7 Nëntor, 2020 - 2:54 pm
Medina Pasoma
Fotografitë: Valbon Tishukaj
Lufta mes harresës e kujtesës, përpjekjet inidvuale përballë turmës kolektive bashkë me këndvështrimet e shkrimtarit Liridon Mulaj erdhën mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery, përgjatë kohës sa romani i tij ‘’Mos harro të më kujtosh’’ u promovua përpara artdashësve kosovarë, shkruan KultPlus.
Të pranishmit zunë vendet e tyre ngadalë dhe përballë tyre ndodhej një shkrimtar i cili tanimë kishte dëshmuar suksesin e tij në botën e letrave shqipe. Të gjithë u bënë gati që të dëgjojnë fjalët e Mulajt, teksa në fakt foli libri i tij më i ri. Për shkrimtarin i cili vlerësonte se pati fatin të kishte lexues të shumtë, ‘’Mos harro të më kujtosh’’ u bë libri i tij i tretë.
Viti 2017 do të ishte hera e parë kur ai pati guximin t’i dal publikut me një libër të botuar, duke i dhënë emrin ‘’I pakuptuari’’ frymëzimeve të tij poetike. Siç ndodh rëndom me shkrimtarët të cilin nisin hapat e parë në letërsi në vargje, shumë shpejt ai gjeti kurajon të thellohet edhe në rreshtat e prozës. Një vit më vonë, Liridonin filluan ta njohin si prozatorin e ri me librin e tij të dytë të titulluar ‘’Kërkohet një vrasës’’.
Në nëntorin e vitit 2017, Mulaj kishte kapur lapsin për librin e tij të tretë, të cilin e përfundoi në mars të këtij viti dhe filloi me promovime në qytete të ndryshme, duke bërë që libri me të vërtetë të arrijë në dorën e lexuesit. Romanit, i cili është botuar nga shtëpia botuese ‘’Onufri’’, stacioni i parë iu bë kryeqyteti pa lum. Në Festivalin ‘’Fiction Fest’’ Mulaj do t’i lexonte publikut kosovar disa rreshta nga ‘’Mos harro të më kujtosh’’.
Mirëpo, promovimet nisën nga Tirana. Oborri i Galerisë së Arteve do t’i takonte për të parën herë lexuesit e tij për ‘’Mos harro të më kujtosh’’, për të vazhduar edhe me publikun shkodran. Ndërkaq mbrëmë ky roman prej 10 pjesësh la aromën e tij edhe në KultPlus Caffe Gallery.
‘’Letërsia ka gjetë gjithmonë vrimat dhe opsionet për t’i dal përballë dhe per ta ndyshuar çdo situatë’’, u bënë fjalët e para të Mulajt, teksa promovonte librin e tij në kohë pandemie.
Shkrimeve të tij që tanimë kanë zënë vend nëpër raftet e lexuesve të shumtë ai ia dhuronte emrin ‘’letërsia ime e vogël’’, ndërkaq përpjekja për përmirësim ekzistonte edhe tek ai, duke bërë që çdo shkrim të mëparshëm ta shihte si ‘’më të dobët’’, në krahasim me sukseset e së sotmes dhe pritshmëritë e së ardhmes.
‘’Shkrimtari rritet dhe atë që ka lënë pas nuk do më ta sheh. Në qenien tonë vepra është një njollë e biografisë sonë’’, u shpreh Liridon Mulaj.
Miqtë përveç që kishin qenë mbështetësit e tij, ata kishin qenë edhe insistuesit për të kaluar nga poezia në prozë. Pikërisht një mike e afërt e tij, e kishte mundësuar këtë kalim, duke ia mundësuar që ai sot ta ketë ‘’ishullin e letërsisë’’.
‘’Deri më tani kam arritur ta krijoj ishullin tim, ishullin e letërsisë Liridoni me të cilin është kurorëzuar me romanin e fundit dhe me shpresë të madhe do të vazhdoj gjithë jetën’’, theksoj autori Mulaj.
Duke e ditur që përballja e parë e lexuesit te një libër është titulli, Mulaj kishte vendosur t’i vendoste diçka shumë simbolike veprës së tij të tretë. ‘’Mos harro të më kujtosh’’ vjen si një shprehje artistike në mes kujtesës e harresës, si dy shtigje krejtësisht të kundërta por, që përfarojnë tejet shumë mes vete. Madje kujtesa individuale dhe harresa universale janë ato që nuk bëjnë pa njëra tjetrën sipas autorit.
‘’Kujtesa individuale është kur ne harrojmë dikë dhe duke harruar ne praktikisht e kemi vrarë. Gjithmonë një harresë e kushtëzuar e pason një kujtesë të shëmtuar’’, nisi shpjegimin e emërtimit të librit të tij.
Mirëpo përpjekja e njeriut për ta harruar dikë, gjithmonë përfundon me një kujtesë momentale, e që e bën individin të mos ndjehet mirë për këtë.
‘’Një person që ti e harron me dashje do e kujtosh me një lloj ndjenje të hidhur. Kjo është kujtesa individuale të cilën e kemi aplikuar të kundërtën e saj, harresën universale’’, thekson Mulaj.
Pikërisht harresa universale e cila lind nga individi dhe e përfshinë gjithë shoqërinë, për Mulajn mbetet pasqyrë e realiteteve historike.
‘’Harresa universale apo ajo kolektive ka lindur luftëra. Komunizimi ishte një pasqyrë e nazismit. Të gjitha pushtetet, sistemet kishin një përfundim dhe degëzim si vrasjet, shkatërrimet, sistemet totalitare autoritare’’, shpjegoj Liridoni.
Madje për të historia ka gjetur rilindje pikërisht për shkak të harresës universale. Për këtë ai morri shembull edhe Kosovën, duke thënë se ende i ka të hapura plagët e luftës. Në anën tjetër përballë harresës e kujtesës për të mbetet empatia, e cila shumë shpesh mungon sot përbrenda llojit njerëzor.
‘’Empatia dhe dhembshuria janë një thirrje për të ndjerë atë që dikush e përjeton dhe në një moment ta vumë veten në vendin e tij. Ky fenomen ose veçori i mungon realitetit tonë në Shqipëri. Te ne mungon empatia, qasja për të menduar dhe tentuar të ndjejë si ai, jemi kthyer në ishuj, në njerëz që nuk kemi dhembshuri, nuk duam të dijmë për tjetrin dhe përherë tentojmë të harrojmë’’, vlerësonte autori i ‘’Mos harro të më kujtosh’’.
Mulaj romanin e tij e kishte dedikim ndaj brezit të tij në Shqipëri, të cilët i vlerëson që janë në një pozicion ‘’mes dy zjarresh’’, për të kaluarën komuniste dhe përpjekjet demokratike.
‘’Brezi jonë është mes dy brezave, të komunizimit të cilët ishin të vuajtur dhe brezit të ardhshëm që nuk kanë asgjë në mungesë nga bashkëmoshatarët e Evropës’’, nis Mulaj të flas për arsyen e dedikimit.
Për kohanikët e tij ai vlerëson se u detyruan ‘’të ngrënë një qorbë që vet s’e kanë përzier’’ duke aluduar te përjetimi i pasojave që ata nuk ishin shkaktarë.
‘’Ne i morrëm komplekset e brezit të shkruar dhe i shtuam pasigurinë e brezit tonë e mbetëm në mes. Ne jemi brez i paqartë që ka marrë trajtën e një demokracie të brishtë e të pa formë, jemi ne që nuk mundëm të shkojmë dot drejt aspiratave tona’’, shprehet Liridoni.
Teksa e bënte promovimin e romanit të tij përpara gjeneratave të ndryshme të Kosovës, ai ndjeu nevojën e shprehjes së dallimit mes brezave të dy vendeve shqiptare nëpër histori. Në Kosovë fatkeqësia kishte ardhur nga pushtuesi, në Shqipëri fatkeqsinë e kishte shkaktuar dikush nga ta.
‘’Realiteti këtu me realitetin te ne kanë qenë të ndryshme, këtu jo për fajin tuaj, atje për fajin tonë. Këtu keni vuajtur nga një pushtues i huaj, ne kemi vuajtur nga vetvetja’’, sqaronte Mulaj.
Rrugëtimin drejt ‘’Mos harro të më kujtosh’’, Mulaj planifikon ta promovoj edhe më gjerë. Madje, ai sukseset individuale i sheh edhe si shans që të ndërroj pikëpamjet për vendin e tij.
‘’Synimi i çdo shkrimtarit është të kalojmë kufinjtë, të ndërkombëtarizohemi, të universalizohemi, për të treguar një copë nga vendi i vet dhe për të thënë nuk është Shqipëria dhe Kosova që ju e njihni. Nuk janë këta përfaqësuesit e vendit, ka edhe të tjerë’’, shprehet ambiciosi i letërsisë.
Mulaj kishte fatin të niste mbarë rrugëtimin e letërsisë dhe pavarësisht vështirësive të haste në lexues të shumtë, të cilët ia ndjenë fjalën e shkruar. Mirëpo, ai ka një mesazh për të gjithë ata që bota tenton t’i shtyp, në mënyrë që të mos e nisin shkrimin.
‘’Thirrja që kam bërë gjithmonë është të shkruajnë sepse letërsia nga dallim prej shkencave të tjera është diçka që nuk trashëgohet. Shkrimtar mund të bëhet kushdo dhe nuk varet nga pozita ekonomike e shtetit të vet’’, shpjegon Mulaj
Shembull për këtë e merr Kadarenë, i cili arriti të jetë përkrah emrave të mëdhenj të letërsisë dhe ta bëj Shqipërinë të njohur përmes tij. Për fund, ai pati edhe një porosi tjetër për shkrimtarët e rinj.
‘’Edhe nëse nuk arrin të dalësh në elitë, në një piedestal, duhet të shkruash sepse vetëm në këtë mënyrë ti mundesh të çlirohesh nga brengat dhe ankthet’’, u shpreh autori i tri veprave.
Në fund audienca që e dëgjoi Mulajn me plotë dëshirë dhe vëmendje pati rastin ta pyesin drejtpërdrejtë për frymëzimet, personazhet dhe gjithë ecurinë që ai tanimë ka në letërsi.
Mbrëmja organizohet me mbështetje të Drejtorise për Kulturë nga Komuna e Prishtinës/ KultPlus.com