6 Nëntor, 2018 - 9:28 am
Tre vjet më parë Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës pati akredituar programin e ballkanistikës, i cili për shkak të mungesës së stafit më nuk vazhdon. Gjenerata e parë dhe e vetme e kësaj dege tani është në vitin e fundit.
Një nismë, për të mësuar gjuhë të shteteve fqinje u konkretizua të hënën. Në Prishtinë filloi kursi i gjuhës kroate me profesoreshën nga Universiteti i Zagrebit, Ivançica Bankoviq-Mandiq. Kjo iniciativë erdhi si rezultat i një bashkëpunimi ndërakademik në mes të dy universiteteve. Që nga marsi i vitit 2019, në Universitetin e Zagrebit do të fillojë të mbahet kursi i shqipes për nevoja të gjuhësisë nga profesorët e Departamentit të Gjuhës Shqipe nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”
Qëllimi i krejt kësaj iniciative është formimi i një lektorati të përhershëm të kroatishtes në Prishtinë dhe të shqipes në Zagreb.
Në hapje të këtij kursi, dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Linditë Sejdiu-Rugova, bëri thirrje që qeveritë e të dy vendeve, përkatësisht ministritë e Arsimit, të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi, i cili do të lehtësonte shkëmbimin e studentëve dhe të profesorëve. Një kërkesë e tillë për hapjen e kursit të gjuhës kroate në Prishtinë, dhe atij të shqipes në Kroaci, sipas saj, do të nënkuptonte hapjen e dy lektorateve në të dyja shtetet.