7 Dhjetor, 2019 - 10:57 pm
Shkrimtari austriak, Peter Handke, i kushtoi fjalimin e tij të Nobelit pyetjeve letrare, duke shmangur kështu polemikat rreth qëndrimeve të tija pro-serbe që detyruan Kosovën të bojkotojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve javën e ardhshme.
Laureati i Çmimit Nobel për Letërsi 2019 diskutoi rolin e kujtimeve në punën e tij, në një fjalim para ceremonisë së ndarjes së çmimeve të martën.
Asnjë gazetar nuk u lejua të marrë pjesë në këtë ngjarje. Një burim i afërt me organizatorët i ka thënë AFP-së se kjo u bë “për shkaqe të sigurisë”, transmeton Koha.net.
Por fjalimi u transmetua direkt online nga komiteti i Nobelit.
Të shtunën, ministri në detyrë i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se i dërguari i vendit tonë në Suedi nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Stokholm të martën, në shenjë proteste për mbështetjen e Handkes ndaj serbëve në luftërat e viteve të ’90-ta në ish-Jugosllavi.
Përzgjedhja e Akademisë suedeze për çmimin e këtij viti, që u shpall në tetor, nxiti zemërim të madh në Ballkan dhe më gjerë për shkak të admirimit të Handkes ndaj liderit serb të ndjerë, Sllobodan Millosheviq.
Ky çmim u prit më së keqi në Kosovë, një ish-provincë kjo e Serbisë derisa nuk u shkëput nga ajo në luftën e viteve 1998-99 ku Serbia kreu krime mizori masive.
Dy anëtarë të komitetit të Nobelit dhanë dorëheqje për shkak të kësaj përzgjedhjeje gjatë kësaj jave dhe një anëtar i Akademisë suedeze, historiani dhe shkrimtari Peter Englund, tha se do ta bojkotojë ceremoninë.
Pacolli, në një postim në Facebook, tha se bojkoti vjen “shkaku i fituesit kontrovers të Çmimit Nobel, Peter Handke, mik dhe mbështetës i politikës së Millosheviqit”.
Ai iu referua shënjestrimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve që çuan në fushatën bombarduese të NATO-s ndaj Serbisë më 1999.
Tokarczuk: “Bota po vdes”
Handke foli në funeralin e Millosheviqit, i cili vdiq në qelinë e tij në burgun e Hagës më 2006 derisa po gjykohej për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Para vdekjes së tij, Millosheviqi kishte dashur që Handke të dëshmonte në mbrojtje të tij.
Në të ’90-tat, Handke u shfaq si një prej intelektualëve të paktë evropianë të cilët publikisht mbështetën serbët gjatë rënies së përgjakshme të ish-Jugosllavisë që mori jetët e mbi 130 mijë njerëzve.
Autori u akuzua për minimizim të krimeve serbe të luftës në librin e tij të vitit 1997 “A Journey to the Rivers: Justice for Serbia”.
Handke refuzoi çmimin prestigjioz të Gjermanisë, “Buechner”, më 1999 në shenjë proteste ndaj bombardimit të NATO-s ndaj Serbisë, fushatë e cila përfundimisht detyroi forcat e Millosheviqit të largoheshin nga Kosova dhe që çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008.
I pyetur të premten nëse ka ndryshuar mendjen për ato që kanë ndodhur në Ballkan gjatë të ’90-ave, Handke tha vetëm këtë: “Më pëlqen letërsia, jo opinionet. I urrej opinionit”.
Çmimi për letërsi ende po ballafaqohet me ringritje pas skandalit për përdhunim që bëri që vitin e kaluar të mos ndahej fare ky çmim.
Për të mbuluar atë boshllëk, edhe fituesi i vitit 2018 i Çmimit Nobel u shpall këtë vit.
Në fjalimin e saj të së shtunës, shkrimtarja polake, Olga Tokarczuk, foli për idenë e trillimit si një lloj e vërtete, por edhe për ndjenjën e saj se çfarë nuk po shkon me botën.
“Bota po vdes, dhe ne nuk po e vërejmë”, paralajmëroi ajo. /Koha.net /KultPlus.com