MKRS-ja dhuron 135 tituj librash për Luginën, thotë se kjo pjesë do ketë vëmendjen e institucioneve kosovare

14 Gusht, 2019 - 6:00 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur përfaqësuesit e institucioneve të kulturës nga Lugina e Preshevës. Në një ceremoni solemne është bërë shpërndarja e 135 titujve të librave të blera nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit .

Me këtë rast, Gashi tha se MKRS-ja do të vazhdojë t’i mbështesë të gjitha institucionet dhe bibliotekat me furnizim me libra, e me theks të veçantë institucionet shqiptare të kulturës në komunat e Luginës së Preshevës.

Gjatë takimit, ministri shprehu përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin në mes institucioneve të Kosovës dhe komunave të Luginës së Preshevës, veçmas në fushat që lidhen me kulturën, rininë dhe sportin.

“Ne si MKRS ndër prioritetet tona kemi përkrahjen e librit nëpër të gjitha qendrat regjionale të Kosovës, por vëmendja jonë është edhe për shqiptarët të cilët jetojnë në Preshevë, Medvegjës dhe Bujanovc ashtu që libri dhe aktivitetet që nxisin dashurinë për librin, për leximin, të jenë më afër qytetarëve”, theksoi ai.

Ndërkaq, në anën tjetër përfaqësuesit e institucioneve të Kulturës nga Kosova Lindore, Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës u shprehën të kënaqur që, siç thuhet në komunikatën e MKRS-së, “për herë të parë kemi një takim me ministrin e Kulturës së Kosovës”, duke falënderuar atë dhe Institucionet e Kosovës për mbështetjen qytetarëve shqiptarë të cilët jetojnë në Kosovën Lindore. /KultPlus.com

Të ngjajshme