10 Nëntor, 2018 - 12:18 pm
Është promovuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, romani me titull “Tutori” me autore shkrimtaren e njohur Mimoza Ahmeti.
Parathënia e këtij libri është shkruar nga Aurel Plasari. Ashtu si te romani i parë i autores, Arkitrau (në italisht: Persone belle), ose tek i dyti, Gruaja halucinante (në gjermanisht: Milchkuss), dhe te ‘Tutori’ ndeshesh me iluzionin e asaj që quhet prozë autoreferenciale. Pra mund të gënjehesh. Sepse në të tri romanet e autores operohet me një skenar të menduar mirë fantastik dhe/ose parodik.
Parodizimi i rrëfimit romantik është i pari. Si e zbritur nga lartësitë e antiromanit, autorja rezulton e vetëdijshme që rrëfimi i saj nuk qenkësh veçse “antirrëfim”.
Në qendër të librit është historia e një gruaje në luftë me trazimin e saj të brendshëm. Në raportin e saj me dy burrave të dashurit imagjinar dhe atij real ajo zbulon një nga një botë të pafundme shqetësimesh e kërkimesh që e bëjnë atë një personazh të rrallë në historinë e letrave shqipe që nuk e ka elaboruar shumë psikikën femërore.
Për shkrimtarin Ylljet Aliçka, Mimoza Ahmeti është një poete e lindur, është shkrimtare e surprizave dhe del gjithmonë atje ku nuk e pret. “Mimoza Ahmeti është polivalente dhe nganëjherë qortimi bën vlerë më shumë se sa lëvdata. Poezia e saj do të mbahet mend në mozaikun e letërsisë shqipe”, u shpeh Aliçka.
Vetë autorja e romanit ‘Tutori’, Mimoza Ahmeti u shpreh se ky libër fillon në vitin ’94 dhe mbaron në vitin 2017 dhe mbetet një çlirim shpirtëror sepse kontekstet kuptimore, duam apo sduam ne rëndojnë mbi shpirtin e njeriut. ”Jemi shumë të lodhur nga literaturat që krijojnë direksione. / KultPlus.com