25 Korrik, 2019 - 9:00 pm
Zhdukje të pashpjegueshme, dorëshkrime të çuditshme, vdekje pa shkak të përcaktuar; këto janë disa nga misteret që kanë shoqëruar ndër shekuj narrativën letrare. Por vetë ato kanë prezantuar pika kyçe të jetës së disa prej autorëve, të mbledhura me mister të pashpjegueshëm dhe thjesht banal. Zakonisht, kur lexojmë një libër misterioz ose shikojnë një program të frikshëm mund të arrihet në një finale që shpesh i bashkon rastet, edhe pse shpesh rezultati nuk është i kënaqshëm. Por, në jetën reale, duhet të pranojmë se disa mistere mbeten përgjithnjë të tilla. “Bustle” listoi disa nga misteret letrare, që ende nuk janë zgjidhur.
Kush e vrau Edgar Allan Poe?
Autori ka shkruar shumë histori të tmerrshme gjatë jetës së tij, por ndoshta më shqetësuesja nga të gjitha është ajo e vdekjes së tij. Poe u largua nga Riçmond, Virxhinia, për në Filadelfia për të edituar një përmbledhje poezish. Një javë më pas u gjet në një rrugë në Baltimorë, në delir dhe me veshje të dikujt tjetër. Me sa duket nuk arriti kurrë në Filadelfia dhe askush nuk e di se ku e kaloi atë javë. U gjet nga një mjek, por ishte tepër vonë. Poe nuk u përmend plotësisht dhe ndërroi jetë katër ditë më vonë, ende në delir dhe i përhumbur në halucinacione, duke thërritur emrin Reynolds dhe ende nuk dihet përse.
Ku është komedia e munguar e Shekspirit?
Është një komedi e Shekspirit që mund të konsiderohet e humbur. Ndër vite ka pasur njerëz që kanë thënë se kanë gjetur tekstin e “Kardenio” të Uilliam Shekspirit, por asnjë nuk mund ta përkufizojë si autentike. Ajo që dihet është se një editor në vitin 1653 kishte të drejtat e “Historisë së Kardenios” të Mr. Fletcher & Shakespeare dhe se shoqëria e Shekspirit paguhej për të performuar në diçka që quhej “Kardena” ose “Kardeno”. Vepra ekzistonte dhe thuajse saktësisht ishte një përshtatje e “Don Kishotit” të Cervantes. Për tekstin e vërtetë thuhet se ka humbur me kohën.
Përse Agatha Christie u zhduk për 11 ditë?
Një herë, Agatha Christie u zhduk për 11 ditë. Nuk ka ndonjë gjë për t’u habitur nëse këta shkrimtarë të veçantë janë kaq të zotë të jenë misteriozë. Më 3 dhjetor 1926, Agatha Christie hipi në një makinë dhe u nis natën. Zhdukja e saj shkaktoi shqetësim dhe nisën ta kërkonin forcat e rendit dhe kolegët e saj, mes të cilëve sir Arthur Conan Doyle dhe Dorothy L. Sayers. Makina e saj u gjet e braktisur, por nuk kishte asnjë gjurmë të Christie dhe as të ndonjë përplasjeje. Por, pas 11 ditësh, u shfaq sërish në hotelin luksoz në Harrogate, duke thënë se nuk mbante mend asgjë nga zhdukja e saj. Me sa duket ishte regjistruar në hotel me emrin Theresa Neele, që ishte e dashura e bashkëshortit të saj. Christie iu rikthye jetës normale, pa u kujtuar për ato 11 ditë, ose të paktën nuk i përmendi më.
Çfarë është shkruar në dorëshkrimin Voynich?
Ky libër është në qarkullim që prej fillimit të shekullit XV dhe ende nuk dihet se çfarë thuhet në të dhe as në çfarë gjuhe është shkruar. Ëilfrid Voynich e mori librin në vitin 1912 dhe që atëherë është studiuar nga kriptografë. Shkrimi fillon nga e majta në të djathtë dhe libri është plot me ilustrime bimësh, femrash, kështjellash, dragonjsh, por alfabeti i përdorur është tërësisht i panjohur. Disa kanë hedhur teori se libri përmban sekrete mbi mjekësinë dhe shkencën bazuar te bimët, i shkruar në kod për të evituar akuzat për shtrigëri. Teori të tjera flasin për magji të alienëve, për udhëtime në kohë dhe ndoshta mund mos të dihet kurrë e vërteta.
Kush e ka shkruar “Beowulf”?
Një ndër poemat epike më të famshme në historinë e letërsisë u shkrua nga… një anonim. Askush nuk e di se kush e ka shkruar “Beowulf”. Ishte një autor? Ishin disa? Ishte një tentativë për të rishkruar historinë anglosaksone duke shtuar monstra dhe një ngjarje komplet të trilluar? Ka mundësi që çdokush që e ka shkruar i është bazuar traditës së folur, si dhe ka mundësi që çdokush që e ka shkuar po mblidhte mite antike pagane, duke i dhënë një konotacion fetar. Dorëshkrimi më antik ekzistues daton rreth 1 mijë vjet më parë, kështu që ndoshta nuk do të mësohet kurrë se kush është autori misterioz.