“Miqtë krijohen me kalimin e kohës me themelet e besnikërisë dhe respektit”

1 Shkurt, 2020 - 5:00 pm

Ese nga Zyrije Salihu

“Miqësia është si një kështjellë rëre, e vështirë ta ndërtosh, e thjeshtë ta shkatërrosh, dhe shumë e bukur ta rindërtosh”.

Sa me fat jemi kur në ditë të mira e jo të mira, kemi dikë që na rri afër, na përqafon, na ngushëllon, e na thotë: Mos u shqetëso jam këtu për ty, nuk të lë vetëm.

“Askush nuk do të donte të jetonte pa miq edhe sikur të kishte të gjitha të mirat e botës”, kjo thënie nga Aristoteli asnjëherë nuk mund të ndryshohet, deshe apo nuk deshe, sepse është e vërtetë.

Ata na i mbanë afër dashuria, besimi, ndershmëria, respekti, pra miqtë krijohen me kalimin e kohës, por, me themelet e besnikërisë dhe respektit. Miqtë nuk kanë shtëpi për hipokrizi, tradhti, interes, mashtrime, imponime etj., por, që ne shtëpinë e tyre mjafton ngrohtësia e dashurisë dhe respektit.

Krijimi i një lidhje të ngushtë e deri tek njohja mirë me njeri tjetrin nënkupton miqësinë, pra një lidhje sociale bashkë me ndjenja dashurie të ndërsjella që ndodhë mes dy apo më shumë personave.

“Miqtë janë si vera, sa më e fortë aq më e mirë”, një gjë që na fal siguri dhe më shumë besim në vetvete .

Miqësi e vërtetë quhet ajo që zgjatë dhe mund t’i thuash tjetrit, ti nuk je si unë, bën mirë që je kështu siç je, sepse më pëlqen që je ndryshe nga unë. Andaj për miqtë kujdesu si për një lule, se po nuk u kujdese dhe nuk e ujite atë me ujë të pastër ajo vyshket…

Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com

Të ngjajshme