Ministria e Arsimit pret rezultate më të mira nga ‘PISA 2018’

11 Prill, 2018 - 8:05 pm

Fatmir Elezi, anëtar i komisionit për “PISA 2018” si dhe zyrtar në divizionin për vlerësim dhe standarde në kuadër të ministrisë së Arsimit, ka thënë se presin rezultate më të mira nga ky test në krahasim me herën e shkuar.

Sot në Prizren u mbajt dita e parë e “PISA 2018”, dhe sipas Elezit, procesi ka shkuar normalisht. Ai ka thënë se pjesëmarrja ka qenë e kënaqshme, ndërsa ka bërë të ditur se me testime do të vazhdojnë së shpejti në komuna të ndryshme. Në testin e sivjetmë, Elezi ka thënë se në fokus është gjuha, ku numri më i madh i pyetjeve ka të bëjë me leximin.

Ai ka thënë se organizimi më i mirë dhe përgatitja teknike e nxënësve do të nxjerrin rezultate më të mira në krahasim me vitin 2015.

“Interesimi për 2015-n ishte më i vogël, nuk e kanë ditur rëndësinë e testit dhe mendoj se nxënësit nuk e kanë dhënë maksimumin. Sivjet mendoj se ka motivim më të madh te nxënësit për të punuar. E kam vënë re gjatë ushtrimeve. E kam parë se e kanë kuptuar se duhet të lexohet shkrimi e më pas të përgjigjen në bazë të leximit. Sivjet ka qenë testi me kompjuter dhe këto ushtrime që kemi bërë kanë qenë në njohjen e sistemit se si duhet të funksionojnë me këtë sistem. Ka pas udhëzime se si duhet të plotësohet testi në ditën kur të hyjnë në test. Nuk është diçka që nuk është e lejueshme. Nxënësit e kanë provuar sistemin në mënyrë që të mos marrin më pak pikë për shkak të gabimeve teknike se nuk dinë të përdorin kompjuterin. Kjo besoj do të nxisë në më pak rezultate të gabuara. Për shkak të organizimit presim rezultat më të mirë”, është shprehur ai në Express Intervistën në KTV.

Elezi ka bërë të ditur se faza e parë e testimit duhet të përfundojë më 26 prill, ndërsa përsëritja e testimeve nëse është e nevojshme duhet të mbyllet deri më 5maj.

Sa i përket rezultateve, ato do të dalin në dhjetor të vitit 2019.

Elezi po ashtu ka bërë të ditur se Kosova viteve të ardhshme do të mbajë edhe teste të tjera ndërkombëtare, ndërsa planifikon që të shtojë testime për nxënës në baza vjetore.

Të ngjajshme