8 Tetor, 2022 - 6:40 pm
Muaji i librit ka mbërritur dhe kanë nisur promovimet e titujve të rinj, por gjendja e bibliotekave vazhdon të jetë e njëjtë. Ata vuajnë nga mungesa e hapësirave, shumë tituj ruhen në kuti e po ashtu mungon pasurimi me tituj të rinj.
Teksa këtë muaj botues e shkrimtarë do të mblidhen për të folur për librin, gjendja e Bibliotekës Kombëtarë që është institucioni kryesor i memories vazhdon të përkeqësohet. Çdo vit në të shtohen kutitë e bananeve ku ruhen titujt e rinj. Por ndërtimi i godinës së re po kërkon ende kohë.
Elva Margariti: Poli i ri kulturor që fillon tashmë me qendrën kombëtare të kulturës për fëmijë, ka si element të dytë Bibilotekën Kombëtare. E kemi projektin e qendrës së fëmijëve, ku dhe aty do të ketë ambiente të dedikuara.
Biblioteka Kombëtare, për shkak të mungesës së hapësirave ka hequr shërbimin e dhënies së librave me vete për lexuesit.
“Biblioteka është një shërbim që meriton të ketë një vëmendje të veçantë. Pasurimi me tituj është një tjetër problem, sidomos i titujve të letërsisë shqipe”, tha Belfjore Qose, pedagoge.
Por edhe në rrethe situata nuk është ndryshe. Në Bibliotekën e Lushnjes, dhurimi i titujve të rinj bëhet nga vetë autorët.
Luljeta Vodo: Çdo autor vjen në bibliotekën e Lushnjes dhe na sjellin nga 3 libra.
Por a mjafton kjo për ta pasuruar me titujt e rëndësishëm?
Edhe pse shumë Tetor librash kanë kaluar dhe kjo temë është diskutuar, nuk ka ndryshuar shumë për gjendjen e bibliotekave tona./tvKlan/ KultPlus.com