Ministri i Kulturës pa telegram ngushëllimi edhe një ditë pas vdekjes së shkrimtarit Ragip Sylaj

31 Korrik, 2018 - 10:27 pm

Gili Hoxhaj

Dje ka ndërruar jetë shkrimtari nga Suhareka, Ragip Sylaj, duke lënë prapa vetes një krijimtari mjaft të pasur letrare për të cilën edhe u shpërblye me disa çmime, shkruan KultPlus.

Çmimin e fundit Ragip Sylaj e pranoi pikërisht nga Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Në shkurt të këtij viti, ministri Gashi ka ndarë çmimet vjetore për letërsi, me ç’rast në një ceremoni të mbajtur në Ministrinë e Kulturës, i kishte dorëzuar Sylës çmimin për veprën më të mirë në poezi “Kam drojë për ty”.

Ndërsa edhe pse ka kaluar më shumë se një ditë nga ikja e shkrimtarit nga kjo botë, e disa orë nga varrimi i tij në Shllapuzhan të Suharekës, ministri Gashi nuk ka ndarë as edhe një rresht për të shprehur ngushëllime e për të nderuar krijimtarinë e shkrimtarit Ragip Sylaj.

Vëllau i Ragip Sylajt, Hajrush Sylaj ka konfirmuar për KultPlus se nuk kanë pranuar as një letër ngushëllimi nga ministri Gashi.

Sylaj që nga 3 maji i vitit 2009-të punoi si zyrtar i lartë për publikime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndryshe nga ministri Gashi, Ministri i Punëve të Jashtme – Behgjet Pacolli me anë të një postimi në Facebook ka shprehur ngushëllimet e tij ndërkohë e ka vlerësuar punën e Sylajt si zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme, e ka theksuar se puna dhe veprat e tij mbesin si frymëzim për të tjerët.

“Daja siç e quanin kolegët e miqtë e tij të afërt do të përkujtohet gjithmonë si një njeri me virtyte të larta njerēzore. I heshtur, i qetë, me plot energji pozitive dhe gjithmonë me humor të mirë. Puna dhe veprat e tij si gazetarë i dëshmuar, shkrimtarë i veçantë dhe punonjës i dalluar do të mbesin frymëzim dhe shembull për të tjerët. Zoti e shpërbleftë me Parajsë Shpirtin e Tij. Ngushëllimet më të thella Familjes, të të afërmëve dhe kolegëve nga Ministria”, shkruhet në postimin e Pacollit.

Sylaj vdiq dje në moshën 59 vjeçare. Ka punuar mësimdhënës në vendlindje e në SHMT “Skënder Luarasi” në Suharekë, gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, në të përditshmet “Bota sot” e “Zëri” të Prishtinës.
Ka botuar 15 vepra letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë. Për veprimtarinë letrare dhe publicistike disa herë është nderuar me çmime e mirënjohje të ndryshme. Sylaj ishte fitues i edicionit të parë të natës letrare të ‘Kultstrofës’, organizimit letrar të KultPlus dhe ka qenë bashkëpunëtor i rregullt i KultPlus, gjithmonë i dashur dhe i qetë në personalitetin e tij të veçantë. / KultPlus.com

Të ngjajshme