5 Korrik, 2020 - 11:20 am
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë një falënderim të veçantë për të moshuarit që sipas saj, janë përballur me vështirësi dhe vetmi në muajt e izolimit kundër koronavirusit.
Në adresimin e saj të përjavshëm, Merkeli ka falënderuar gjermanët e moshave më të vjetra që kanë pranuar kufizimet për distancë sociale.
Ajo ka thënë se ka qenë e dhimbshme që nuk kanë mundur t’i shohin fëmijët dhe nipat për shumë javë.
Si në krejt vendet e botës, edhe në Gjermani të moshuarit janë më të goditurit nga pandemia e koronavirusit.
Një numër i tyre kanë vdekur nëpër qendra të kujdesit për të moshuarit.
Gjermania ka filluar me testimin e asimptomatikëve në qendrat e kujdesit, me qëllim që të pamundësohet përhapja e koronavirusit.