12 Janar, 2020 - 8:14 pm
Fakete Rexha: Fëmijëria ime, kur gatuante nana flija
Ndoshta kur e sotmja ta përqeshë të djeshmen. Motra para meje u martu, e disa nga detyrat e saj rreth shtëpisë nana mi ngarkoi mu. Me e fshi oborrin, me i la enët te bunari, të dielave me u zgju herët nga gjumi me e ndihmu rreth gatimit, se vinin motrat me burra e fëmijë me ndejtë gjithë ditën. Të dielave nana gatuante brumëra: fli, pite me katmer, pite me petë, jagli me djathë, vezë, kajmak e hudhër. Perpeqë, piqehiqe me marmeladë, kajmak. Leqenik. Kryelanë me duqa, e pa duqa E, gjithëfarë drangulijash që i bijshin n’mend atypëraty. Se, me gjellë s’mund i dilte n’krye gjithë atij kallaballëku. Por, unë kisha mërzi të dielat. N’gjumin ma t’mirin vinte nana e m’thërriste: quuuu! Quuu, qikë se t’zu dreka! E, kam me gatu! Unë jo që i ndihmojsha gja, por, nana e kishte që t’a shoh si gatuhet e të mësohem për më vonë, dhe se duhet çdo ditë me u zgju herët për me t’shku dita mbarë…Se, jeta na thoshte nana, përveq tjerash asht edhe disiplinë! Ajo, shtronte sofrabezin, vinte sofren e madhe, ulej, e m’thoshte: bjerja nanës tëlyenin, bjerja nanës vajin, bjerja nanës kosin, djathin, bjerja anës miellin….Cdo herë i njejti avaz, të cilin unë tashma e njihja përmendësh. Në kohën e tregimit tim kam 8 vjeçe. U zgjova nga gjumi me një inat të madh n’fyt, sa veq s’plasja. Im at ishte kthyer nga turni i natës, kishte qenë tu i vesh pixhamat n’dhomën tjetër. Ia krisi nana refrenit të saj: bjerja nanës…! Oh, bre se lash me vazhu hiq. Ia nisa me imitu, tu e përqesh me inat: Bjerja nanës tëlyenin! Bjerja nanës kosin! Bjerja nanës miellin! Haja nanës P….n! S’isha e vetëdijshme çka thash. E pash nanën që preku n’gaz, u skuq në fytyrë, e i zgurdulloi sytë tu m’dhan shenjë diqka. S’pata afat të kuptoj, ç’deshi me m’than me këtë gja. Veq kur i kam ndi do gishta t’fortë, sall eshna që ma n’ngjitën për dy della t’qafës e m’qunë si mace, hop, deri n’tavan, Kujtova se mu nda fryma. Dera e dhomës sime u hap me shkelm, dhe pash veten që u fërfllova n’shtrat. Ndëgjova zanin e tim eti kur m’tha: edhe njiherë provo e fol me nanën tande kështu, nuk t’hedhi n’shtrat, por, ke me fluturu n’maje t’Cabratit. Boll m’dhimbti nja tri ditë qafa, por, u gëzova se ia futa gjumë deri n’drekë.Pati kalu s’di sa kohë, e babën s’mund e shihja n’sy prej turpit. Sot, kur m’kujtohet shqepem prej gazit.