18 Mars, 2018 - 8:30 pm
Miqtë e shkrimtarit Agolli, kanë mbjellë pemë për të nderuar figurën e shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli, shkruan KultPlus.
Bashkëshorjta e tij, Sadije Agolli e cilësoi si një nga nismat më të bukura për të përjetësuar Dritëroin.
“O toka ime që të lërova e të thura këngë,
Që të kam dashur plisin dhe barin,
Që të kam fshirë me duar, me mëngë,
Në ç’vend ma le varrin?”
Këto vargje janë shkruar nga poeti i madh Dritëro Agolli i cili para se të vdiste hodhi në letër një poezi me titullin “Testament” për lexuesit. Por duket se fjalët e sjella në formë epitafi, nuk janë vetëm ndjerë dhe lexuar, por edhe përjetësuar.
Dashamirësit e tij nga Devolli dhe gjithë Shqipëria, nxitur nga dëshira për të përkujtuar gjithmonë gjeniun e letrave shqipe, vendosën ti bashkohen nismës së Bashkisë Tiranë për të mbjellë pemë dhe për të krijuar në Parkun e Liqenit atë që do të njihet me emrin “Pylli i Dritëroit”.
Vetë gruaja e poetit Sadije Agolli, zgjodhi të vizitojë këtë hapësirë të gjelbër pranë Liqenit Artificial ku adresoj edhe një mesazh për kontributorët.
“Mbjellja e pemëve të llojeve të ndryshme dhe pyllëzimi i kësaj toke është një nga nismat më të bukura dhe më fisnike që dashamirësit po i dhurojnë Dritëroit për ta përjetësuar me frymëmarrjen e tyre. Dritëroi e ka dashur tokën dhe i ka kënduar gjithmonë asaj. Sa herë që ju të shëtisni në këtë pjesë të pyllëzuar do të ndjeni edhe zërin e Dritëroit me vargjet dhe prozën e tij. Unë ju falënderoj të gjithëve dhe uroj që të kaloni ditë të gëzuara sa herë që të shëtisni në këtë pyll të ri që po merr formë dhe që në të ardhmen do të shumohet nga shumë bimë të tjera pasi aty do të jetë edhe fryma e Dritëroit”, u shpreh zonja Agolli duke vlerësuar punën e bërë deri më tani.
Ndërkohë edhe kreu i shoqatës “Devolli” dega Tiranë, Gëzim Begolli, falenderoi kontribuesit për krijimin e kësaj hapësire të gjelbër. Ai shprehet se pavarësisht që poeti ishte nga Menkulasi i Devollit dhe i kushtoi gati gjysmën e krijimtarisë vendlindjes, vepra e tij i takon të gjithë shqiptarëve ndaj edhe ky pyll do të jetë i të gjithë shqiptarëve që duan ta kujtojnë atë.
“Pylli i Dritëroit” simbolikisht ka 47 pemë për 47 fshatra të Devollit në respekt të kontributit që ai dha veçanërisht për zonën nga vinte. Pas indicieve të para shumë shpejt mori përmasa edhe më kombëtare. Ky pyll do te na shërbejë si simbol i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit”, shprehet Begolli.
Në këtë hapësirë krahas pemëve, është menduar që të ngrihet dhe një bust i shkrimtarit./KohaJone/ KultPlus.com