25 Maj, 2022 - 3:48 pm
(Fragment)
Dhurata Hoti
Doli prej shtratit dhe u nis në kuzhinë. Secila përpjekje për të fjetur sikur e kthjellte edhe më shumë. Vendosi të bënte një kafe turke. Më shumë kishte nevojë për ritualin e kafes, se sa vetë kafenë. Në fakt, kafeja, pija e saj më e preferuar nga të gjitha, i bënte shumë keq. Gjithçka që i jepte energji i shkaktonte në të njëjtën kohë edhe ankth. Hodhi kafenë dhe sheqerin dhe e la ujin të vlonte. Nuk kishte gota të pastra, e mori njërën nga grumbulli i madh që ishte mbledhur dhe e lau. Kafja vloi. Kjo pjesa kur duhet të priste kafen derisa sa ftohej ishte arsyeja pse përtonte të bënte kafe turke. Doli në ballkon, do ta shoqëronte me një cigare dhe ndërkohë kafja do të ftohej më shpejt. Ajri i ftohtë ia dha ndjenjën se po merrte frymë më me lehtësi. Në ballkonin përballë dritat e vogla shumëngjyrëshe ndaleshin e ndizeshin nën shtresën e mjegullës, duke dhënë një efekt filmash. Ishte hera e parë që ajo nuk ishte e trishtuar për festat e fundvitit. Pasi i piu disa hurba kafeje, ndjenja e njohur në stomak ishte aty. Si një vibrim i diçkaje të padukshme që kishte përfunduar në stomakun e saj. Për pak momente ajo kishte menduar që ndjenja e ankthit kishte përfunduar bashkë me gjumin. Megjithatë ndihej e lumtur dhe ankthi nuk ishte i zakonshëm. Më shumë i ngjante një lloj euforie. Si kur mezi pret diçka të mirë të ndodhë. E përfundoi cigaren dhe hyri në dush. Në ujin pak më të nxehtë se sa ishte e shëndetshme ajo qëndroi për një kohë të gjatë.
E ndali ujin dhe me peshqir e thau trupin. Filloi të vishej. Zgjodhi një prej bluzave të zeza bashkë me një palë pantollona të së njëjtës ngjyrë. Kur bëhej gati pa pasur ide të saktë ku do të shkonte pshtjellohej, por sot i pëlqeu, iu duk se atë kuptim kishte liria. E mori edhe një cigare të cilën e thithi duke e gjerbur pjesën e mbetur të kafesë. U zhvesh prap dhe prej dollapi nxori një fustan të zi të gjatë me një prerje asimetrike, përfundi të cilit nuk veshi asgjë. Donte të ndiente të ftohtin tek i futej në trup direkt dhe lëkurën që i përshkohej prej mornicave. Mbi të veshi edhe pallton e gjatë e të zezë dhe i lidhi flokët. Përpos vathëve të thjeshtë, hallka ngjyrë ari, nuk vendosi asnjë zbukurim, por i pëlqeu vetja kur u pa në pasqyrë. Me gjithë atë kohë pa gjumë kishte pritur të shihte rrathë të zinj poshtë syve, por në fakt lëkurën kurrë nuk e kishte pasur më mirë. Rrathët e zinj që i kishte tashmë prej fëmijërisë, ishin zhdukur. Dukej më mirë se pas një gjumi të qetë. Filloi të mendonte që ishte për shkak të dritës.. Ndoshta më në fund ia kishte gjetur pozicionin e përshtatshëm pasqyrës të cilës ia ndërronte vendin kohë pas kohe. Në apartamentin ngjitur saj, dikush po dëgjonte një këngë të famshme me motive krishtlindjeje. Nuk i pengoi sikur i pengonte zakonisht. E mori çantën dhe doli prej banesës.
Qyteti i shëmtuar kishte marrë një lloj bukurie të trishtuar prej mjegullës. Asaj i kishte pëlqyer gjithmonë kjo lloj kohe edhe pse nuk bënte asgjë mirë. Mirëpo, kishte diçka madhështore, diçka që i kujtonte përrallat me mesazhe ogurzeza. Edhe njerëzit mbylleshin dhe i rrallonin daljet. Sidomos në mëngjes qyteti dukej si i braktisur. Vendosi të ndalej për të pirë edhe një kafe të njëri nga lokalet përballë qendrës së qytetit, në një vend ku mund të pinte cigare. E porositi një kafe. Vetëm në dy tavolinat e tjera kishte njerëz. Në njërën një burrë dhe një grua, ndërsa në tjetrën një burrë rreth të dyzetave. Çifti nuk dukej edhe aq interesant, ndërsa burri i vetmuar kishte një sharm të çuditshëm. Kamerieri, një djalë i dobët, ia solli kafenë dhe e uroi t’i bënte mirë. Nora e ndezi një cigare. Burri ia nguli sytë. Ajo tentoi të mos vështronte më nga ana e tij. Nuk u ndje e bezdisur prej gjestit të tij, por as e lajkatuar. Sikur nuk kishte kapacitet të përjetonte emocione të shkaktuara prej të tjerëve. Burri i dukej joshës, por ajo nuk ishte me të vërtetë aty. Lumturia, pagjumësia, a çkado që kishte ndodhur me të, e kishte tëhuajsuar. Ajo ndihej më gjallë se kurrë dhe kjo e largonte prej të gjallëve të zakonshëm. Pagoi dhe doli. Nuk e kuptoi pse u nis në drejtim të stacionit të autobusëve.
Në rrugën përballë banesave në një qoshk mes shkurreve që e rrethonin oborrin, asaj iu duk se i pa këmbët e zbathura të dikujt. Iu ngjeth mishi. Filloi të paramendojë raste të ndryshme krimesh që kishte dëgjuar. U afrua me frikë, duke qenë pothuajse e sigurt se ishte ndonjë i vdekur. Iu duk vajzë. Kur u afrua e pa një djalë lakuriq të shtrirë pa vetëdije. Lëkurën e kishte të bardhë me një nuancë në ngjyrë ari. Nuk ishte nuancë e zakonshme e njeriut, as edhe të vdekurit. Kur iu afrua edhe më shumë e pa se ishte shumë i bukur. Flokët i kishte në ngjyrë të ngjashme me lëkurën. Lëkura e tij kishtë një shkëlqim që e bënte jotokësor. Ajo u përkul më afër tij, duke dashur ta dëgjonte nëse ende merrte frymë dhe pa se shkëlqimi i lëkurës vende-vende merrte nuancë të gjelbër, që ngadalë shndërrohej në luspa të vogla që valëviteshin në ritmin e frymëmarrjes dhe zhdukeshin prapë. Sikur te peshqit ose zhapinët. Ajo e afroi dorën por nuk guxoi ta prekte. Ai mori frymë thellë dhe pshehrëtiu përgjumshëm. Do të thotë ishte gjallë. Ajo pa rreth e rrotull për t’i gjetur rrobat e tij, apo ndonjë dokument identifikimi. Asgjë. Nora e mori telefonin dhe instinktivisht shtypi numrin e taksisë. Tentoi ta zgjonte, por ai dukej në gjendje deliri. E zhveshi pallton dhe disi arriti ta ngrinte dhe t’ia veshte sa ta mbulonte sadopak. Gjatë gjithë kohës vështronte përreth sikur po bënte ndonjë krim. Taksia erdhi. Ajo e luti taksistin, që po e shihte djalin i habitur, t’i ndihmonte ta fuste në taksi. I tha se ishte i dashuri i saj, që ishte i varur nga alkooli. Taksisti prej aty deri në shtëpi nuk u ndal së treguari histori për vajza të mira që përfundojnë të dashuruara në djem të pavlerë. Megjithatë e ndihmoi, duke e bartur djalin në krahë deri sa arritën në banesën e saj. Ajo hyri brenda, djalin e la në shtrat dhe e mbuloi me një jorgan të hollë. E falenderoi taksistin dhe i la një bakshish. E hapi dritaren dhe e ndezi një cigare. Përballë saj, në shtrat djali po flinte. Disi ishte ndjerë pak më e lehtësuar që edhe taksisti e kishte parë, ndryshe do të mendonte që ishte çmendur. Por ai ishte i vertetë, edhe pse ajo nuk e kuptonte çka ishte ai. Ndonjë qenie e krijuar prej ndonjë mutacioni? Apo ndonjë lloj krijese mitologjike, gjysëm-njeri, gjysëm… zhapi? çka duhej të bënte me të? Në fillim mendoi të kontaktonte të fejuarin e një prej shoqeve të saj që ishte mjek, por nuk e bëri. Mendoi që kushdo që do ta shihte se si i shndërrohej kohë pas kohe lëkura, do të tentonte ta shndërronte në një projekt laboratori. Pyetje të tjera të shumta po i vinin në mendje, a hante ushqim si të gjithë njerëzit e tjerë? Sa gjatë do t’i duhej ta mbante në apartament? I dashuri i saj do të fillonte të dyshonte. Për disa ditë do të mund ta mbante larg apartamentit me arsyen se kishte nevojë për të qenë vetëm, por s’mund ta bënte gjatë. U afrua dhe u ul pranë tij në shtrat. Ishte aq i bukur sa nuk dukej i vërtetë. Vetëm duke e paramenduar veten tek puthej me të u skuq. U ngrit prapë në këmbë, ai ishte aq joshës, sa kur ishte afër tij i vinte ta prekte. Po t›ia kishte përshkruar dikush këtë krijesë, ajo do ta kishte menduar të frikshme dhe të neveritshme, një njeri me lekurën që herë-herë i ngjan asaj të zhapinit, mirëpo ajo vetëm frikë nuk ndiente. Doli prej dhomës së gjumit, e hapi laptopin dhe kërkoi ndonjë mit apo çkado që mund të gjente për njerëz me luspa. Asgjë që lexoi nuk iu duk e ngjashme me qenien e shtrirë në shtratin e saj. Disa legjenda që flisnin për një racë të ardhur nga qielli, që ngjanin si reptilë të stërmëdhenj, por ata përshkruheshin si shumë të shëmtuar dhe të neveritshëm. Ndoshta ishte një mutant, mendoi ajo./ KultPlus.com