‘Mërzia, tortura e modernitetit’, së cilës Erich Fromm u rrek t’i gjente antidotin

10 Shkurt, 2025 - 9:35 pm

… njerëzit nuk e kuptojnë aq sa duhet ose, thënë ndryshe, nuk janë të vetëdijshëm në masën e duhur që mërzia është vuajtje. Ai që gjëndet i mbyllur në një qeli izolimi, ose edhe ai që për një arsye të çfarëdoshme nuk di çfarë të bëjë me veten e tij, në rast se e ka në vetvete mundësinë të bëjë diçka të gjallë, të prodhojë diçka, të priret kah përsiatja, do ta ndjejë mërzinë si një peshë të rëndë, si një barrë, si një paralizë së cilës nuk ia gjen shkakun. Mërzia është një nga torturat më të rënda: shumë moderne e që përhapet përherë e më tepër. Individi që i është dorëzuar kësaj torture pa mundur të mbrohet, ndjehet thellësisht i depresuar. Me gjasë, në këtë pikë do të pyesni veten: po përse vallë pjesa më e madhe e njerëzve si ne nuk e kuptojnë se mërzia është një fatkeqësi, një ndëshkim? Mendoj se përgjigja e kësaj pyetjeje është e thjeshtë: ne sot prodhojmë shumë gjëra që na mundësojnë t’i shmangemi mërzisë. Mund ta shmangim duke gëlltitur qetësues, duke pirë, duke kaluar nga një cocktail te tjetri, duke u grindur me bashkëshorten, duke e lënë veten të zhdaravitet nga mediat, duke u përkushtuar ndaj aktivitetit të dendur seksual, aktivitet i cili shpeshherë lindet si orvatje për të penguar që mërzia të na shfaqet në vetëdije. Por nuk duhet harruar ndjesia e pakëndshme që përjetojmë shumë herë kur shikojmë një film koti ose kur e dëbojmë mërzinë me një mënyrë të çfarëdoshme: një farë dehjeje e dyfishtë që ndjehet atëherë kur kuptojmë se e gjithë ajo ishte një gjë e mërzitshme, se nuk kemi përdorur kohën, por thjesht e kemi vrarë. Ky është përnjëmend një tipar i veçantë i kulturës sonë: ne bëjmë gjithçka për të shpëtuar, për të kursyer kohë dhe, kur e kemi shpëtuar apo kursyer këtë kohë, e vrasim sepse nuk dimë çfarë të bëjmë me të.

Në librin “Dashuria për jetën”, Erich Fromm trajton mërzinë si një nga torturat më të rënda të njeriut modern, një vuajtje që shpesh nuk njihet si e tillë, sepse individi është vazhdimisht i angazhuar në aktivitete që e shtyjnë ose e maskojnë atë. Analiza e Fromm shkon përtej konceptit të zakonshëm të mërzisë si një gjendje kalimtare e pakënaqësisë, duke e paraqitur atë si një simptomë të thellë të boshllëkut ekzistencial dhe të shkëputjes nga jeta autentike.

Fromm pohon se mërzia është një formë e vuajtjes, një ndjenjë e rëndë e paralizës dhe boshllëkut që individi nuk arrin ta shpjegojë. Ai që është i aftë për të krijuar, për të përsiatur dhe për të qenë i pranishëm në realitet, e ndjen mërzinë si një barrë të rëndë. Kjo ndjesi bëhet e padurueshme, sepse personi e percepton boshllëkun si një lloj burgosjeje psikologjike, si një mungesë domethënieje që e zhyt në dëshpërim.

Nga ana tjetër, shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për këtë torturë, sepse kultura moderne ka krijuar pafund mënyra për ta shmangur atë. Fromm rendit një sërë strategjish tipike të njeriut modern për të larguar mërzinë, ndër ta, qetësuesit dhe alkooli, si mjete kimike për të mpirë ndjenjat e zbrazëtisë. Për të vlerësuar si të tillë edhe argëtimin sipërfaqësor, që konsiston në konsumimin pasiv të mediave, kalimi nga një aktivitet pa kuptim te tjetri. Për të përfshirë në këtë tendencë që mbush boshllekun përpirës, me debatet të kota, ekseset emocionale dhe marrëdhëniet problematike, të cilat përdoren si mënyrë për të shmangur reflektimin e brendshëm. Fromm rendit si antidot të mërzisë, seksin pa përmbajtje emocionale, intimitetin jo si një shprehje e dashurisë, por si një përpjekje për të mos e lejuar boshllëkun të shfaqet.

Sipas Fromm-it, këto mjete nuk e zgjidhin problemin e mërzisë, por vetëm e shtyjnë ose rreken ta mbajnë nën frerë atë.

Ndjenja e pakëndshme që mbetet pas konsumimit të një filmi të dobët apo një eksperience sipërfaqësore është një dëshmi e kësaj iluzive shmangieje. Njeriu e kupton se nuk ka përjetuar asgjë domethënëse, se nuk ka jetuar realisht, por thjesht ka vrarë kohën, duke e thelluar hendekun dhe shtuar mërxinë.

Një nga idetë më të thella që Fromm prek është paradoksi i kulturës moderne, ne përpiqemi të kursejmë kohë në çdo mënyrë të mundshme, me teknologjinë, me eficiencën e punës, me optimizimin e çdo aspekti të jetës.

Por, kur e kemi këtë kohë të lirë, nuk dimë çfarë të bëjmë më parë me të, prandaj e “vrasim” përmes angazhimesh boshe.

Kjo tregon një krizë më të madhe. Jeta moderne ka krijuar një njeri që nuk është më i aftë të jetojë me kuptim. Ne nuk dimë të përjetojmë qetësinë, reflektimin, krijimtarinë apo ndjeshmërinë e vërtetë. Prandaj, mërzia bëhet një problem i madh dhe gjithnjë e më i zakonshëm.

Në thelb, Fromm na fton të kuptojmë se shmangia e mërzisë nuk është zgjidhja e saj. Për ta kapërcyer këtë gjendje, duhet të angazhohemi në veprimtari që na japin ndjenjën e kuptimit të jetës së vërtetë dhe ndjekjes së ëndrrave.

Për Fromm arti, letërsia, muzika, dhe çdo formë tjetër e zgjimit të potencialeve të shpirtit krijues është në vetvete një antidot i fuqishëm ndaj mërzisë.

Ai këshillon që ne të jemi të vetëdijshëm për mendimet dhe ndjenjat tona, jo thjesht të shoqërohemi për të shmangur vetminë, por të lidhemi realisht me të tjerët, duke mos i shpëtuar jetës me shpërqendrime, por duke e përqafuar me gjithë kompleksitetin dhe thellësinë e saj sfiduese.

Mërzia, sipas Fromm-it, nuk është një fatkeqësi e pashmangshme, por një thirrje për t’u lidhur më thellë me jetën dhe për të jetuar me një qëllim të vërtetë atë.

Përgatiti: Albert Vataj

Të ngjajshme