6 Shkurt, 2018 - 1:30 pm
Gili Hoxhaj
“Merre, lexoje, ktheje”, ky është slogani që qëndron i ngjitur në bibliotekën e parë publike, që është hapur në qendër të Ferizajt javën e kaluar, shkruan KultPlus.
Vullnetarët e organizatës joqeveritare “Ri’Fer”, tashmë përmes kësaj biblioteke e kanë jetësuar idenë e tyre, për t’u dhënë të gjithë qytetarëve mundësinë që të marrin nga një libër, krejtësisht falas në këtë bibliotekë. Një bibliotekë e ngjashme në Francë, ka qenë vendi i inspirimit për këta të rinj. Dyert e saj do të jenë të hapura nga ora 08:00 e mëngjesit deri në ora 20:00 e mbrëmjes, ku të gjithë mund shkojnë të marrin, apo edhe të kontribuojnë në këtë bibliotekë.
“Fillimisht këtë ide e kemi hasur gjatë një video ne rrjete sociale, një bibliotekë e ngjashme ka qenë në France kurse ne e kemi bërë ktë ide për herë të parë në Kosovë, pra pikërisht ne Ferizaj. Nuk ka ndonjë procedure për marrjen e librave, ata qe donë mund te marrin te lexojnë pastaj përsëri t’i kthejnë në vendin e njëjtë, është e publike dhe falas për të gjithë qytetaret”, ka thënë për KultPlus, Driton Nuha, kryetar i organizatës “Ri’Feri”.
Driton Nuha, po ashtu ka treguar për KultPlus, se kjo mini-bibliotekë e cila përmban gjithsej 200 tituj të ndryshëm librash, po tërheq mjaft shumë qytetarë, ndërsa për të ndihmuar funksionimin e vazhdueshëm të saj, ai ka kërkuar edhe përkrahjen e donatorëve.
Po ashtu, përmes hapjes së kësaj mini-biblioteke në hapësirë publik, ky grup vullnetarësh kanë dashur të përçojnë një mesazh senzibilizues për rëndësinë e leximit në komunitetin tonë.
“Kjo mini-bibliotekë është krijuar për të rinjtë që të lexojnë sa më shumë libra dhe pastaj përsëri t’i kthejnë në vendin e njëjtë, kjo është e hapur për të gjithë dashamirët e librit për të lexuar. Qëllimi kryesor ka qenë të jetë në publik që të rinjtë ta shohin dhe të lexojnë sa më shumë, me një fjalë t’i nxisim të rinjtë të lexojnë dhe të largohen nga rrjetet sociale”, përfundoi Nuha.
Për ta sjellë këtë bibliotekë në versionin final, këta të rinj janë përkrahur nga Mobileria Niti nga Rahovica, kolegji “Aga xhite” dhe Metalurgjia Asllani./ KultPlus.com