3 Shtator, 2017 - 8:34 pm
MIRA MEKSI – REKUIEM PËR FILDES HAFIZIN
I vrasin, por ato nuk mbrohen
Fillimshekulli i ri shpërtheu një tërbim dhune të paparë ndonjëherë kundër gruas. Dhe kundër këtij tërbimi të pashembullt, tërë planeti ka ndezur llambat e kuqe në një alarm botëror: SOS, jeta e grave më në rrezik se kurrë ndonjëherë!
Gjuha e statistikave është gati e pabesueshme: në vitin 2008, në rang botëror mbi 187 gra të vdekura nga dhuna në familje, që i bie që çdo dy ditë të ketë vdekur një grua. Organizata e Kombeve të Bashkuara zbulon faqe botës fakte të shumëfrikshme: në çdo pesë gra, njëra dhunohet. Ndërkohë që realiteti në Shqipëri është akoma edhe më i egër: flitet për dhunim të një gruaje në çdo 4 gra. Në USA, një e treta e grave të vrara janë viktimë e partnerëve, ndërkohë që në Afrikën e Jugut regjistrohet çdo gjashtë orë një vrasje në familje, shumica gra. Në Sao Paolo të Brazilit, një grua dhunohet çdo 15 sek. Mediat mbarëbotërore dhe organizatat apo federatat e solidaritetit dhe mbrojtjes së gruas janë përfshirë në një fushatë të gjerë sensibilizuese për dhunën ndaj grave; kryetarët e shteteve kërkojnë me forcën e ligjit të ndalojnë këtë furi shkatërruese që ka tronditur nga themelet shoqërinë njerëzore. Në fjalimet e fundit Sarkozy ngre zërin: “Të thyhet ligji i heshtjes dhe të denoncohet dhuna ndaj grave”. Ndërsa Parlamenti evropian ka kërkuar masa më të forta për të luftuar këtë plagë të vështirë të shoqërisë…
Në një nga emisionet më të shikuara të kanalit francez France 2, Ça se discute (Për këtë ia vlen të flitet), drejtuar nga legjendari Jean-Luc-Delarue, ku flitej për këtë temë, u tha se “ Frikshëm, shtëpia është bërë sot një vend më i rrezikshëm se rruga” dhe se vetë gratë nuk denoncojnë, nuk vetëmbrohen… askush nuk i mbron sigurshëm, as shteti, as ligji, as shoqëria… mbetet t’i mbrojnë veç Erinitë, por edhe këto, me sa duket, janë të përgjumura…”
Pothuaj nuk u besova veshëve! Erinitë, shpirtrat femërorë hakmarrës, që përndjekin sidomos krimin në familje dhe vrasësit e gruas! Gjëma duhet të ishte vërtet e madhe që njerëzit, qoftë edhe metaforikisht, po i drejtoheshin për ndihmë Mitologjisë! Ndihmë për të mbrojtur qeniet njerëzore që, mbi të gjitha, nuk dinin të vetëmbroheshin, apo nuk donin ta bënin këtë, dhe as mbroheshin, të paktën duke denoncuar dhunuesit e tyre… M’u ndërmendën dhjetra vrasje të grave nga bashkëshortët, apo të dashurit e tyre, këto pesëmbëdhjetë vitet e fundit në Shqipëri; pothuaj në asnjë rast, mjekësia ligjore nuk ka konstatuar mbi trupin e tyre të pajetë shenja të vetëmbrojtjes, shenja të përleshjes, luftës për të mbrojtur jetën; duket sikur i janë dorëzuar pa asnjë kusht vdekjes nga dora e atyre që kanë dashuruar, sikur i janë blatuar një vendimi të epërm, sikur… E pabesueshme!
Shkrimtar i njohur spanjoll Javier Marías, ka një teori të vetën për këtë; në një ese të tij me titull “Ajo që e patën dashur aq shumë”, thotë: “Kur lexoj në shtyp për vrasje të grave nga bashkëshortët, të dashurit apo mëtonjësit e tyre, ose nga ata që ishin të tillë, por që nuk heqin dot dorë së qeni, më shfaqet imazhi i aktores Shelley Ëinters, sepse ka luajtur, të paktën nja tri herë rolin e viktimës, në tri filma të jashtëzakonshëm, që kanë mbetur në kujtesë. Porse shoqërimi bëhet edhe për një detaj: një nga gjërat që bie më shumë në sy në rastet e dhunës familjare apo gjysmë familjare kundër grave është se, – lexojmë, – se këto rrallëherë luftojnë kundër agresorit, madje, as kur ai i vret. Një lloj ficcion-i alla Dostoievskij, për të sjellë ndërmend një libër si “Kujtime nga nëntoka”, që do të thotë shprehimisht, një histori që formësohet dhe gjallon në shtresat primitive të nënvetëdijes dhe një instinkti atavik, që tashmë ka përftuar përmasa kolektive dhe mbarëshoqërore, pavarësisht “triumfit të qytetërimit” të trumbetuar me të madhe.
Përpiqen të ikin apo mbulohen kotësisht me duar, kërkojnë ndihmë apo ka raste që përgjërohen për mëshirë, porse pothuaj asnjëherë nuk përleshen, dhe as rreken të mbrohen duke goditur. Shpjegimi se e dinë që s’kanë forcën fizike të mashkullit, dhe se beteja ka për të qenë e humbur, nuk është mbushamendase, sepse, edhe duke e ditur se nuk ka shpresë për të dobëtin në atë që quhej dikur “ndeshje e pabarabartë”, instinkti i vetëmbrojtjes e shpie çdo njeri të mbrohet me thonj dhe me dhëmbë. Dhe kjo metaforë i shkon së mbari shpesh, sepse shumë gra nuk kanë veçse këto, thonjtë dhe dhëmbët e tyre. Gjithsesi, skena më e spikatur që lidhet me sa më sipër, është ajo e filmit The Night of the Hunter (1955) Nata e Gjuetarit, e Charles Laughton-it. Burri (luajtur nga Robert Mitchum-i i paharrueshëm), përgatitet të vrasë të shoqen (Shelley Ëinters) një natë me hënë në dhomën bashkëshortore. Dhe ajo e pret e shtrirë në shtrat, me duart të kryqëzuara mbi gjoks, si e nënshtruar ndaj një Zoti të fyer, thika e të cilit ngrihet dhe bie mbi të. Me historinë e filmit është bërë dhe një CD me zërin e jashtëzakonshëm të vetë Laughton-it; në lidhje me skenën e vrasjes, teksti i recituar më 1955 shpreh dyshimn e thellë që ka Shelley Ëinters një çast përpara vdekjes: “Jo”, mendon ajo, “nuk mund të ndodhë, Zoti nuk ka për ta lejuar.”. Dhe më pas, teksti shton: “And she ëho had loved so ëell and so unëisely…”, që do të thotë: “Dhe ajo që e pat dashur aq shumë, shihe tani si dergjet përfund thellësive të kthjellëta të lumit”.
“Nuk di”, vijon Marías-i, “shpesh mendoj se shumica e kësaj gjinie kanë në shpirt një lloj optimizmi vdekjeprurës, i cili i bën që edhe përpara shenjave më të këqia dhe frikërave më të mëdha, të mendojnë si Shelley Ëinters: ‘Nuk mund të ndodhë që të më vrasë njeriu që aq shumë e kam dashur dhe që vazhdoj ta dua, pavarësisht të gjithave’. Shpesh pyes veten nëse shumë gra vuajnë nga një vështirësi e çuditshme për të mos dashur më atë, të cilit vendosën dikur t’i jepnin ditët e tyre një e nga një, derisa i dhanë edhe jetën.”
Sipas Marias-it pra, viktimat nuk e besojnë që njeriu që kanë dashur dhe që, ndoshta ( a me siguri), vazhdojnë ta duan, do të shkojë gjer aty sa t’u marrë jetën. Pa dyshim, kjo logjikë e tij nuk është e pabazuar; por unë ia lejoj vetes të shkoj më larg, dhe për ta përligjur këtë udhë, po marr në ndihmë, njëlloj si Marias-i filmin, letërsinë dhe personazhet që e gjallojnë, — një nga vrasjet më tronditëse të saj është, pa dyshim, vrasja e Desdemonës nga Otellua, në tragjedinë e Shakespeare-it; por ca më mirë më vjen në ndihmë ndërmendja e operës me të njëjtin titull të Verdit: Violinat. Otello hyn dhe sodit të shoqen e përgjumur që është më e bukur se kurrë. Ai hesht dhe vazhdon ta sodisë ; përmban një lëvizje tërbimi, pastaj avitet te shtrati dhe e përqafon tri herë, sa ajo zgjohet. «Qui e la ?» pyet ajo përpara se ta shquajë. Otello e vështron dhe e akuzon përnjëherë për tradhti bashkëshortore. Ajo proteston, por tmerrohet kur Otello i thotë që do ta vrasë. Të paktën të shpëtojë shpirtin, këmëbnul ai, duke pohuar fajin e ndyrë që ka kryer. Ajo e mohon dhe kërkon të thërrasin Kassion që të shfajësohen. Kur Otello i rrëfen që ai ka vdekur ( gënjeshtër në të vërtetë) ajo bie e dërrmuar: Desdemona e di që s’do mundet më ta bindë të shoqin për pafajësinëe saj. “Pianger l’osi?!” ( guxon dhe ta qash?!) ulëret Otelloja dhe hidhet mbi të. Desdemona i lutet dhe i përgjërohet, por ai e mbyt nën një crescendo të tmerrshme kordash. Ajo lëshon një klithmë agonie zemërçjerrëse, e cila shuhet nga buçima e llahtarrshme e orkestrës që luan ‘tutta forza’, dhe stuhia qetësohet pak e nga pak. Otello vështron trupin e së shoqes ‘calma come la tomba’ ( të qetë si varri). Papritmash, dikush troket në portë, është Emilia, shëbëtorja e Desdemonës, e cila pikas me një tmerr të parrëfyer formën e bardhë të nderë përmbi shtrat, e cila me fillin e fundit të zërit thotë disa fjalë. Në këtë akt të fundmë të dashurisë, Desdemona shfajëson të shoqin, pretendon se ka vrarë veten dhe vdes.
Pra Desdemona jo vetëm e beson se i shoqi do ta vrasë, porse dhe e parandjen, e di, pasi përpara se të bjerë në shtrat thotë një lutje për jetën e saj. Duke qenë e pafaj, nuk përpiqet të ikë, të arratiset apo qoftë edhe të mbrohet fizikisht duke thirrur për ndihmë, apo duke u përleshur vetë me dhëmbë e thonjë nga instikti i vetmbrojtjes, — ajo veç kundërshton akuzat dhe i përgjërohet të shoqit t’i falë jetën. Dhe kulmi fare, duke vdekur, shfajëson të shoqin vrasës…
Sidoqë të ndodhë, mendoj, ka një çast kur viktima kupton dhe beson se po vdes nga dora e njeriut të dashur, por sërish nuk lufton kundër tij, sepse lufta kundër tij — është rrebelim, thyerje e tërë kodeve të dashurisë, — do të thotë ta humbasë, dhe ndoshta duket absurde, por ajo prapëlqen të vdesë se sa të jetojë pa njeriun që dashuron.Tronditëse janë fjalët e asaj gruas së re nga fshatrat e Prrenjasit që i mbijetoi goditjeve me thikë të të shoqit, të cilin e arrestoi policia, dhe që nuk rreshtte së thëni: “ Po ç’më duhet mua jeta pa të!”
Mbetet të them si fjalë të fundit, atë që shkruan Javier Marias-i në fund të esesë së tij: “Sidoqoftë, asnjë Zot s’duhet ta lejojë këtë!” Por, nëse Zoti e lejon këtë: I mbrojtshin Erinitë!