Milan Kundera: Praga ime dhe rusët që nuk i urrej më

30 Prill, 2018 - 7:24 pm

“Shakaja” u prit në Perëndim pothuajse si një model i letërsisë antikomuniste ose, siç thuhej asokohe, disidente. Megjithatë, romani ishte botuar në Çekosllovakinë komuniste një vit para Pranverës së famshme të Pragës, saktësisht në pranverën e vitit 1967… Fillova të shkruaja “Shakanë” rreth vitit 1961, pak a shumë i sigurt se do të publikohej. Gjatë viteve gjashtëdhjetë, shumë përpara Pranverës së Pragës, realizmi socialist dhe gjithë ideologjia zyrtare kishin marrë fund, ata ishin tashmë vetëm një lloj fasade që askush nuk e merrte më seriozisht. Pasi e mbarova në dhjetor 1965, dorëshkrimi mbeti për rreth një vit në zyrat e censurës që, në fund, nuk kërkoi asnjë ndryshim. Romani u botua në pranverën e vitit 1967 dhe pati një sukses të menjëhershëm, tri botime me rreth 117 000 kopje tirazh.

Në pranverën e vitit 1968 libri fitoi çmimin e Bashkimit të Shkrimtarëve Çekosllovakë. Romanin e përdora më vonë për një skenar për mikun tim Jaromil Jireš, i cili bëri një film që kurrë nuk më doli nga zemra. Kritika letrare nuk u mor shumë me aspektin politik të librit, duke theksuar ndërkaq esencën e tij ekzistenciale (…). Pra, në fillim të udhëtimit tim si romancier, jam ndier i kuptuar në mënyrë të përkryer në atdheun tim. Por ishte një moment që zgjati vetëm pak. Një vit më vonë, në vitin 1968, pushtimi rus krijoi sërish një regjim stalinist të stërlashtë dhe shtypës nga pikëpamja intelektuale. Ky ishte momenti kur “Shakaja” u zhduk nga libraritë dhe bibliotekat. Dhe atëherë nisi aventura ndërkombëtare e romanit tuaj… Në vitin 1967, menjëherë pas botimit, shtëpia ime botuese në Pragë, e ngazëllyer nga suksesi i librit, ia propozoi romanin Gallimard-it. Këtu dorëshkrimi iu dorëzua, siç ishte rregulli, një lexuesi çek që jetonte në Paris. Atij iu duk pa interes romani dhe çështja u mbyll.

Ndodhi që një intelektual i Pragës, Antonín Liehm, një lloj emisari i artit jozyrtar çek jashtë vendit, i foli për romanin tim Lui Aragonit i cili, në atë kohë, demonstronte një solidaritet të madh ndaj intelektualëve të vendeve komuniste që kundërshtonin regjimet e tyre (roli i Aragonit u harrua, por unë jam gjithmonë i lumtur ta kujtoj atë). Pa e njohur madje tekstin çek, ai e rekomandoi atë te Claude Gallimard, i cili vendosi ta botonte. Në këtë pikë, rastësia ndërhyri përsëri: “Shakaja” doli nga shtypi ditët e para të shtatorit të vitit 1968, pra pikërisht tre javë pas pushtimit rus të Çekosllovakisë! Në peshën e asaj ngjarjeje Aragoni, me gjasë aty për aty, shkroi parathënien për romanin, që më vonë u bë e famshme. Në Francë, pritja e librit ishte e jashtëzakonshme. Momenti i mirëkuptimit që kishit përjetuar një vit më parë në Pragë u përsërit, pra, edhe në Paris? Gruaja ime shpesh më qesëndis: “Ti mbërrite në Paris si një fitimtar ndaj tankeve ruse”.

Në ato javë të shtatorit 1968, gazetat, në fakt, nuk flisnin për gjë tjetër përveçse për tanket ruse në Pragë dhe romani i një çeku tërhoqi automatikisht simpatinë e lexuesve dhe emrat e kritikëve të mëdhenj. Për të gjithë unë isha gati një ushtar në bordin e një tanku dhe të gjithë vlerësonin guximin me të cilin kisha luftuar kundër totalitarizmit. Por kur unë po shkruaja “Shakanë”, nuk isha ndier kurrë veçanërisht trim. Sfida ime nuk ishte politike, por ekskluzivisht estetike. Cila ishte sfida juaj? Të kapja përmbajtjen ekzistenciale të paprecedent të një situate historike të pashembullt. (…) Sapo vutë këmbë në Francë, filluat të shkruanit në frëngjisht ese për revista të ndryshme, ese që më vonë u bashkuan pjesërisht në vitin 1986 në “Arti i romanit”, në vitin 1993 në “Testamentet e tradhtuara”, në vitin 2005 në “Sipari” dhe në vitin 2009 në “Një takim”. Në vitin 1995 shkruat romanin tuaj të parë në frëngjisht. Por çekishtja dhe frëngjishtja nuk janë vetëm dy gjuhë të ndryshme, ato janë gjithashtu dy përvoja, dy mënyra për të shprehur rrënjët përkatëse. Të braktisësh një gjuhë për një tjetër, nuk do të thotë të heqësh dorë përfundimisht nga e kaluara? Mendohet gjithmonë se një romancier i ka rrënjët e tij në një vend. Nuk është kështu. Si romancier, ai i ka rrënjët në disa tema ekzistenciale që e magjepsin dhe për të cilat ai ka diçka për të thënë. Jashtë rrethit magjik të temave të tij, ai e humbet gjithë forcën. Imagjinoni për një çast sikur Kafka të ishte i detyruar të shkruante një sagë familjare ose një roman historik për Maria Terezën: si çdolloj nxënësi i keq, ai nuk do ta kalonte provimin. Në rregull. Por unë ju pyes: a nuk është ky rreth magjik i temave ekzistenciale i lidhur me një vend, një gjuhë, një përvojë të caktuar historike?

Sigurisht. Tronditja e revolucionit komunist më ka zgjuar një kureshtje ekzistenciale: isha i tunduar të thellohesha në situatën e çuditshme ku gjendeshim unë dhe njerëzit rreth meje. Pa këtë përvojë të lidhur me vendlindjen, kurrë nuk do të bëhesha romancier. Por temat ekzistenciale nuk i njohin kufijtë. Lirizmi që kam parë në të gjitha shëmtinë e tij në Çekosllovakinë komuniste, është i pranishëm në jetën e njeriut të të gjitha kohërave dhe një nga personazhet e librit “Ngadalësia” (1995) është kushëriri francez i Jaromilit, poetit çek në librin “Jeta është kudo” (1969). (…) Ju njiheni si nje njeri mjaft alergjik ndaj rusëve. Në gjithçka që keni shkruar për Evropën Qendrore, keni treguar dallimin e thellë midis kombeve të vogla të Evropës Qendrore dhe Rusisë … Polonia, Hungaria, Çekosllovakia u shndërruan pas Luftës së Dytë Botërore në satelitë të Rusisë. Kjo ishte fatkeqësia e tyre e përbashkët. Megjithatë, historia e marrëdhënieve të çdo kombi me Rusinë është e ndryshme. Polakët veç mund t’i urrenin rusët, të cilët, që nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë nuk kishin bërë gjë tjetër, përveç përfshirjes së territorit polak në perandorinë e tyre. Hungarezët kishin qenë aleatë të gjermanëve gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Kështu, në vitin 1945, ushtria ruse fitimtare nuk ishte shumë e sjellshme me ta. Çekët, nga ana tjetër, gjithmonë kanë qenë rusofilë. Kur rusët në vitin 1945 e çliruan Çekosllovakinë, ata u pritën me dashuri. Kjo dashuri për rusët e bëri shumë të fuqishme Partinë Komuniste Çeke dhe bëri që kundërshtia e saj ndaj regjimit stalinist të ishte më pak e ashpër sesa në Poloni dhe Hungari. Vetëm pas pushtimit të vitit 1968, çekët, ashtu si popujt e tjerë të Evropës Qendrore, filluan të urrenin rusët. Dhe ju ende i urreni? Jo, aspak. Por u larguam nga tema e dialogut tonë… Nga libri “Dialog i pambaruar”, Massimo Rizzante, përktheu MY

30 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

ETIKETAT:KULTURE

Të ngjajshme