Miushat

27 Qershor, 2020 - 4:25 pm

Tregim nga Nerimane Kamberi

Kur u kthyem prej lufte, pas tre muaj ekzil, e ulur në banesën tonë të vogël, duke mos besuar se jemi të lirë, të lirë, eufori, gëzim, “I’m pretty, oh so pretty”, dhe shikimin e fiksuar në murin e bardhë, pash  tre-katër miusha që dilnin  nga kuzhina, e shkonin pas nënës së tyre. Një familje e lumtur ishte vendosur në shtëpinë të cilën familja jonë e kishte lënë për të ikur. Për pak m’u duken të lezetshëm, unë që gjithë i kam pas frikë këta brejtës, por pas luftë çdo njëri më dukej i bukur, i dashur, vëlla, motër, shpëtimtar. Në dysheme, dhjetëra fotografi bardh e zi ishin shpërnda nga paramiltarët që flenin të ne natën e ditën vritnin vëllëzër dhe motra të mi.  Çudi se si miushat nuk  e kishin brejtur fotografinë e F.A., që ishte veçuar nga të tjerat. Ndoshta miushat kanë më shumë respekt se sa njerëzit. F.A ishte vrarë duke ikur, ishte nxjerr nga treni.

U ktheva nga  katundi pas tre muaj, kisha ikur nga nje luftë tjetër. Pritja mos po dalin miusha nga kuzhina. Më dolën ca minj gjerizi, (pse të asociohen këto kafshe të shëmtuar dhe të gërditshme me një vend, aty te dhoma e çifteve të rinj, te “shpitë e këtyne herave” ku përgatiteshin për aktin sublim të bashkimit të trupave dhe të shpirtrave të tyre, ? Shëmtia e bukuria gjithmonë shkojnë bashkë , i them vetit, por vështirë e kam ta pranojë. ) Minj gjerizi që rriteshin, e rriteshin,  sa i here i mendoja , merrni përmasa të tmerrshëm , minj gjerizi që ishin rritur kaq shumë, që nuk mundeshin të qëndronin më në birucat e tyre, në bodrumet e ndërtesave, të banesave, të institucioneve, të kafeneve dhe të restauranteve të mbyllur, nga ku kishim shikuar shkatërrimin e njerëzimit, dhe shkatërrimin e njerzillëkut. Ata minj gjerizin silleshin, o zot, ikni, ikni, edhe para se të mbylleshim. A nuk thojnë se minjt paralajmërojnë luftën? E unë them se edhe kënaqen me luftën, gjejnë lumturinë, dhe kënaqësinë, duke shikuar nga fronet e tyre nëntokë  shembjen e botës. E ata rriten e rriten e rriten….

Edhe në një nga romanet  e John Irving, një romanciere që përgatiste librin e saj, , ishte fshehur në prapa perdeve të një dhome në një bordelo të Amsterdamit dhe e  përcillte klientin se si sillej me prostitutën. Nga aty, pa se si klienti me turi si të një  mi qerizi e uli, e poshtëroj dhe e mbyti gruan e re. Nuk më kujtohet a ia zuri frymën me çorapën e saj sexy apo me jastëk. /KultPlus.com

Të ngjajshme