Mesjeta e re

7 Tetor, 2019 - 9:24 am

Nga: Ag Apolloni

Për një kohë të gjatë kemi menduar se Mesjetën e kemi kaluar dhe tash s’u zëmë besë syve kur e shohim se si ajo zgërdhihet para nesh. “E, kujt ia merrte mendja se shekulli 20 do të pasohej nga shekulli 11?”, pyet me të drejtë izraeliti Amos Oz, në një ese ku flet për ekstremizmin fetar që mori hov në shekullin 21, në vitin e parë të të cilit dha goditjen e madhe që rezultoi me rrëzimin e Kullave Binjake në New York, duke paralajmëruar atë që, paradoksalisht, shfaqet si kryqëzatë islame, falë së cilës, nëpërmjet videove morbide të shfaqura në televizione dhe kanale interneti, u bënë të famshëm disa tempullarë myslimanë, mes të cilëve edhe një bashkëvendës imi, Lavdrim Muhaxheri, i cilësuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si terrorist global. Ky tempullar mysliman, para se të bëhej pjesë e kryqëzatës islame, ku u dallua si udhëheqës i organizatës terroriste ISIS dhe si rekrutues i xhihadistëve shqiptarë në Irak dhe Siri, vinte shpesh në shtëpinë time, në raftet e së cilës rrinin libra të ndryshëm, përfshirë edhe Lavdërim Marrëzisë. I famshmi terrorist L. M., para se të bëhej xhihadist dhe të njihej me nom de guerre Abu Abdullah al Kosova, vinte tek ne, sepse vëllain tim të vogël, Alfredin, e kishte shok klase. Deri dje gjyshja ime e konsideronte djalë për së mbari. Edhe sot nëna ime e kujton si djalë të ndrojtur, që duhej ta lusje për t’u ulur në sofër. Ngjashëm e kujton edhe vëllai im, Beni, i cili mund t’u ketë bërtitur ndonjëherë kur do t’ia kenë ngritur volumin këngëve hip-hop, që i dëgjonin me vëllain tim të vogël. Ndërsa unë e kujtoj si një nga shokët e vëllait që vinin në shtëpinë tonë, që rrinin në studion e improvizuar të Çokit (nofka e vëllait tim të vogël), që dëgjonin muzikë rep dhe diskutonin për reperë si Biggie, Tupac, Eminem, 50 Cent, Busta Rhymes, Snoop Dog etj., por që nuk kishin të drejtë të hynin në dhomën e librave dhe, natyrisht, s’kishin të drejtë t’i preknin librat e mi.

Vite më vonë, gjyshja ime kishte dëgjuar lajmet në televizion dhe nuk kishte arritur ta kuptonte sesi një djalë aq i mbarë, ishte kthyer në përbindësh që kërcënonte me shpatë në dorë sikur të ishte në Mesjetë. Kur në fundjavë, si zakonisht, ndodhesha në shtëpinë e lindjes, gjyshja që banonte tek ne prejse kishte vdekur im atë, m’u afrua dhe më foli e shqetësuar, sikur të ishte duke folur për ndonjë gjarpër që e kishim mbajtur në shtëpi.

-Kuku, qyqe! Ish kthy’ Lavdrimi!

-Ah, sa mirë!, thashë unë, sikur s’e kuptoja shqetësimin e saj. – Ndoshta vjen e na sheh pak.

-Jo, ishalla nuk vjen, se me ardhë ai, kuku për ne!

-Po ti edhe nana i keni dhanë bukë…

-E ka harru’ bukën ai. Ish trenu’ krejt. S’e ke pa n’televizor qysh ish ba…

Unë qesha me shqetësimin e gjyshes, por njëjtë si gjyshja, e shqetësuar ishte edhe Amerika. Kur tutet Amerika që është aq e madhe, pse të mos tutet gjyshja ime që është kaq e vogël?

Unë e kam lexuar librin që e ka lexuar Lavdrimi, por ai nuk i ka lexuar librat që i kam lexuar unë. Filozofi i Mesjetës, Toma Akuini pati thënë: ruaju nga njeriu që e ka lexuar vetëm një libër!

Lavdrimi ishte bërë lider, sepse kishte lexuar një libër, kurse ndjekësit e tij sigurisht s’kishin lexuar asnjë. “Në mbretërinë e të verbërve, ai që ka një sy është mbret”, thotë Erazmi i Roterdamit.

Ja pse gjyshja ime kishte të drejtë të frikësohej nga Lavdrimi dhe, duke ma shprehur shqetësimin e saj, ndoshta më fajësonte mua që s’e kisha lënë atë djalë-përbindësh të hynte në dhomën time të librave. Pra, edhe unë kisha faj që ai ishte bërë aq i rrezikshëm, duke luftuar për “mbretërinë e qiellit”. Sikur ta lija t’i prekte librat e mi, ndoshta do të ishin zgjeruar horizontet e tij dhe, në vend se të bëhej një banor i ferrit, do të mund të bëhej, siç thoshte Melville, “patriot i qiellit”

Tash, kur shoh si shkon shpresa në tehun e shpatave të tyre, dëshpërimi çel zogj në zemrën time. /KultPlus.com

(Nga libri “Mesjeta ime”, 2019)

Të ngjajshme