20 Mars, 2018 - 5:17 pm
Në kalimin e natës 18/19 shkurt të vitit 1931 është kryer në Zagreb vrasja e Milan Šufflay, e përgatitur nga regjimi i mbretit Aleksandri I Karagjorgjeviq, vrasje kjo që kishte bërë jehonë të madhe në opinionin publik evropian e botëror.
Lidhur me këtë vrasje është i njohur edhe reagimi i personaliteteve të shquara të shkencës dhe të kulturës, si, Albert Einstein, Heinrich Mann e shumë të tjerëve, të cilët kishin dërguar një letër Ligës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Paris. Sipas letrës në fjalë, kërkohet dënimi për vrasje, si dhe për ushtrimin e diktaturës nga strukturat mbretërore të Jugosllavisë.
Šufflay ishte një nga nxitësit kryesorë të idesë së ndarjes së qytetërimeve sipas “Linjës së Teodosit” nga viti 395. Ndërsa në botën shkencore u bë i njohur me veprat e tia kapitale nga lëmi i Albanologjisë: “Acta et diplomata Res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I-II” (“Aktet e diplomat që ilustrojnë ngjarjet në Arbërinë Mesjetare”, në bashkëpunim më, L. Thalloczy dhe K. Jireçek. Vjenë: 1913-1918); “Biologjia e popullit të shqiptarëve” (München, 1916); “Gjendja e kishave në Arbërinë paraturke. Zona ortodokse e depërtimit në digat katolike”, (Zagreb-Budapest: 1915/16); “Kufijtë e Arbërisë në Mesjetë” (Munich-Leipzig: 1916); “Qytete e fortifikata të Arbërisë, kryesisht gjatë mesjetës” (Vjenë-Leipzig: 19241924), “Serbët dhe Shqiptarët” (Beograd-Lubjanë: 1925), “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis”; ”Fatet politike të Themës së Durrësit” (Zagreb: 1915); romani historik “Alba Limi” kushtuar princit Arbër, Kastandin Balsha (1920), e shumë shkrime të tjera eseistike të kësaj natyre.
Me këtë opus të pasur albanologjik të mbështetur vetëm në burime historike të dorës së parë, Milan Šufflay ishte bërë pengesë e madhe në realizimin e projekteve të mëdha antishqiptare, jo vetëm nga strukturat mbretërore jugosllave, por edhe më vonë nga shteti komunist i Jugosllavisë, që synonin zbrazjen e territoreve shqiptare duke u mbështetur edhe në dëshmi teorike-shkencore-historike se, gjoja shqiptarët janë të pranishëm në treva jashtë Shqipërisë politike vetëm nga kapërcyelli i shek. XVII.
Burimi: A. Einstein Accuses Yugoslav Rulers, in: The New York Times, May 6th, 1931! / KultPlus.com