16 Janar, 2024 - 3:29 pm
Akademiku Muhamedin Kullashi ka publikuar librin “Kosova në fushën e diplomacisë në Francë 2008- 2016”, i cili vjen si dokumentim i marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve.
Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” të RTK-së, ai, ka thënë se si ish-ambasador i Kosovës në Francë, ai ka përmbledhur rrëfimet e politikanëve, takimet e ngjarjet e ndryshme të delegacioneve diplomatike në Paris.
“Edhe shënimet edhe kujtesa më kanë shërbyer për librin. Kanë qenë takime të rëndësishme edhe për mua edhe për ministrinë tonë. Komunikimi me këto përfaqësi e institucione të ndryshme franceze kanë qenë të rëndësishme”, ka thënë ai për mënyrën e të shkruarit të librit.
Kullashi tutje ka treguar edhe për takimet të cilat kanë qenë të realizuara me qëllimin e njohjes së Kosovës, të cilat janë të përfshira në libër, transmeton RTKlive.
“Viti 2008 lidhet me Pavarësinë e Kosovës. Ne e kemi njohjen nga Franca menjëherë një ditë pas shpalljes. Kjo është shprehje e mbështetjes nga presidenti dhe diplomacia franceze në atë kohë, kjo ka qenë e re sepse Franca ka pasur marrëdhënie tradicionale shumë të mira me Serbinë. Por luftërat në Ballkan kanë shkaktuar disa ndryshime në orientime dhe qëndrime”, ka thënë tutje Kullashi./rtk/KultPlus.com