Mexhit Prençi: Drama “Natë me hënë” sipas novelës së Kadaresë

7 Korrik, 2019 - 10:30 am

Mariana e bukur gris maskën e shëmtuar të sekretares së partisë dhe të të tjerëve…

-Në fokus: Spektakli “Natë me hënë” i regjisorit Edmond Budina, sipas novelës së Kadaresë –

NgaMexhit Prençi

01

Fillimviti 1990, fill pas përmbysjes së diktaturës enveristo-staliniste shfaqet spektakli “Natë me hënë” i Budinës në Teatrin Kombëtar, sfidues i realizmit socialist që u prit me duartrokitje entuziaste si asnjëherë tjetër në këtë skenë. Është një prurje e re regjisoriale, moderne e postmoderne. Regjisori aplikoi mjete të larmishme figurative që nga teatri i hijeve, maskave, vodevilit & gjer te teatri performatist. Larmia e formave të artit skenik realizuar bukur, ngjizen me larminë e fushës së formave të natyrës, siç do të thoshte Hegeli.

02

Shestimi dhe formësimi i spektaklit “Natë me hënë” është sprovë e suksesshme eksperimentale dhe alternative që solli risi në regjisurë duke sfiduar regjisurën e politizuar të soc-realizmit e në të njëjtën kohë ishte promovuese e talentit të regjisorit. Leximi i vëmendshëm dhe i mprehte i tekstit të autorit nga Budina, (Fatos Arapi thoshte: “Lexues i mirë nuk është ai që lexon shumë, por ai që bluam mirë) – e ka orientuar regjisorin në qasjen kritike, për të fshikulluar e stigmatizuar dukuritë negative që përshkojnë ngjarjet, situatat, rrethanat personazhet ‘alibistë’ dhe sekretaren e partisë në një ndërmarrje, e cila terrorizon Marianën e bukur, me akuza për qëndrime liberale ndikuar nga bota borgjezo-revizioniste dhe për lirinë e saj të dashurisë që e konsideron imoralitet.

03

Në gjithë përbërësit e spektaklit aplikimi i GROTESKUT si mjet modern për t’i bërë më të dukshme dukuritë negative dhe për të stigmatizuar botën e shëmtuar të personazheve, është këndvështrim i kthjellët i realizuar mrekullisht.

FRIDRIH DYRENMAT do të thoshte: “Forma mbizotëruese e letërsisë moderne dhe artit modern, është GROTESKU, i cili paraqet pasqyrën e fytyrës se botës personale dhe të shëmtuar”

04

Siç dihet nga njerëzit e teatrit, m i z a n s k e n a, është gjuha e regjisorit ashtu si teksti i veprës – gjuhë e autorit. Tekstin me vlera te larta e gjallëron regjisura profesionale cilësore, e cila krijon hapësira për lëvizjet psiko-vizive të personazheve që ta ndjejnë veten si në shtëpi të tyre ku lirshmëria e natyrshme është çelës për shpërfaqjen emocionale të botës së personazhit.. Mënyra si e ka konceptuar dhe realizuar Budina tregon pjekuri që në krijimin e platformës regjisoriale që e konsideroj te nivelit të klasit të parë. (Më lejoni të bëj një paranteze). Ndër regjisorët më të shquar para 1990-s, Serafin Fanko është mjeshtër i madh i pakrahasueshëm në krijimin e platformës regjisoriale. As dje, as sot, asnjë regjisor nuk ka arritur ta kalojë.

05

Komponenti tjetër kryesor është a k t r i mi, në spektaklin “Natë me hënë”. sipas gjykimit tim kemi dy nivele aktrimi te aktorëve në rolet respektive: Nivel të larte dhe te mesëm. Aktrimi në nivel të lartë është i barasvlershëm me nivelin e lartë të regjisurës siç e analizova më sipër. Vlerat e larta janë mbizotëruese në të gjithë komponentët e tij.

Qasja ime në analizën e spektaklit dhe aktrimit është sipas kritikës moderne, e gjykoj spektaklin ashtu si e ka menduar dhe realizuar regjisori, e në të njëjtën kohë sfidoj ata kritikë që marrin rolin e dhaskalit dhe japin këshilla si duhej të ishte realizuar shfaqja, kështu apo ashtu, si mendonin ata duke cenuar individualitetin e regjisorit.

06

Spektakli “Natë më hënë është kompleks, kërkon një studim të thelluar vertikal e horizontal, për të gjithë komponentët, që nuk është objekt i këtij shkrimi të shkurtër, ndaj do të përqendrohem në aktrim tek tre figura kryesore të spektaklit: Yllka Mujo – Sekretarja e partisë, Ema Andrea -Mariana e bukur dhe Shlëlqim Basha -Drejtori i ndërmarrjes.

Po para se të artikuloj mendimet e mija për vlerat e aktrimit të tyre e shoh të nevojshme të jap një informacion nëpërmjet përshkrimit për të vërtetën e asaj nate me hënë: ç’ndodhi me Marianën dhe Gazmendin, burrin e martuar, çka e bën analizën time më të kuptueshme për lexuesin që të formulojë mendimet dhe qëndrimin e tij për personazhet dhe për analizën sipas optikes sime.

07

Pas akuzave të rënda në gjyqin e kolektivit të ndërmarrjes Mariana largohet e tronditur. Në kokën e saj buçisnin thirrjet në kor të personazheve të depersonalizuar e nënshtruar, egoiste e cmirëzi…: “Imorale, imorale imorale”. Pastaj zëri i frikshëm i sekretares: Vajza e bukur me biografi të keqe, është ndikuar nga shfaqjet e huaja bogjezo-revizioniste, lexon libra të ndaluar, që propagandojnë lirinë e dashurisë, e të tjera e ë tjera … Gazmendi, sapo u largua Mariana e ndoqi pas. Rrugës, në një moment, ajo i lexon një poezi, që indirekt provokonte dashuri. Ai e donte Marianën e bukur dhe fisnike, por besnikëria bashkëshortore e frenoi, sa as një puthje nuk i dha, ndonëse e përqafoi. Këtë skenë ia tregoi te shoqes, e cila u trondit kaq shumë, sa me imagjinatë sajoi puthjen e tyre, në atë natë me hënë dhe dha berihanë… Pjesa m

ë e madhe e personazheve filluan fushatën e trillimeve, sajimeve, kurdisjeve e thashethemnajave me lojë lloj-lloj variantesh për ta diskredituar e poshtëruar atë.. Një pjesë tjetër e kolektivit e mbështetën Marianën e bukur, madje nuk ishin dakord as me kërkesën e keqdashësve, që kërkonin të paraqiste raport mjekësor për virgjërinë. Pas një grindjeje e dylyftimi me veten, Mariana e bëri vizitën, e mori ”certifikatën”e virgjërisë… por e grisi letrën përpara kolektivit dhe sekretares së partisë e në të njëjtën kohë grisi maskat e shëmtuara të tyre dhe alibitë e të pavërtetës që e paraqitnin si të vërtetë duke promovuar shëmtimin shpirtëror të botës së tyre të pistë e të ndyrë.

08

Yllka Mujo– Sekretare e partisë.

Sapo ngrihet sipari, një mjedis i errët me perso

nazhe hije e maska dhe portreti i saj i frikshëm, fantazmagorik si i një shtrige e keqe. Aktrimi fantastik. Më pastaj shfaqet sekretarja e dhunshme e partisë, me autoritet te fortë, personazh i fryrë i realizmit socialist Kur deklamon togfjalësh që thoshte Diktatori i Madh, imitonte bukur intonacionet e zërit tij, deklamon e reciton me ngritje e ulje të zërit dhe intonacione me ngjyrime koloristike duke ironizuar e satirizuar me aktrim mjeshtëror. Portreti i saj ndryshon sipas situatave dhe rrethanave;: Xheloze e smirëzezë për Marianën e bukur nxjerr ligësitë brenda vetes për ta përbaltur dhe kurdis e menaxhon akuzat alib

iste duke nxitur kolektivin që të hidhen ne sulm me çdo mënyrë e mjet. Veprimet psikofizike të saj janë të klasit të parë. Sipas meje në interpretimin tërësor të saj në këtë spektakël shfaqet e mrekullueshmja, e çuditshmja dhe fantastikja, siç do të thoshte kritiku dhe esteti, Todorovski.

09

Ema Andrea- Mariana e bukur

Aktron bukur. Lëvizjet psikofizike të Emës-Marianë realizohen me shije estetike dhe vërtetësi jetësore. Emeson do të thoshte: “E bukura vetë e arsyeton ekzistencën e saj”. Ema e shpirtëzon figurën e Marianës duke i dhënë frymë e shpirt nga të sajat, siç do të thoshte Aleksandër Moisiu. Në aktrimin e saj spikatin, konkretësia dhe thjeshtësia pa rënë në thjeshtëzim. Me interpretim sipas realizmit në zhvillim & me elemente moderne, shpreh bukur shqetësimet e Marianës, tronditjet e saj, përballimin dhe kundërshtimin e akuzave poshtëruese, të rrezikshme e të frikshme duke zotëruar durimin dhe frenuar zemërimin në situata të vështira e të rënda.

10

Shkëlqim Basha- Drejtori

Personazhi i drejtorit është një figurës ndryshe nga drejtorët e fryrë si personazh pozitiv i socrealizmit. Basha- drejtor nuk është i divorcuar nga ideologjia komuniste, ai më shumë luan vetveten se figurën. Basha është i natyrshëm në aktrim. Si figurë artistike është antipod me atë të sekretares se partisë.. Shqetësimin që ka përbrenda e shpreh duke ruajtur sensin e masës në të gjitha veprimet psikofizike, çka sipas meje aktrimi i tij arrin nivelin mesatar ndonëse stili i interpretimit nuk është në unison me stilin e përgjithshëm të aktorëve të tjerë dhe komponentëve të spektaklit. Këtu ka munguar orientimi i regjisorit. Megjithatë kjo nuk ka ndikuar në imazhin e spektaklit modern, postmodern dhe performatist të Budinës.

Konkluzë

Spektakli i regjisorit Edmond Budina “Natë me hënë” padyshim është dhe do mbetet si spektakli i parë që sfidoi teatrin e socrealizmit. Prurjet e reja të një regjisure eksperimentale, moderne, postmoderne dhe performatiste, jo vetëm pasurojnë fushën e larmishme të formave artistike skenike, por sjellin risi në qëndrimin kritik ndaj këtij realiteti ku zhvillohen ngjarjet e dhunohet liria, dashuria e lirë dhe denigrohet njeriu. Alibia e të vërtetë vret të vërtetën. Ema Andrea-Mariana e bukur, gris maskat e shëmtuara të botës personale të shëmtuar ku del në dritë e vërteta.

Mesazhi kryesor ne formulimin tim do të ishte: Revolta për të vërtetën dhe guximi për ta mbrojtur atë e në të njejtën kohë lirinë e dashurisë dhe lirinë në tërësi shkëlqen bukur në interpretim brilant të Emës-Marianë. Emererson do të thoshte: E bukura vetë e aryston ekzistencën e saj.”

Ndërsa Umberto Ecco do të shoshte: “Kritika e vërtetë, është ajo, që qesh e fundit, sepse e lë secilin të shijojë, por u tregon të gjithëve, arsyen përse pëlqehet një vepër”

Të ngjajshme