11 Gusht, 2019 - 9:45 pm
Gabriel García Márquez është shkrimtar i njohur kolumbian që lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.
Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.
Në vitin 1955, fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi.
Për krijimtarinë e tij letrare ai u laureua me “Nobel” për letërsinë. Markezi njihet kudo në botë edhe për thëniet e vlefshme që dalin nga veprat e tij, disa prej të cilave, KultPlus jua sjellë më poshtë:
Kur të vdes, të vetmen keqardhje do ta kem është nëse në vdekje nuk do të ekzistojë më dashuria.
E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, i ri apo i vjetër. Sonte mund të jetë e fundit herë që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë.
Injeksionet janë gjëja më e mirë e shpikur ndonjëherë për t’i ushqyer mjekët.
Nuk është e vërtetë që njerëzit ndalen së ndjekuri ëndrrat, ngaqë plaken; ata plaken ngaqë ndalen së ndjekuri ëndrrat.
Jo, jo nuk jam i pasur. Unë jam një njeri i varfër me të holla, çka nuk është e njëjta gjë.
Askush nuk i meriton lotët e tu, por ai që i meriton ata, nuk do të të bëjë të qash.
Ajo zbuloi me kënaqësi të madhe se njeriu nuk i do fëmijët e tij vetëm sepse ata janë fëmijët e tij, por për shkak të miqësisë së krijuar duke i rritur ata.
Kujtesa e zemrës e eliminon të keqen dhe e madhëron të mirën.
Ai që pret gjatë, mund të fitojë pak.
Interpretimi i realitetit tonë nëpërmjet modeleve tona e jo nëpërmjet nesh, shërben vetëm për të na bërë gjithnjë e më të panjohur, kurrë më pak të lirë, gjithnjë e më të vetmuar.
Problemi me martesën është se ajo përfundon çdo natë pas së bëri dashuri, dhe duhet të rindërtohet çdo mëngjes para ngrënies së mëngjesit.
Në fund të fundit, letërsia nuk është tjetër vetëm se zdrukthtari. Me të dyja ju keni punë me realitetin, me një material po aq të vështirë sa druri.
Ajo që ka rëndësi në jetë nuk është ajo që ndodh me ju, por çfarë ju kujtohet dhe si ju kujtohet ajo. /KultPlus.com