8 Prill, 2020 - 12:24 pm
Jeta Zymberi
Për më se dy vjet, objekti kryesor i Muzeut Etnologjik i është nënshtruar procesit të renovimit, por kjo nuk e ka ndaluar punën që po bëhej për të sjell në dritë monografinë për të dhe funksionin e tij, shkruan KultPlus.
Instituti Albanologjik i Prishtinës këto ditë ka botuar monografinë, “Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij”, të autorit Valon Shkodra.
Kjo monografi është rezultat i punës hulumtuese – shkencore disavjeçare të autorit i cili ka treguar për KultPlus që ideja për këtë temë i erdhi gjatë kohës sa punonte në Muzeun Etnologjik të Prishtinës (2006 – 2017).
“Duke e ditur rëndësinë e kësaj teme, vendosa që ta hartoja një material më të plotë i cili do t’iu shërbente vizitorëve, por edhe atyre që dëshirojnë të merren me fushën e muzeologjisë. Mbështetjen e parezervë për këtë temë e kisha nga mentorja ime e studimeve postdiplomike prof. dr. Afërdita Onuzi”, u shpreh Shkodra.
Studimi i paraqitur në këtë monografi paraqet një realitet të punës muzeore në Muzeun Etnologjik të Prishtinës, që nga hapja e tij e deri në ditët e sotme. Por, autori i kësaj monografia është shprehur se për ta përmirësuar më tej këtë punë, është e nevojshme që në të ardhmen të punohet në platforma me bazë shkencore, me bashkëpunim të ngushtë midis etnologëve, muzeologëve, historianëve, konservueseve, restauruesve, dizajnerëve, arkeologëve, pedagogëve, arkitektëve etj.
Kjo monografi përbëhet prej tre krerëve dhe për gjithë këtë punë, autori ka treguar më në detaje.
“Për këtë monografi, krahas materialit të studiuar në muze, konsultimit të literaturës dhe dokumenteve (të publikuara dhe të pabotuara), hulumtimi ynë bazohet në intervista të realizuara me informatorë, me punonjësit e muzeve, vizitorë, zejtarë, artizanë, me banorë lokalë të fshatrave e qyteteve të Kosovës. Për këtë studim kemi realizuar disa ekspedita terreni, si në: Shqipëri, Mal të Zi dhe në Maqedoni. Për materialet të cilat i kam prezantuar dhe kam shfrytëzuar literaturë profesionale të fushës përkatëse, por gjithashtu kam realizuar intervista me informatorë pa dallim gjinie dhe moshe.”
Monografia për Muzeun Etnologjik të Prishtinës është prezantim i vlerave tradicionale të artit popullor të Kosovës. Me hapjen e Muzeut Etnologjik të Prishtinës, qytetarët kanë mundësi që të njihen, për së afërmi me mënyrën e jetesës në Kosovë në periudha më të hershme. Ky muze mund të themi se është shembull për prezantimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore për vizitorë vendorë dhe ndërkombëtarë, është vend i rëndësishëm për edukimin e gjeneratave të reja të cilët vijnë në muze me pedagogët e shkollave, me prindër dhe shoqëri, gjithashtu është vend i kujtimeve, frymëzimit, mësimit dhe kohës së lirë. / KultPlus.com