19 Mars, 2019 - 12:50 pm
“Nisim nga Elbasani këtë marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të Lëvizjes Kombëtare për Lexim, duke u angazhuar institucionalisht me Bashkinë e Elbasanit në pasurimin e bibliotekave publike. Ministria e Kulturës këtë vit ka organizuar programe të ndryshme si një lëvizje kombëtare që po shtrihet jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm në pak javë për gjatë gjithë vitit shkollor. Besoj tek energjia dhe nismat e të rinjve që po tregojnë se i bashkohen lëvizjes së librit ”- u shpreh Margariti në takimin me nxënës e mësues në Elbasan.
Në kuadër të programit kombëtar të Edukimit përmes Kulturës dhe Lëvizjes Kombëtare për Lexim si dhe duke pasur në vëmendjen, angazhimin e veçantë të Bashkisë së Elbasanit ndaj artit dhe librit, Ministrja e Kulturës Znj. Elva Margariti dhe Kryetari Bashkisë Elbasan z. Qazim Sejdini nënshkruan sot memorandumin e bashkëpunimit për t’u dhënë vëmendjen e duhur bibliotekave dhe leximit në këtë Bashki. Memorandumi sjell një institucionalizim të Lëvizjes Kombëtare për Lexim duke angazhuar edhe qeverisjen vendore në krijimin e kushteve sa më të favorshme për nxitjen e leximit dhe edukimin e brezit të ri përmes artit dhe librit.
Ministrja Margariti e shoqëruar nga kryetari Sejdini dhe Prefekti i qarkut të Elbasanit, Z. Gledian Llatja vizituan bibliotekën publike vendore të qytetit, ku Ministria e Kulturës dhuroi 300 tituj librash për fondin e bibliotekës. Nxënësit u njohën nga afër me librat e dhuruar në orarin e pushimit duke treguar interes për titujt e rinj të letërsisë bashkëkohore.
Këtë vit Lëvizja Kombëtare për Lexim ka marrë si model 12 shkolla periferike, bibliotekat e të cilave do t’i pajisë me libra dhe do të synojë trajnimin e mësuesve të këtyre shkollave për mënyrën sesi të punojnë për të afruar nxënësit me librin. Një tjetër detyrë është dhe pasurimi i bibliotekave publike, kthimi në ambiente funksionale dhe tërheqëse për fëmijët dhe të rinjtë. Është një angazhim i kësaj lëvizje arritja e një marrëveshjeje me bashkitë e vendit për t’i nxitur të krijojnë një zë të rëndësishëm në buxhet për bibliotekat publike. Bashkia e Elbasanit është bashkia e parë e këtij bashkëpunimi, i cili do të pasojë edhe me bashkitë e tjera në rang vendi. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti vizitoi lagjen kala të Elbasanit duke u shprehur se “Kjo lagje është kartvizita e qytetit, ku bashkëjeton tradita, kultura, besimi fetar dhe trashëgimia. Shumë shpejt do të përgatisim një projekt rijetëzimi si qendrat historike në Korçë, Vlorë, etj”./KultPlus.com