23 Shkurt, 2021 - 10:51 pm
Nga Alketa Spahiu
Mos u dashuro në Esmeraldën
Të thashë, me butësi,
kapiten i falangave me bajoneta Erosi,
mos u dashuro në Esmeraldën
në rrotullimet e saj ngjyrë galaksie mëngjesi,
në tundimin e saj me nuanca meleze
në ecejaket e saj të purpurta valsore
që ngjajnë me diellin kur rrotullohet rreth tokës,
po, Galile,
në ujëra të cekëta
nuk notojnë buzëqeshjet e simfonisë.
Mos u dashuro në Esmeraldën
nëse ke një pasaportë, rrënjë të thella
status të lartë shoqëror, apo pushtet
të shtetit të monotonisë,
vetëm apolidët meritojnë
të shijojnë parajsën fiskale të hireve të saj
vallëzimet si retë që dërgojnë nur
e jo shi
dhe magjinë e natës së Notre- Dame-it.
Esmeralda jeton bukurinë e momentit
pi ujë nga gota e praruar e qiellit parisien
vallëzon me katër vello dhe shumë byzylykë
lirat e kostumit të saj
nuk ankorohen në porte fikse,
nuk është franceze, as egjiptiane
e as aborigjene
trupi i saj valëvitet si një nimfë profane
që për Halloween ka zgjedhur të maskohet
si vallëtare orientale,
Esmeralda vallëzimet i ka të lira
dashurinë të vështirë si një vulë papale.
Mos u dashuro në Esmeraldën,
nëse nuk do të udhëtosh pa biletë
horizonteve ekzotike të dashurive të pamundura
ku allellujat e të dielës
janë zëvendësuar me melodi tamburësh,
dashuria e saj ka akciza të larta,
si kalimi nëpër rrugën e mëndafshit.
Esmeralda vazhdon të vallëzoj hirshëm,
shkujdesshëm,
si aurora që përndrit Champes- Elysees
Hygotë e shikojnë
me neps agjëruesi,
luten për shputat e saj të njoma
dhe kokën e pabindur
që nuk ndjek ritmet e konformizmit./ KultPlus.com