25 Nëntor, 2020 - 9:49 pm
Agron Alibali, në veprën e tij studimore “Faik Konica dhe dritëhijet e një diplomati”, sjell për lexuesit një fakt interesant.
Në këtë vepër përmendet mjeku shqiptar Andrew Elia, i cili thuhet se frymëzoi shkrimtarin Thomas Heggen në kryeveprën e tij, “Mr. Roberts”. Vepra u adaptua për teatër dhe TV, ndërsa në filmin e vitit 1955 luajtën aktorët e njohur: Henry Fonda, James Cagney dhe Jack Lemmon.
“Zonjusha Dhimitra Cina nga Korça kishte mbaruar studimet për mjekësi në “Boston University” dhe kërkonte bursë për dy vitet e praktikës mësimore. Konica i drejtohej Ministrisë së Arsimit duke i shpjeguar se Dhimitra Cinës, Tirana i kishte premtuar bursë njëzetë herë dhe kurrë nuk ja kishte dhënë, prandaj duhet ‘t’i jepej për këto dy vjet’.
Ministria e Arsimit reagoi pozitivisht ndaj kërkesës së Konicës. Me vendim të Këshillit të Ministrisë së Arsimit, më 2 gusht 1929 u miratua bursë për të marrë mësime praktike mjekësore në spitalet e Bostonit. Dhimitra Cina përfundoi me sukses studimet për mjekësi dhe më pas qëndroi në Boston ku u martua me dr. Andrew Elia, të parin mjek të Diasporës shqiptaro-amerikane dhe mik i ngushtë i Konicës.
Dr. Elia shërbeu edhe në Luftën e Dytë Botërore dhe ishte nismëtar i ngritjes së “Shoqatës së Veteranëve Shqiptaro-Amerikanë” në vitin 1946. Dr. Elia, si mjeku i anijes, frymëzoi shkrimtarin amerikan Thomas Heggen në librin e tij të njohur ‘Mr. Roberts’. Më pas libri u kthye në shfaqje muzikore-teatrale dhe mandej në film i luajtur nga Hendry Fonda. Thuhet se kur drama u luajt në Boston, autori i saj, Thomas Heggen, prezantoi para publikut dr. Elian dhe gruan e tij, dr. Dhimitra Cina, dhe i ftoi të takoheshin me aktorët në prapaskenë”, thuhet në veprën e Alibalit./ KultPlus.com