MKRS-ja: Vendi ynë do e shndërrojë në traditë pjesëmarrjen në Panairin e Librit në Leipzig

23 Mars, 2019 - 5:00 pm

Kosova është duke u prezantuar për herë të parë sivjet me stendë në Panairin e Librit në Leipzig. Ky panair njihet edhe si Panairi i Autorëve dhe Evropës Lindore dhe Juglindore është edhe pse me përmasa më i vogël sesa në Frankfurt është në fokus të jetës kulturore gjermane dhe europiane çdo pranverë.

KultPlus ka biseduar me Samir Hoxhën, këshilltarin politik të ministrit Kujtim Gashi. Hoxha ka treguar se ai së bashku me Ambasadorin e Republikës së Kosovës Beçë Cufaj, gjatë qëndrimit të tyre në Gjermani kanë takuar edhe Drejtorin e Panairit të Librit në Leipzig, Oliver Zile.

“E falënderova z. Oliver Zille për ofrimin e mundësisë për vendit tonë për të marrë pjesë në panairin e librit në Leipzig me autorët dhe stendën e posaçme. Po ashtu në emër të Ministrit Gashi e kam ftuar z. Zile për vizitë në Kosovë me qëllim të thellimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm, me theks të veçantë për të diskutuar edhe për hapat përfundimtar drejt anëtarësimit zyrtar të Kosovës në TRDUKI”, ka treguar ai për KultPlus.

Hoxha po ashtu ka thënë se drejtori i Panairit ka theksuar se ai  dhe ekipi i tij drejtues edhe në të ardhmen do të bëjnë çdo gjë për të ndihmuar praninë e vlerave kulturore të Kosovës në këtë Panair.

“Paraqitja e Kosovës sivjet nuk është e rastësishme por nga ky vit, vendi ynë do ta shndërrojë në traditë pjesëmarrjen e vendit tonë në këtë Panair të rëndësishëm të Librit ku sidomos autorët luajnë një rol të rëndësishëm me prezantimet e tyre”, ka theksuar Hoxha për KultPlus.

Me rreth 200.000 vizitorë dhe 3000 botues nga Gjermania dhe vende të ndryshme të botës, sivjet Kosova është risia e këtij Panairi. Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës sivjet ka përkrahur Bibliotekën Kombëtare të Kosovës e cila në stendën e saj do të prezantojë botimet më të reja nga Republika e Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme