8 Nëntor, 2017 - 12:15 pm
Shkrimtari Kasëm Trebeshina i cili ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare po vazhdon të kujtohet nga fytyrat publike në Shqipëri, shkruan KultPlus.
Një homazh, me plotë fjalë të mëdha, ka bërë edhe ministrja e kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro e cila ka thënë se shkrimtari Trebeshina ishte i thjeshtë dhe befasues në mënyrën se si vëzhgonte ngultas veprat e artit.
“Homazh për Kasem Trebeshinen!
E kam njohur shkrimtarin Kasem Trebeshina, në vitin 1992, e kam njohur me kureshtjen e zbulimit të personazhit për të cilin të gjithë flisnin por pak e njihnin. Ende s’e kisha lexuar.
Fati prej përkthyeseje ma solli që ta lexoja për së pari si lexuese shumë e vëmendshme. Përktheva në frëngjisht një prej pjesëve të tij teatrale, “Historia e atyre që s’janë”. Për disa muaj punuam bashkë për çdo faqe, ku njoha shkrimtarin që vinte shpesh në dyshim krijimin e vet si në një proces të komplikuar autopsie tekstuale, duke qëmtuar shkronjat, fjalët, rreshtat. Njohje e çuditshme dhe komunikim me retrospektivën që e kishte bërë Trebeshinën të shkruante një tekst që nuk ta rrokte mendja se mund të shkruhej në vitet e diktaturës.
Më pas, në po atë vit, “L’histoire de ceux qui ne sont plus” u vu në skenë ne Paris në teatrin e Shkolles së Lartë të Teatrit “Pierre Debauche”.
Ministria e Jashtme franceze ftoi autorin dhe përkthyesen e tij në Francë për të marrë pjesë në premierë dhe për një vizitë kulturore në Paris.
Njoha në atë javë njeriun Kasem Trebeshina, i thjeshtë dhe befasues në mënyrën se si vëzhgonte ngultaz veprat e artit në muzetë e famshëm të kryeqytetit frëng të cilit ia njihte fort mirë historinë.
Më vonë i lexova veprën ndryshe, ndërsa njeriu pa bujë që na la sot më mbet në mendje përherë”, ka shkruar Kumbaro në rrjetin e saj social Facebook.
Prej disa vitesh Trebeshina jetonte në Ankara të Turqisë. Trupi i tij i pajetë ka mbërritur dje në Shqipëri dhe është përcjellë në orën 14.00 për në banesën e fundit tek varrezat e Tiranës./ KultPlus.com