtimesh për Kosovën tani të lirë që për ta u ndalë jeta sepse çdo fëmijë meriton të bëj lojën e tij, të manifestojnë lirinë shpirtërore, një jetë aktive për zhvillimin e tyre me qëllim që të krijoj një improvizim optimist.
Bota e fëmijëve njihet të jetë analizuese dhe interesante në letërsi, kështu që Dija, diti të trajtoj me mjeshtëri portretizimin e insekteve e kafshëve, ku hasim në poezinë “Merimanga është mjeshtre”, dhe shprehet;
“Kur merimanga gjyshe punon/Ta pengojë askush nuk guxon,
Di fort të pickojë/Se punën me rrjetë nuk e zë lojë”.
Portretizimi i merimangës, ndonëse si gjyshe, nënkupton mundin e bërë me vite, në kuptim figurativ, që të ndihet krenare për punën e saj të palodhur të ndërtimit të pëlhurës, specifikisht shtëpisë ku çdokush do ruante mundin e vet dhe madje edhe të sulmoj nese dikush e pengon në universin e saj, por duke e theksuar gjithmonë si punëtore e cila nuk rri kot.
Për këtë arsye, autorja shpesh del dhe kritikuese në momente të veçanta ku nuk heziton të shpalosë mendimet e saj qoftë edhe për familjen apo persona të njohur që ka kaluar në jetën e saj.
Nëse merimanga është një punëtore edhe pse insekt, atëherë Dija na paraqet faktin që çdo kund ka një Don Kishot, dembel ku portretizimi është shumë real në aspektin krahasues, ku këtë detaj e hasim në poezinë “Don Kishoti i lagjes time”, ku shprehet;
“Provojnë të bëjnë atë që s’bëhet dot,
Mendojnë se një punë e vështirë,
Kryhet lehtë e mirë”.
Kjo liri shprehëse paraqet jo një filozofi të ndërlikuar, sepse kritikat e Dijes, prekin realitete të sotme por që gjithmonë kanë qëllime edukative. Këtë e shohim më së miri tek poezia “Asnjeri nuk mbet fëmijë”, ku fatkeqësisht kjo kohë e re ka ndikuar në mënyrë të padobishme tek gjeneratat e reja, ku edukativ konsiderohet telefoni sesa një libër të cilin mund ta kapësh kurdo, prandaj shprehet me një pasthirrmë;
“O në këto rrjete sociale,
Më shumë po hamë nervozë/Sesa po pimë bozë,
Si po rriteni kështu pa diell, o medet,
Më asnjë fëmijë nuk mbet, o medet”.
Motivi i dashurisë dhe mund të themi edhe i lojës, shprehet me ide dhe fjalë ku krijojnë herë afri dhe herë kritikë ku autorja individualizon me qasje origjinale, meqë rast përmbushen të tëra si poezi urbane, sepse loja që trajton konsiderohet psikologjike që ndikon tek audienca e sidomos tek fëmijët që psikologjia e tyre konsiderohet sipërfaqësore pa pasur qëllim emocionet negative.
Motivet gërshetohen duke prekur natyrën dhe botën e brendshme që i zgjeron në kontekste të ndryshme, sepse shpirti për Dijen, është vendi ku takohen ndjenjat e pashmangshme të xhelozisë, urrejtjes dhe inatit, dhe ajo që ka kufij të pa përcaktuar si zemra, ku shprehet në mënyrë ironike;
“Vetëm njerzit e këqinj,
E kanë zemren minus 1000,
Kurr s’kam pasur ethe,
Unë kurr nuk kam ngri”.
Motivi i dashurisë më tej, vazhdon edhe tek pjesa e dytë e veprës “Dashuria është kontinent”, ku në këto poezi ajo e tregon forcën e dashurisë përmes së cilës i shpreh me ndjenja të kontrolluara, ku ajo e universalizon më tej edhe tek qeniet tjera duke ngritur pikëpyetjen se pse nuk shkruhet edhe per dashurinë e tyre, këtë e vërejmë tek poezia “Kur dashuron foka dridhet toka”.
Në këtë pjesë poezitë shprehen si pëshpëritje intime, dhe jo siç jemi mësuar të dëgjojmë shpesh dashurinë mes njerzve, prap e universalizon aktin intim të natyrës, pra puthjen, si puthja e valës me bregun, flutura lulen, zogu zogun, bilbili kanarinën dhe të tjera.
Poezia “Fjala të dua”, bart emocionet e pa lëkundshme për dashuritë e përhershme për babain, për nënën, shokun e miken, për fat të mirë e mbushur në të gjitha format dhe që për të shpërndarë pozitivitet, ndihet nevoja që ta shpreh tërë kohën;
“Ngado që ecë fjalën TË DUA, e them
Shumë herë në ditë e atëroj,
Ka të tjerë që fare se thonë/Disi me sy provojnë ta tregojnë”.
Kapërcimi i trajtës së motivit në aspektin e nostalgjisë
Pjesa e tretë “Lagjja që s’flet”, ka në thelb të trajtuar motivin e vdekjes, kryesisht vdekjen e gjyshes ku këtu hasim dhimbjen e madhe dhe raportin e afërt me të, ku vazhdimisht kujton veprimet e saj me dashuri.
Lagjja që s’flet nënkupton varrezat, ndjenjën e vetmisë dhe mendimeve që nuk kanë zhurmë, ndarje të gjata nga jeta duke i konsideruar me kohën si dhimbje të vjetra, ku qaset me një shpërthim emocional;
“Varret janë përrallë vetë,
O gjithë ai gaz i gjyshes/Ku mbet ku u tret,
Ajo shkoi/Në lagjen që s’flet”.
Nostalgjia për të, nuk është kujtimi i përkohshëm i cili zbehet me kalimin e viteve, por harresa edhe pse si fjalë ka kuptimin e fuqisë së zhdukjes, shfarosjes së imazheve jetësore, është po aq e fuqishme sa të rikthejë nga një detaj i vogël çdo gjë që lidhet me kujtimet edhe pas ca vitesh, prandaj;
“Harresa ngjan të jetë si era”.
Poezia e Dijës manifeston liri shpirtërore të jetës aktive të njeriut duke dhënë mundësinë të bashkëndjejmë çiltërsinë e lojës së fëmijës, duke improvizuar imazhe reale, ndonëse kritikuese por që në thelb ka qellim edukativ.
Paraqitja figurative ka qenë një përzierje e kjartë ku të lë përshtypjen se Dija ka depërtuar nëpër ato mendje, ku merr element natyrën, kafshët, insektet, problemet e falshme të fëmijës, përvojat e veta të jetës duke i trajtuar në mënyrë kronologjike proceset e jetës, ashtu siç e fillon me poezitë për fëmijë, duke kaluar në reflektimet e mendjes së saj dhe duke mbaruar veprën me kujtimin e vdekjes së gjyshes, duke lënë të kuptojmë nga vetë titulli se “Ama dorën”, i asocion procesit të jetës, të njohjes, të përjetimit dhe kërkimit në labirintet e errësirës dhe të lumturisë.
Shënim; Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, tek prof. dr. Sali Bashota, në nivelin e studimeve; Master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./ KultPlus.com