26 Gusht, 2022 - 1:30 pm
Nga Albert Vataj
Migjeni ishte dhe mbeti britma kushtruese që gjëmon në të tashmen e të gjitha kohrave. Anipse kanë kaluen kaq vite qysh prej t’shuemit të tij tokësor e t’rrokunit n’përjetsi, zani që plazmoi në eter si një bubullimë, kumbon tash e përgjithmonë. Atëher e tash, kur prej qiellit asht arratis e kaltra e venin e saj e ka xan e mrrylta, e thella errësirë e gërmushjes së lëngimit.
Jo të gjithë munden me mbet “përdhunshëm”, siç ka mujt me met vetëm ai, në gjirin e visareve, e me u përkund në përjetësi, si jeta prej nga ne marrim mëkimin e kungimit, nervin e vetëtimës, turrin e stuhisë, thellësinë e të pambarimtes, e bekimin e Zotit, atij etern e atij tokësor.
Kurrkush tjetër nuk ka mujt me mbetun në letërsinë shqipe i fuqishëm, vërshues, kushtrues e panikndjellës si Migjeni, si vargu i tij, e shkulmi i tij i zashëm i brendisë. Edhe pse regjimet nuk reshtën së anatemuari kryeveprën e tij, zanin buçitës të revoltës së tij, ai asht si atmot e tash, po kaq i magjishëm me vargun e tij të farkëtuar në shpirtin e mraztë e trupin delikat, në zemrën e Vezuvtë e shëndetin e stërkequn.
Migjeni ishte dhe mbeti një nga kolonat vertebrale të letërsisë së viteve ’30, një nga shpërthimet më të befasishme të kohës, një nga tundimet më zemëratëse të forcës për të ngritur krye, për me kërku nër ne një grusht për me i ra malit që s’bzan. Migjeni ishte shkrimtari më modern i viteve 30.
Ai si kurrkush tjetër, gjithë landën jetësore që përdori i’a nënshtroi një këndi me të pamëdyshtë të ri shikimi, atij ekzistencial, të njëmëndtë. Fati i njeriut në botë, lumnia e fatkobi i tij, kjo ishte tematika zotëruese në krijimtarinë e Migjenit. Larg çdo dogmatizmi e sentimentalizmi, Migjeni nuk e shihte njeriun as si qenie me përsosmëri ideale, hyjnore, por as si zvarranik, të cilin munet me e shkel çdo këmbë.
Historia, e bashkë me të, kujtesa jonë kolektive, pak e sëmbueme prej pushtetesh, dogmash e demagogjishë, ka dëshmu se kush duhet me met, edhe jo vetëm me met, por me e pa ndërsa rrin e rrittet përplot hir dhe madhështi në panteonin e vlerave dhe kumteve. Ajo, vitet deng me vërshim, e kanda jonë, punon me themel, duke ken e pamëshirshme dhe ngulmuese. Përmes lojës së saj të evoluimit, historia, në dukje-absurde e paradoksale, e ka ba dhe e ban masmiri të sajen, duke gozhdu në panoramën e habisë, brezat që vijnë, me rreptësinë seleksionuese të shoshës së saj. E si për me dash me sfidu garrametjet e kacarritjet e përbaltjeve, në fundin e mbram ajo e vendos në vendin e vet, kungimin e forcës për të jetu njeriun brenda nesh, tan brezat e tana kohnave, përkundër soj-soj sunduesish e tiranish. Koha asht gjykatësja ma e rreptë dhe njikohësisht ma e pamëshirshme, ajo përmbys figura të ngritura përdhunshëm në piedestal, shpërndan shkëlqime breroresh të rreme edhe kur balsamosen për t’u ruajtur përjetësisht në gjirin e saj, ajo i flak tutje si byk dhe i braktis përfundimisht në harresë. Kanda dhe vlera, amshti i përjetësisë e forca e ngulmimit në çdo zemër e nji bukurie të ashpër por kumtuese, nga qielli na bien në prehër edhe pas 100 vitesh. Asht ai emër, ai za, ai kushtim që vijnë e rivijnë te sekush prej nesh, për të dëshmu, për të kremtu, për të ysht e me zgju prej thellë, nër ne, vullnesën njerëzore. Po atë forcë, të cilës i duhet dhan krahë sa herë që qiejt kërkojnë fluturimin e saj, i duhet dhan këmbë t’forta e kivet, sa her i duhet me mposht mitin antik të Sizifit, i duhet dhan zemër e zjarr sa her koha prêt me padurim ngulmin e asaj hazdisje. E qe besa i duhet dhanë tançka Migjeni i madhe dha në ato pak vite të zorshme jetë, në atmot të hoveve të mëdha, ndryshimeve të potershme e shumëçkasë tjetër që thepiste shtegun përnga kalonte kalvari i të përditshmes së asokohëshme e të tashmes, domosdo. / KultPlus.com