Shtypi amerikan e vlerëson “Kosovën” e Jusuf Buxhovit

1 Shtator, 2019 - 12:30 pm

Organizata për kritikë letrare në rajonin Midwest, Midwest Book Review, ka analizuar veprën e Jusuf Buxhovit përmes së cilës ka shkurar sesi Kosova është vazhdimësi e mbretërisë së vjetër të Dardanisë, ka njoftuar Jusuf Buxhovi, transmeton KultPlus.com

Jusuf Buxhovi e bëri të ditur lajmin përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook

“Shtypi amerikan për “KOSOVËN”

“Midwest Book Review” : “Kosova -Vazhdimësi e mbretërisë së vjetër të Dardanisë

Në vazhdën e interesimit gjithnjë e më të shtuar për “Kosovën” (botimi në anglisht) në SHBA, Midwest Book Review (Organizatë për kritikë letrare në rajonin Midwest), në kuadër të bibliotekës “The World Hostory” (Biblioteka: Histori botërore), sjell një vështrim të gjerë për veprën dhe rëndësinë e saj për opinionin amerikan. 
Po sjellim një përmbledhje të shkurtër të shkrimit që boton “Midwest Book Review”:
“Seria trivëllimshme “Kosova” nga autori shqiptar Jusuf Buxhovi është vepër gjithpërfshirëse historie e vendit të vogël të Evropës, Kosovës. Duke dhënë një analizë të së kaluarës, nga antika deri në kohët moderne,

Buxhovi e shquan Kosovën si vazhdimësi të mbretërisë së vjetër të Dardanisë – tokë e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë historisë. Buxhovi është dukshëm i pandikuar nga animet e akademikëve të brumosur nga regjimi komunist. Si historian, ai përshkruan dhe zbërthen të kaluarën me korrektësi dhe baraspeshë, duke shqyrtuar këndvështrime të ndryshme dhe duke i pranuar argumentet e mirëndërtuara të dijetarëve vendas dhe të huaj.

Përfundimisht, me këtë vështrim, Buxhovi e sheh Kosovën ose Dardaninë si pjesë të pandashme të territorit etnik shqiptar, si djep të zhvillimit përparimtar, dhe si vendlindje të individëve të shquar që dhanë ndihmesë për kombin e tyre dhe për qytetërimin perëndimor në tërësi.

Kritika: Vepër mbresëlënëse dhe themelore e mbështetur në punë hulumtuese të përpiktë, dhe me një përkthim të aftë anglisht nga skuadra e Getoar Mjekut, Avni Spahiut dhe Faton Bislimit, tri vëllimet që përbëjnë librin “Kosova” janë të shkruara, organizuara dhe paraqitura jashtëzakonisht mirë.

Një ndërmarrje monumentale e shkallës më të lartë, me bashkëredaktorë Diane Tafilajn dhe Jason Frazer-in, “Kosova” e Jusuf Buxhovit është kontribut i rëndësisë kritike për historinë e rajonit dhe një botim thelbësor që bibliotekat akademike ta përfshijnë koleksionin mbi historinë evropiane në përgjithësi dhe në listat e studimeve shtesë mbi historinë shqiptare në veçanti”. /KultPlus.com

Të ngjajshme