“Mos harro, je grua”

28 Qershor, 2021 - 4:28 pm


Nga Maria Sabina
Në shqip nga: Bajram Karabolli

Gëzohu dhe shërohu, bija ime, me dritën e diellit dhe rrezet e hënës. Me tingujt e lumit dhe të ujëvarës. Me valët e detit dhe fërfëllimën e krahëve të zogjve.

Gëzohu dhe shërohu, bija ime, me gjethet e mentës dhe të mendrës, të mëllagës dhe të blirit. Freskohu me aromë livande, rozmarine dhe kamomili. Përqafohu me frutën e kakaos dhe me një degëz kanelle. Duaje çajin në vend të sheqerit dhe pije atë duke parë yjet. Gëzohu dhe shërohu, bija ime, me përqafimet e erës dhe me puthjet e shiut. Forcohu me këmbët zbathur në tokë dhe me gjithçka që ka lindur prej tokës. Bëhu më e shkathët çdo ditë, duke mprehur intuitën dhe duke parë botën me sytë e ballit.

Kërce, vallëzo, këndo, që të jetosh më e lumtur. Gëzohu dhe shërohu, bija ime, me dashuri të shëndetshme dhe mos harro se je grua./ KultPlus.com


Të ngjajshme