12 Tetor, 2021 - 2:38 pm
Sot në ambientet e Tirana Internacional Hotel, Jusuf Buxhovi promovi veprën e tij jetësore. Një promovim ky i cili u mbajtë në kuadër të manifestimit tradicional “Tetori i librit”, në organanizimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, përcjell KultPlus.
I pranishëm në promovim ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook theksoi se me shumë kënaqësi mori pjesë në këtë promovim.
”Me shumë kënaqësi mora pjesë sot në promovimin e krijimtarisë letrare të shkrimtarit dhe historianit të njohur nga Kosova, Jusuf Buxhovi.
Prezantimi dinjitoz i veprës së tij, që i ofrohet për herë të parë në mënyrë komplete dashamirësve të letërsisë në Tiranë, jep një ndihmesë të vyer për plotësimin e mozaikut të letërsisë shqiptare, që krijohet në të gjithë hapësirën e saj gjuhësore.
I lumtur, që në këtë aktivitet të rëndësishëm kulturor të takoja dhe shumë personalitete të shquara të letrave shqipe, si Zija Çela, Besnik Mustafaj, Mimoza Ahmeti e shkrimtarë nga Kosova, me të cilët ndamë nevojën e mbështetjes më të madhe për librin shqip dhe të promovimit të vlerave tona artistike kombëtare”, ka shkruar presidenti Meta. / KultPlus.com